Dhuna ndaj VV, Jahjaga: S’ka
imunitet për tejkalim kompetencash

Dhuna ndaj VV, Jahjaga: S’ka <br />imunitet për tejkalim kompetencash
PRISHTINE - Askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund të ketë imunitet “për tejkalimin e kompetencave”. Kështu është shprehur Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një intervistë për agjencinë Kosovapress, duke iu referuar dhunës së ushtruar nga Policia pak ditë më parë në Prishtinë ku mbetën të plagosur deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Republika e Kosovës është shtet demokratik, është një shtet që ka një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare edhe në ndërtimin e vazhdueshëm të të gjitha proceseve demokratike dhe kjo nuk e amniston askënd nga asnjë veprim apo nga veprimet e bëra, sepse askush nuk ka imunitet, ta themi, mbi ligjin për manipulimin e masave për tejkalimin e kompetencave dhe vlerësimet për të gjithë këtë bëhen konform suazave ligjore, në kuadër të normave ligjore dhe prezantimeve dhe ballafaqimeve të të gjitha fakteve në të dyja anët”, tha Jahjaga.

Nga ana tjetër ajo nuk kurseu kritikat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën tha se nuk shfrytëzoi të gjitha mekanizmat institucional. Ajo ka pohuar se reagimi në rrugë nuk është zgjidhje.

“Është qëndrim edhe përgjegjësi e lëvizjes Vetëvendosje ndaj apo para elektoratit, para anëtarëve dhe para të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Veprimet nuk ishin veprime institucionale edhe pse lëvizja Vetëvendosje është parti politike parlamentare. Si presidente e vendit unë kam shprehur qëndrimin dhe vazhdoj ta mbaj atë qëndrim, sepse duhet të shteren dhe duhet të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat institucional që ekzistojnë përbrenda institucioneve të Kosovës dhe përbrenda Kuvendit të Kosovës. Rruga nuk është zgjidhje për asgjë dhe veprimet dhe vendimet janë obligative për partitë dhe për të gjitha subjektet politike parlamentare”, ka thënë ajo.

Presidentja e Kosovës përshëndeti dialogun mes Kryeministrit Thaçi dhe homologut të tij serb Daçiç, ndërsa deklaroi se kjo nuk do të çojë në asnjë ndarje, as të Kosovës dhe as të Serbisë, duke i mbyllur kështu derën hipotezës së ngritur shpesh të një shkëmbimi territoresh mes dy shteteve. Jahjaga tha se për veriun e Kosovës nuk mund të ketë asnjë një status të veçantë dhe as ndonjë lloj autonomie.

“Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka shpërngulje apo shkëmbim të popullsisë, nuk ka status të veçantë dhe nuk ka autonomi të veçantë. Zgjidhja e vetme është vetëm e vetëm përbrenda Pakos së Ahtisaarit dhe implementimit të fuqishëm dhe të hollësishëm të këtij dokumenti që tanimë është inkorporuan në kushtetutën e vendit tonë”, ka thënë Jahjaga gjatë intervistës për Kosovapress.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij