Dhunohen me buldozer
gërmimet në Butrint

Dhunohen me buldozer<br />gërmimet në Butrint
TIRANE - Pas botimit të fotove për monumentet e lëna në mëshirë të fatit në Forumin Romak pas gërmimeve të arkeologut David Hernandez dhe Dhimitër Çondi, këto ditë ndeshemi me pamje të tjera shqetësuese në Butrint. Për dy ditë me radhë një ekskavator ka punuar gjithë ditën për të mbuluar monumentet e sapogërmuara, të cilat ishin lënë nën ujë dhe në mëshirën e fatit.

Fotot i dërgon për Shqiptarja.com anëtari i Forumit për Mbrojtjen e monumenteve të Kulturës, Auron Tare, i cili komenton se: “Siç shikohet nga fotot ky është një skandal me vete, ku mu në zemrën e Butrintit punohet me ekskavator për të bërë një punë e cila do kohë dhe kujdes për t’u bërë, pasi zona është shumë delikate.

Si mund të punohet me ekskavator në zemrën e Pasurisë Botërore të UNESKOS dhe në një nga vendet më të rëndësishme që ne kemi, një Zot e di, por që në Shqipëri ka marrë fund ccdo standard profesional kjo kuptohet qartë”.

Auron Tare pohon ndër të tjera se “eskavatori ka dy ditë që punon deri në orët e vona të natës për të mbuluar urgjentisht monumentet e lëna në mëshirë të fatit për katër vjet, të cilat kanë dalë nga gërmimet e një ekipi të vogël të Universitetit të Notre Dame dhe kolegut të tyre shqiptar Dhimitër Condi”.

Këto monumente të cilat duhen konservuar dhe më vonë restauruar sipas një plani të përcaktuar mirë kanë vite që rrinë ashtu të ekspozuara duke qenë edhe rrezik për këdo që afrohet pranë tyre. Me sa duket zotërinjtë në fjalë janë trembur nga ekspozimi i këtyre gërmimeve pa standarde profesionale dhe vendosën ta zgjidhin në mënyrë shqiptarçe, me ekskavator.
 
FRASHËRI: GËRMIMET BËHEN JASHTË ÇDO RREGULLOREJE
 
Problemin e gërmimeve që bëhen jashtë çdo rregulloreje dhe profesionalizmi, kohë më parë e kanë ngritur dhjetëra profesionistë, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë nga institucionet. Një reagim të detajuar ka bërë për Shqiptarja.com edhe arkeologu dhe restauruesi Gjergj Frashëri, i cili është shprehur se “Rreziku vjen se gërmimet arkeologjike bëhen jashtë çdo rregulloreje dhe përdoren si eksperimente për qëllime studimore nga Institucionet Arkeologjike dhe Universitetet vendase dhe të huaja.

“Është njësoj sikur  një njeri me shëndet të mirë, të cilin universitetet duan ta operojnë për të parë nga “kurioziteti” organet e brendshme të tij, çfarë ka brenda dhe si duken ato> është shprehur arkeologu i njohur Gjergj Frashëri në një intervistë për “Shqiptarja.com”, ndërsa na ka bërë të ditur se “Një gërmim arkeologjik për qëllime studimore lejohet të kryhet vetëm kur sigurohet konservimi i përhershëm i substancës arkeologjike in situ që do të dalë nga gërmimi, pra kur plotësohen nevojat profesionale, financiare dhe logjistike për ruajtjen dhe mbrojtjen afatgjatë të saj”.

A bëhet kjo në Shqipëri? “Aktualisht bëhet e kundërta. Çdo ekip vendas dhe i huaj që është në gjendje të financojë një gërmim në Shqipëri ia arrin qëllimit. Ai merr rezultatet që do, duke e lënë substancën arkeologjike in situ në mëshirë të fatit”, është shprehur Gjergj Frashëri për “Shqiptarja.com”.
 
TELEFONATA

Auron Tare: Ja si i përligj IMK-ja skandalet në Butrint
 
Papërgjeshmërinë për gërmimet e pafundme në Butrint, baltosjen që lejon pas kësaj të futet edhe ujë dhe agjentët shkatërrues të monumenteve nën tokë, askush nuk po i merr parasysh. Institucioneve shtetërore dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës iu mungon gatishmëria që a priori të mbulohen vatrat e gërmuara si në gjendjen e mëparshme.

Këtë e konfirmon më së miri ky dialog që ka zhvilluar dhe zbardhur për Shqiptarja.com Auron Tare, kur komunikon me ata që merren me mbulimin e vatrave të gërmuara. Tare përpiqet të gjejë se nga vjen kjo papërgjegjshmëri. Ja përgjigjet që merr ai për ato që po ndodhin aktualisht në Butrint:  
 
A. Tare: Alo! Profesor jam tek Muri venecian. Shikoj disa punëtorë që punojnë këtu, po nuk ka asnjë njeri që t’i ndjekë. Është projekt i IMK-së ky?
 
Përgjigjja:
Po është.
 
A. Tare: Punëtorët më thonë që është projekt i një zonje me emrin Valbona po ajo nuk ka ardhur fare.
 
Përgjigjja: A po, e vërtetë ajo është me barrë. Nuk vjen dot, por ka dërguar burrin që ta mbikëqyrë projektin.
 
A. Tare: Po ky burri i IMK-së është?
 
Përgjigjja: Ah jo, por merr vesh, është arkeolog i mirë.
 
A. Tare: Arkeolog?! Kush ky djali që ka punuar në pastrim dikur në Butrint?
 
Përgjigjja: Po cca të them unë. Shkruaje në gazetë nëse do.
 
A. Tare: Profesor, zoti na ruajt nëse shkojmë në spital dhe doktoresha është me barrë kushedi se kush na viziton?
 
Përgjigjja: ....(Telefoni mbyllet)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj