TIRANE- Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka deklaruar se mosfunksionimi si duhet i mekanizmave që kanë për detyrë të kontrollojnë dhe parandalojnë dhunën ndaj garve, bën që të rriten rastet e dhunës ndaj tyre. Në një raport të detajuar, Avokati thekson se është rritur numri i urdhrave të mbrojtjes të lëshuara ndaj grave, por këto vendime kanë mbetura të pazbatuara nga përmbaruesit.

Po ashtu, Avokati thekson se procesi i dëmshpërblimit të gruas që ka pësuar torturë ose dhunë, ose forma të tjera të keqtrajtimit, në praktikë është i vakët. Padia civile në procesin penal përdoret shumë rrallë. Avokati  bën apel në fuknsionimin e të gjithë mekanizmit të ngritur për të luftuar këtë fenomen, mosfunksionimi i të cilit çon direkt në rritjen e rasteve të dhunës.

“Avokati i Popullit me rastin e Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave bën thirrje për mbrojtjen e te drejtave të grave, si dhe eleminimin e cdo forme dhune ndaj tyre. Avokati i Popullit mbështet dhe përkrah të gjitha nismat e ndërrmarra nga qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera shtetërore. Gjithashtu është në krah të përpjekjeve të mëdha të shoqërisë civile për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore për situatën e dhunës ndaj grave”, - thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

RAPORTI I AVOKATIT TE POPULLIT
Në Raportin e Veçantë të hartuar nga institucioni i Avokatit të Popullit Kundër Dhunës ndaj Grave, janë konstatuar se:
 
-        ka patur një zgjerim të numrit të gjykatave që kanë lëshuar urdhra mbrojtjeje dhe urdhëra të mënjëhershëm mbrojtje, për viktimat e dhunës në familje. Por për zbatimin e këtyre vendimeve të gjykatave nevojitet që strukturat e përmbarimit të marrin masa në mënyrë të menjëhershme.
 
-        procesi i dëmshpërblimit të gruas që ka pësuar torturë ose dhunë, ose forma të tjera të keqtrajtimit, në praktikë është i vakët. Padia civile në procesin penal përdoret shumë rrallë.
 
-        ende nuk janë ngritur në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore (qarqe dhe bashki), sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, mekanizmat e referimit të rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare.
 
Ne vlerësojmë se mungesa e tyre ndikon drejpërdrejt në referimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje në organet e drejtësisë, apo edhe në autoritetet shtetërorë përgjegjëse, duke shmangur në këtë mënyrë edhe pasoja të cilat mund t’i kushtojnë jetën grave apo vajzave të një familje, ndaj Avokati i Popullit kërkon zbatimin e ligjit për ngritjen dhe funskionimin e këtyre mekanizmave.
 
Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë punën e organeve të policisë së shtetit, të cilat janë ngarkuar për zbatimin e urdhërave të mbrojtjes, të nxjerra në favor të viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare, si dhe monitorimin e zbatimit të detyrimeve ligjore dhe nënligjore nga autoritetet shtetërore përgjegjëse sipas fushës së veprimtarisë.
 
Avokati i Popullit do vazhdojë inspektimet:
 
- në institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, të ngritura në nivel kombëtar apo edhe në nivel lokal, për trajtimin e viktimave të dhunës,
 
- monitorimin e punës së institucioneve shtetërore të ngarkuara për zbatimin e dispozitave ligjore për perfitimin e ndihmës ekonomike dhe trajtimin nga programet e nxitjes së punësimit të viktimave të dhunës në marrëdheniet familjare.
 
Së fundi, Avokati i Popullit shpreh bindjen se Raporti ynë do të diskutohet në Kuvendin e ri dhe kjo falë frymës së re të bashkëpunimit me Kuvendin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)