TIRANË- Në 18 nëntor hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore që parashikojnë dëbimin nga banesa të burrave dhunues.
Por çfarë mendojnë qytetarët për këtë nismë? Report Tv sjell opinionet e tyre.
“Është shumë i rregullt ai vendim. Ai duhet të ishte dhe më parë. Kohë më parë. Se ka shumë gra të dhunuara, fëmijë, nëna. Duhet të ishte marrë më parë ky vendim jo tani.”, shprehet qytetarja.
“Unë mendoj se duhet të ketë ligje më të forta, sepse dëbimi është vetëm një pjesë e cila mund të rikthehet përsëri në dhunë ndaj gruas. Prandaj, shteti duhet të marrë masa dhe të nxjerr ligje ashtu si e ka Bashkimi Evropian.”, tha një qytetar.
“Burri që dhunon gruan duhet ta largosh nga banesa dhe të dënohet me burgim të përjetshëm, mendimi im. Se gruaja nuk dhunohet. Gruaja është e shenjtë dhe gruaja nuk dhunohet.”, tha gruaja.
“Ku do shkoj ky qyqar? Jo, sepse nëse për një moment mund të godasësh gruan nuk është se ti e ke në natyrë këtë punë, kjo ndodh nga stresi nga të tjera. Kështu që do një njohje shumë të thellë kjo punë për t’u vendosur ky ligj”, shprehet burri.
“Nëse e ka bërë për borxh le ta heqin (nga shtëpia), nëse e rreh vazhdimisht. Nëse nuk e rreh vazhdimisht le të rri atje se në rrugë të madhe nuk rrihet”, u shpreh një tjetër qytetare.
Çfarë parashikon ligji? Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga data 18 nëntor 2020. Kështu parashikojnë ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen pas datës 18 nëntor 2020. Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën.
Me ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa.