Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në Ditën Kulturore të Arbëreshëve, një aktivitet i zhvilluar në Vatikan. Në një postim në rrjete sociale, ministri thotë se ishte një nder i veçantë për të që të merrte pjesë në këtë aktivitet për të nderuar trashëgiminë arbëreshe. 

Duke renditur disa projekte të reja kulturore, ministri Gonxhja thekson se do të vijojnë që të forcojnë më tej urat e bashkëpunimit, si dhe për të promovuar e rritur më shumë praninë e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Mes këtyre projekteve, thotë Gonxhja, është Qendra Kulturore Shqiptare në Itali, një dozier për arbëreshër në UNESCO dhe krijimi i Muzeut Kombëtar Arbëresh.  

"Në ambientet e Vatikanit, Romë, për të nderuar dhe promovuar trashëgiminë e çmuar Arbëreshe, në Ditën Kulturore të Arbëreshëve, një nismë e Përfaqësisë Shqiptare pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, mes shumë kryebashkiakësh të zonave ku jetojnë komunitetet kryesore arbëresh në Itali, me konsuj, kolegë e ambasadorë, miq, studiues e personalitete akademike. Një nder i veçantë të jemi së bashku për të nderuar dhe promovuar trashëgiminë e çmuar Arbëreshe, një ndër dëshmitë më të forta të rezistencës, identitetit dhe kontributit shqiptar në hapësirën europiane. 

Me projekte të reja kulturore, si Qendra Kulturore Shqiptare në Itali, dosieri për “Motin e Madh të Arbëreshëve” në UNESCO dhe krijimi i Muzeut Kombëtar Arbëresh, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po vijon punën për forcimin e urave të kujtesës, bashkëpunimit dhe së ardhmes për të promovuar kulturën shqiptare dhe për të rritur praninë tonë kulturore në arenën ndërkombëtare. Së bashku në këtë mision fisnik, ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë si pjesë e pandarë e identitetit europian.", shkruan ministri.