Dhuna në familje, Topalli:
Problem i gjithë shoqërisë

Dhuna në familje, Topalli:<br />Problem i gjithë shoqërisë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë sot në Konferencën “Dhuna në familje është krim! Familja pa dhunë-shoqëri në paqe!”, e cila zhvilloi punimet e saj në Tiranë.

Topalli gjatë fjalës së mbajtur u shpreh: “Ka shumë motive, arsye, objektiva që na shtyjnë, na nxisin, na detyrojnë të bëjmë kauzën tonën: të parandalojmë dhe të luftojmë kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje".



"Ka shumë motive, arsye, objektiva që na shtyjnë, na nxisin, na detyrojnë të bëjmë kauzën tonën: të parandalojmë dhe të luftojmë kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje. Por çfarë e bën më të ngutshme, më shtrënguese, më të domosdoshme, më imperativë këtë kauzë, është sepse duhet të shpëtojmë jetën e shumë grave që gjenden ne një rrezik serioz si objekt apo viktima abuzimi apo vrasjeje sa nuk është më vonë.

Nuk jetojmë për fat të keq në një botë ideale ku nuk ka dhunë kundër grave dhe fëmijëve, ku burrat dhe gratë janë të barabartë në respektin reciprok, besim dhe mirëkuptim e ku fëmijët rriten pa dhunë dhe mësohen të zgjidhin konfliktet me ndihmën e fjalëve, e jo të violencës. Porse pothuaj çdo ditë ndeshemi me një akt dhune, që jo rrallë herë shfaqet më rrëqethës se një para tij; Dhuna në familje është forma më e përhapur e abuzimit të gruas në gjithë botën, pavarësisht rajonit, kulturës, etnisë, edukimit, klasës dhe fesë.

Bashkëshortë apo ish bashkëshortë që keqtrajtojnë dhunshëm gratë e tyre, shpesh e më shpesh para syve të fëmijëve; bashkëshortë abuzivë që e çojnë dhunën deri në vrasje; të dashur apo të fejuar, që nuk falin kur refuzohen, kërkojnë hakmarrje deri në marrje jete. Në çfarëdo formë që merr apo paraqitet, dhuna kundër gruas është një dhunë tmerruese, rrëqethëse e të drejtave të njeriut. Ajo është brutale dhe shpesh reflektim vdekjeprurës i pabarazisë që vuajnë një numër i konsiderueshëm i grave.
Si mund të përjetojmë këtë dhunim flagrant të të drejtës për jetën si e drejtë hyjnore dhe njerëzore?!

Si mund të pranojmë këtë kërcënim me dhunë kundër gruas, nënës, motrës, bashkëshortes?! Si mund të pranojmë me qetësi që në shekullin 21 dhuna në familje, ky krim i urryeshëm nuk frenohet, nuk dominohet e nuk i gjendet fundi?

Përgjigja është që nuk mundemi e nuk duhet kurrsesi, ta tolerojmë!

E vërteta është se nuk mund të ketë një barazi reale ndërmjet burrit dhe gruas nëse dhuna e çfarë do lloji vazhdon. Dhe e vërteta është se nuk mund të ketë shfajësim për këtë abuzim – ne nuk mund të injorojmë apo të tolerojmë asnjë formë dhune kundër gruas, po ashtu,
Duhet të jetë një tolerancë zero për dhunën kundër gruas.

Është e kuptueshme që kjo kërkon vullnet për ndryshim, kërkon kontribut, investim në të gjitha format, përfshirë edhe atë financiar.
Është një vullnet, një kontribut, një investim për familjet tona, për fëmijët tanë, për shoqërinë ku duam të jetojmë dhe për të ardhmen e tonë të përbashkët.

Dhuna e çdo forme dhe veçanërisht ajo në familje nuk është më një problem privat; sepse ajo na prek pa përjashtim të gjithëve, është një çështje jetike e shoqërisë dhe e shtetit.
Që të parandalojmë, dhunën, të mbrojmë viktimat, të ndëshkojmë keqbërësit, ka nevojë për investime financiare, sepse në fakt dhuna ka shpenzimet e veta si direkte ashtu dhe indirekte, dhe here herë nuk janë ngarkesa të lehta financiare për komunitetin, shtetin po edhe donatorët vendas apo të huaj.

Por ka gjithashtu edhe një arsye, dhe kjo është një arsye ekonomike me efekte afatgjatë, që shpesh nuk merret në konsideratë kur vlerësohen përfitimet e investimit në parandalimin e dhunës kundër gruas apo dhunës në familje, në rehabilitimin dhe shërbimet për viktimat si edhe në ndëshkimin e dhunuesve.

Shpenzimet për shëndetin, shpenzimet për sektorin e drejtësisë kriminale dhe shpenzimet e shërbimeve sociale janë vetëm minimumi i asaj që duhet matur.

Do të ishte shumë më e dobishme të investoje në reduktimin e dhunës tani për të realizuar kursime të rëndësishme në shpenzimet e kostot për shoqërinë më vonë.
Por të shkojmë më tej – a ka investim që të masë koston njerëzore? Dhimbjen, frikën, traumën psikologjike, problemet shëndetësorë për gjatë gjithë jetës, vuajtjen psikike dhe emocionale te atyre rreth nesh dhe pranë viktimës – përfshirë fëmijët – që bëhen dëshmitarë dhe vuajnë peshën e dhunës? Dhe së fundmi humbjen e jetës?

Dispozitat në fushën e parandalimit, mbrojtjes dhe dënimit duhet të jenë pjesë e një përmirësimi të vazhdueshëm dhe të zbatohen si pjesë e një politike kombëtare gjithëpërfshirëse edhe për nga mënyra e bashkëpunimit të agjencive respektive.

Dhuna kundër gruas kërkon sot, dhe gjithë herën, një qasje të plotë për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave duke u kërkuar të gjithë aktorëve relevantë, që do thotë: shërbimet sociale,policia, mbrojtja e fëmijëve, strehat të bashkëpunojnë. Të kërkohet në kuadër të një politikë kombëtare ngritja e një rrjeti mbrojtjeje dhe sigurie kundrejt viktimave.


Natyrisht dhuna kundër gruas është një manifestim i marrëdhënieve të pushtetit historikisht të pabarabartë ndërmjet gruas dhe burrit. Për të adresuar këto pabarazi historike, shoqëria dhe shteti ka një sërë detyrimesh të përgjithshme për të promovuar barazinë me ligj por nuk ndalet këtu kanë detyrimin të hyjnë në mendje e vetëdijen edhe në zemrën e të gjithë anëtarëve të shoqërisë për të ndryshuar qëndrimet në favor të luftës kundër dhunës.

Është objektiv shumë ambicioz por është e rëndësishme të synojmë dhe të arrijmë ndryshim real dhe të vazhdueshëm.

Duhet të kemi instrumentet funksionues për ndryshim, të tillë që të bëjë tolerancën zero një realitet për qindra dhe mijëra gra që dhunohen.

Parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave dhe ndëshkimi i keqbërësve, veprimi kundrejt çdo forme të dhunës dhe dhënien fund te mosndëshkimit të keqbërësve kërkon veprimin e të gjithë aktorëve për bashkëpunim dhe bashkëveprim.

Shtetet duhet të penalizojnë dhe të procedojnë aktet e dhunës kundër gruas akte që shumë shpesh nuk ndëshkohen. Kjo duhet të shkojë dorë më dorë me veprimtarinë parandaluese që synon të ndryshojë mentalitetet: fushatat sensibilizuese apo përgatitjen e trajnimit adekuat material.

Në fushatat sensibilizuese adoleshentët duhet të jenë grupi prioritar që synohet. Dhuna kundër gruas dhe dhuna në familje kanë një impakt direkt apo indirekt tek fëmijët. Përjetimi i dhunës është dramatike dhe ka ndikim afatgjatë; mbrojtja dhe shërbimet mbështetëse duhet të shkojnë paralelisht edhe për këtë kategori.

Duhen përdorur instrumentet e nevojshëm që qeveritë, shoqëria civile të marrë përsipër përgjegjësitë.


Çdo grua dhe vajzë ka të drejtën të jetojë në një mjedis të lirë nga frika, të lirë nga kërcënimet, të lirë nga rreziku I abuzimit, të lirë nga dhuna.

Dhënia fund e dhunës kundër gruas është një pjesë thelbësore e vetë jetës, riprodhimit të shëndetshëm dhe mirëqenies se shoqërisë.

Unë jam shumë e kënaqur që dëgjova se Ministri i Punës në ditët e ardhshme do të shkojë në Strasburg për të nënshkruar dhe për të firmosur Konventën e Këshillit të Evropës, kundër dhunës në familje dhe kundër dhunës ndaj gruas. Si Kryetare e Parlamentit, ju them me përgjegjësi personale se sapo kjo Konventë të vijë në tavolinën time ajo do të ratifikohet dhe do miratohet menjëherë në Parlament", perfundoi fjalen e saj kryeparlamentarja Jozefina Topalli

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

U kërkua ekstradimi në Korenë e Jugut, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Prokurorisë! Gjermani Stephan Morgenstern mbetet në Shqipëri

U kërkua ekstradimi në Korenë e Jugut, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Prokurorisë! Gjermani Stephan Morgenstern mbetet në Shqipëri