MAT- Një 67-vjeçar është arrestuar në Burrel, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe kërcënuar bashkëshorten e tij.

Policia u njoftua për një konflikt në familje dhe mbërriti në banesën e çiftit, ku ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Gjatë kontrollit në banesë policia gjeti një armë zjarri automatik, dy krehra dhe 55 fishekë, të cilat u sekuestruan.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt familjar në një banesë në qytetin e Burrelit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të shërbimeve të Policisë, situata është neutralizuar dhe është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, duke shmangur një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 67 vjeç, banues në qytetin e Burrelit, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas kishte dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij”, njofton Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë