3 të rinj janë vënë nën hetim për skenat e dhunës të ndodhura mbrëmë në stadiumin 'Air Albania' gjatë dhe pas ndeshjes Tirana-Vllaznia. Janë proceduar penalisht shtetasit Astrit Frroku, Bledar Kërniqi dhe Egzon Smajlaj. 

Policia e Tiranës thotë se kanë dëmtuar ambiente të stadiumit, ndërkohë që hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të asaj që ka ndodhur.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar gjatë dhe pas ndeshjes Tirana-Vllaznia të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania”, bënë identifikimin, shoqërimin dhe proceduan penalisht shtetasit, të cilët gjatë ndeshjes hodhën flakadanë në fushë dhe pas përfundimit të saj ushtruan veprime të dhunshme, duke dëmtuar stolat e stadiumit.  Nga shërbimet e Policisë u proceduan penalisht shtetasit A. F., 26 vjeç, B. K., 33 vjeç dhe E. S., 26 vjeç, pasi gjatë zhvillimit të ndeshjes kanë kryer veprime të kundërligjshme duke ndezur flakadanë, hedhur lëndë piroteknike në fushë, thyer stola. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë që kanë ushtruar veprime të dhunshme gjatë aktivitetit sportiv. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale", thuhet në njoftimin e policisë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka dështuar mbrëmë në sytë e UEFA-s për sigurinë në stadiumin Air Albania. Ndeshja Tirana-Vllaznia ka degjeneruar në dhunë dhe përplasje mes tifozerive, duke shkatërruar ambientet brenda stadiumit. Teksa pjesa e parë ka përfunduar me rezultatin 0-0, në minutat e pushimit tifozët e Tiranës janë ngjitur në katin e dytë të stadiumit dhe kanë marrë fikëset e zjarrit të vendosura atje dhe kanë sulmuar tifozët e Vllaznisë. Si kundërpërgjigje, tifozët kuqeblu ka thyer stola e xhama për t’i gjuajtur.

Është dashur ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për të vënë situatën në  kontroll. Policia arriti të identifikonte disa prej tifozëve që shkaktuan këto trazira, duke i shoqëruar.