TIRANË-Një 54-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dhunoi dhe po kërcënonte me armë zjarri  për t'i vrarë bashkëshorten dhe tre fëmijët. I arrestuari është Osman Memaj banues në fshatin Gurrë të Vogël, të Njësisë Administrative Petrelë, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu sekuestruan dy armë zjarri, tritol, municion luftarak e një thikë.

Sipas policisë, Memaj në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe tre fëmijëve të tyre dhe në momentin e ndërhyrjes pas sinjalizimit, 54-vjeçari u kap me pistoletë në dorë, me fishek në fole gati për qitje duke kërcënuar bashkëshorten dhe tre fëmijët për t’i vrarë.

Ndërkohë që më pas nga efektivët e policisë së komisariatit Nr. 1. në kuadër të operacionit të koduar "Befasia" u kontrollua banesa ku u gjetën armët e zjarrit dhe tritoli. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit O. M., për veprat penale “Dhuna në familje", "Armëmbajtja pa leje", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.