Tomor Zeqo është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për shkak të torturimit dhe helmimit me fotoksinë të bashkëshortes së tij Mimoza Zeqo. Burri i viktimës ka pranuar autorësinë e krimit duke treguar në gjykatë se ndjente pendesë, dhe se gjithçka e ka kryer pasi ka marë vesh se gruaja e tradhtonte vazhdimisht.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Ura Vajgurore në Berat në 9 gusht 2014.
 
Sipas hetimit, i pandehuri Zeqo, në mesnatën duke u gdhirë data 04.08.2014, ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij, Mimoza dhe e ka detyruar të pijë fostoksinë, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare, me bazë dyshimin e tradhtisë bashkëshortore.
 
Nga veprimet proceduriale, rezulton se i pandehuri e ka detyruar Mimozën të pijë lëndën helmuese rreth orës 02:00 pas mesnate dhe, pavarësisht kërkesave të saj për ta dërguar në spital, ai nuk ka pranuar deri në orën 6 të mëngjesit. Akuza thotë se Zeqo pas kësaj, ka njoftuar të afërm se bashkëshortja e tij është sëmurë, me qëllim për ta dërguar në spital.
 
Sipas njoftimit, rreth orës 7 të mëngjesit të asaj dite, në spital kanë shkuar edhe familjarët e Mimozës, e cila u ka treguar se gjendja e saj ishte pasojë e dhunës fizike dhe fakti që ishte e detyruar të pinte lëndë helmuese nga bashkëshorti. Pas rreth gjysëm orë nga ky rrëfim, rreth orës 07:30 të mëngjesit ajo ka vdekur si pasojë e helmimit.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 janar 2015

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)