KUCOVË - Policia e Kuçovës shoqëron një të dyshuar me sulmin me grushta dhe sende të forta ndaj 54-vjeçarit Et’hem Velia, i cili ndodhet në spitalin e Beratit. 

Nga hetimet e policisë, edhe vetë Velia rrezikon të vihet nën akuzë për kallëzim të rremë, kur deklaronte se nuk e njihte autorin dhe se e kishin sulmuar tre vetë.

Velia deklaronte se ishte duke shkuar me makinë te krushku i tij kur në lagjen 1 maji e kishin sulmuar me grushta dhe thika.

Sipas policisë, për ngjarjen është shoqëruar Ervin Bilbili, 23 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e ngjarjes ndërsa si shkak ka deklaruar çështjet e nderit.

Sipas të njëjtit deklarim, 54-vjeçari i ngacmonte të ëmën.

Velia vijon të marrë ndihmë mjekësore si pasojë e goditjeve të marra, ndërsa mësohet se gjendja e tij është plotësisht jashtë rrezikut për jetën.


(v.gj/shqiptarja.com)