Është liruar nga ambientet e komisaritatit të policisë së Tepelenës, 29 vjeçari A.G, vëllai i njërës prej nxënëseve 13 vjeçare të cilat kanë pretenduar se janë ngacmuar seksualisht nga Kleanth Laçi, mësues i edukimit fizik në shkollën 9 vjeçare të qytetit të Tepelenës.

Mbajtja e tij në komisariat nuk e ka kaluar kufirin e 48 orëve. Prokuroria e Gjirokastrës e ka quajtur të paligjshëm arrestimin e të riut dy ditë më parë pasi u vetë dorëzua në komisariatin e policinë, duke pranuar dhunën e ushtruar ndaj mësuesit 59 vjeçar. Kleanthi Laçi mësuesi i akuzuar për ngacmim seksual dhe i arrestuar, është anëtar i Këshillit Bashkiak te Tepelenës dhe përfaqëson PS.

Mësohet se lirimi i 29 vjeçarit nga dhomat e izolimit është bërë përmes një urdhri të posaçëm prej prokurores Edlira Manelli e cila e ka vlerësuar si të paligjshëm arrestimin e A.G. pasi nuk kishte shkaktuar dëme që mund t'i shkaktonin vdekjen mësuesit Kleanthi Laçi.

Kujtojmë se 29 vjeçari deklaroi në momentin e dorëzimit të tij, se kishte ardhur nga emigracioni vetëm se motra e tij i kishte rrëfyer se Kleanth Laçi e kishte ngacmuar seksualisht.

Ndërkohë ditën e djeshme, policia ka arrestuar 59 vjeçarin Kleanth Laçin ndaj të cilit rëndojnë akuzat për deklarim të rremë dhe për ngacmim seksual ndaj dy nxënëseve. Laçi u pezullua nga puna e tij në shkollën 9 vjeçare të Tepelenës, deri në përfundim të hetimeve. Në prononcimet që kolegët e tij dhanë për mediat, njëra prej mësueseve, u shpreh se nuk besonte që 59 vjeçari ta kishte bërë një gjë të tillë. Ndërsa drejtoresha e shkollës, deklaroi se nuk kishin vënë re asgjë të dyshimtë në sjelljen e Kleanth Laçit kundrejt vajzave që pretendojnë se janë ngacmuar seksualisht.  Gjendja e vajzave raportohet të jetë e mirë ndërsa kanë dhënë dëshminë e tyre për efektivët, në praninë e psikologes.