TIRANË, 25 Janar/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Dhuna në familje, veçanërisht ajo ndaj zonjave dhe zonjushave vijon të mbetet një nga problemet kryesore të shoqërisë Shqiptare, një plagë që kërkon shërim.
Arsyet, që ky fenomen vijon të ketë jetë janë të shumta, duke filluar nga tradita patriarkale dhe duke vijuar tek problemet socio-ekonomike të vendit tonë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në daljet e tij ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të shoqërisë dhe policisë përballë këtij problemi, ndërkohë që numërohen me dhjetëra iniciativa të Politikës Shqiptare për të bashkëpunuar me shoqërinë civile dhe qytetarët për të bërë të munduar kurimin e kësaj plage, që vijon të lëndoi zonjat dhe zonjushat shqiptare.
Në 10 vitet e fundit shoqëria shqiptare ka ndryshuar perceptimin ndaj dhunës në familje. Referuar rezultateve të një anketimi, të bëra publike korrikun e vitit 2014, në një takim të zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme mes një grupi OJF dhe Koordinatores Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore Elona Gjebrea, vetëm 54 % e të anketuarve mendojnë se çështja e dhunës në familje është një fenomen tërësisht private, ndryshe nga 89 % që ishte perceptimi 10 vjet më parë.
Sipas raportit, institucioni kryesor ku drejtohen ankesat apo denoncimet për dhunën brenda familjes, mbetet Policia. Më konkretisht, 39 % e të dhunuarve i drejtohen zyrës së Policisë nëse përballen me dhunë; 23 % u telefonojnë OJF-ve; 18 % e çështjeve shkojnë në Gjykatë; vetëm 1 % e denoncimeve përfundojnë në Prokurori dhe 1 % në pushtetin lokal, megjithëse ky i fundit, me ligj, është ndër institucionet kryesore që menaxhon këtë problematikë të mprehtë. Nga më shumë se 500 qytetarë të pyetur përmes intervistave telefonik, bisedave në fokus-grupe apo vetë-intervistimit në faqen Web, 443 prej tyre u shprehën kundër dhunës në familje, ndërsa 100 të tjerë u përgjigjën se nuk ishin kundër dhunës në familje.
Gjithsesi, pavarësisht iniciativave, Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi një javë më parë raportin e saj mbi respektimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Një  ndër problemet e ngritura prej Kreut të Komitetit Shqiptare të Helsinkit, Vjollca Meçes, ishte fakti se fenomeni i dhunës në familje vijon të mbetet një problem.
"Vrasjet, plagosjet e dhuna në familje vijojnë të jenë në nivele të larta. Lëshimi i urdhrave të mbrojtjes, kryesisht nga dhuna në familje, mbetet shumë shqetësues, me 30% më shumë se një vit më pare", tha Meçe. Sipas raportit, vetëm në Tiranë gjatë muajve janar-tetor të 2014-s janë paraqitur në gjykatë 700 kërkesa për urdhër mbrojtje. Ndërkohë që rastet e humbjes së jetëve njerëzore si pasojë e këtij fenomeni nuk kanë pësuar ulje gjatë vitit 2014.
Ndër politikat kryesore të ndërmarra nga qeveria janë shtrëngimi i dënimeve për dhunesit. Politikat sensibilizuese, të cilat kanë ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të pranuar idenë e denoncimit. Politika sensibilizuese edhe me të rinjtë gjatë orëve të mësimit, përmes takimeve të ndryshme me punonjës të policisë, apo të zyrës së koordinimit të luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore, të cilët u kanë njohur fëmijëve rëndësinë e denoncimeve dhe bashkëpunimit me policinë. Po ashtu jane zhvilluar edhe takime me qytetarë   të ndryshëm, në qarqet më problematike ne vend.
Po ti hedhim një sy statistikave zyrtare rezulton se politikat sensiblizuese kanë rezultuar të suksesshme pasi ka një rritje të ndjeshme të denoncimeve, çka tregon se shoqëria shqiptare po lëviz dhe po kërkon të luftojë fenomenin.
Si luftohet dhuna në familje, cila është rruga ligjore që duhet ndjekur:
Dhuna në familje është krim dhe si i tillë ndëshkohet nga legjislacioni.
Denonconi dhunën në njësinë policore më të afërt. Këtë veprim mund ta kryeni ju, ose një i afërmi juaj nëpërmjet një telefonate në numrin 129, ose duke u drejtuar drejtpërsëdrejti në njësinë policore. Kërkesa juaj për mbrojtje është e mbështetur në Ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006 "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", i cili parashikon masa administrative mbrojtjeje që lëshohen nga gjykata, afati mbrojtës i të cilave arrin nga 15 ditë deri në 1 vit.
Në këtë procedurë është dhe mbështetja e specialistit të policisë, i cili do të përcjellë në gjykatë kërkesën për mbrojtje. Prej këtej i dhunuari merr pjesë në një seancë gjyqësore, ku duhet të jetë i pranishëm dhe për të marrë urdhër mbrojtje, i cili mund të kërkohet edhe nga familjarët. Mos marrja pjesë në seancë mund të çoj në pushimin e çështjes. Sipas ligjit dhe procedurave ligjore, në rast se dhunuesi shkel urdhrin e mbrojtjes, personat e dhunuar duhet te kontaktojnë Policinë pasi kjo përbën vepër penale, sipas neneve 321 dhe nenit 130/a të Kodit Penal.
Nxjerrja e Urdhrit të Mbrojtjes nuk ju pengon kërkesën për procedim penal për dhunuesin. Ndryshimet e bëra në Kodin Penal në mars 2012 dhe qershor 2013, e kanë klasifikuar dhunën në familje si vepër penale më vete, e cila dënohet nga 2 vjet deri në 5 vjet burgim.
/f.n/