SHKUP - Ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers ka deklaruar se ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar për shkak të ngjarjeve të dhunshme që u shënuan gjatë fundjavës së kaluar.

Volers e bëri këtë deklaratë pas firmosjes së Memorandumit për bashkëpunim midis Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe Institutit të Historisë Kombëtare të Maqedonisë, duke theksuar se këto ngjarje lënë të kuptohet se ekziston nevojë urgjente, që pikërisht këto nisma, siç është kjo sot që promovon harmoninë ndëretnike në Maqedoni.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer për promovimin e harmonisë, respektit dhe tolerancës midis qytetarëve të Maqedonisë. Ndërsa çdo incident ndëretnik apo tentim për të nxitur tolerancë është mundësi e lehtë për t’u shfrytëzuar politikisht, kjo sot është një mundësi e mirë për të hapur dialogun dhe për të forcuar lidhjet midis etniteteve të ndryshme”, deklaroi ambasadori amerikan.

Javën e kaluar në Shkup janë zhvilluar protesta kundër emërimit të Talat Xhaferrit në postin e ministrit të Mbrojtjes. Protestat u shoqëruan me dhunë ndaj policisë dhe më pas huliganët maqedonas sulmuan disa shtetas shqiptare, mes tyre edhe gra e fëmijëve.

Në lidhje me emërimin e ish-komandantit të UÇK-së në postin e Ministrit ka reaguar sot edhe presidenti i Maqedonisë Ivanov.

“Unë njëherë kam shprehur qëndrimin tim, se vërtetë akoma janë të freskëta kujtimet e asaj që ndodhi në vitin 2001 në Maqedoni dhe akoma shumë plagë nuk janë shëruar nga ai konflikt. Andaj edhe është e ndjeshme kjo temë dhe zgjedhja e tij shkaktoi reagime të tilla”- deklaroi Ivanov.

Ai theksoi se si Komandant Suprem i forcave shtetërore të sigurisë i bën me dije të gjithë atyre që janë brenda dhe jashtë Armatës së Maqedonisë, se nuk duhet të shqetësohen për Armatën, sepse ajo do të mbetet ajo që është.

Redaksia Online
(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)