Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka dënuar dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj biznesmenit 53-vjeçar Sokol Toma (ish-drejtor i Urbanistikës në bashki dhe ish-kryetar i PDLezhë).

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ndreu shprehet se akte të tilla të dhunës dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë.

Ndreu ka shkruar gjithashtu se i ka kërkuar drejtuesve vendorë të Policisë që të bëjnë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Një mesazh Ndreu e ka pasur edhe për mediat, duke thënë se informacionet e ndara Sokol Tomës i kanë prerë veshin, janë spekulime.

Toma u dhunua teksa udhëtonte me makinë nga Tirana drejt Lezhës. Persona të maskuar, ende të paidentifikuar i zunë pritë dhe e rrahën në autostradën Laç-Mamurras, pranë kryqëzimit të Sanxhakut.

Ai ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë ku gjendet dhe sot me dëmtime në dy këmbët dhe në njërin vesh.

Më herët  Toma ka qenë zyrtar i bashkisë, madje i dënuar bashkë me ish-kryebashkiakun Fran Frrokajn për tokat në bregdet.

Reagimi i Ndreut:

Aktet e shëmtuara të dhunës janë sinjale negative që dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë. Dënoj me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj një anëtari të komunitetit lezhjan.

Kushdo që e ka menduar, organizuar apo kryer këtë akt duhet ta dijë se ligji, herët a vonë, të gjen dhe të vendos përpara përgjegjësisë. Edhe më të papranueshme janë banalitetet mediatike dhe spekulimet për “prerje veshi”, të cilat vetëm sa shtojnë ankthin dhe disinformojnë opinionin publik.

I kam kërkuar drejtuesve vendorë të policisë të bëjnë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.

Lezha nuk mund dhe nuk do të pajtohet kurrë me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë. Kushdo që perdor gjuhë të dhunshme, duhet të ndalë dhe të reflektojë pasi komunitetit lezhjan nuk ka asnjë lidhje me sjellje banale presioni dhe dhunë që herë pas here shfaqen!