Me një amendament të veçantë, deputeti i PS Ervin Bushati kërkoi që akciza për këto pije të hiqet, pasi nuk ka patur ndonjë efekt në uljen e konsumit.
Akciza për pijet energjike u vendos në janar të vitit 2014, fillimisht në masën 50 lekë për litër. Por taksa u kundërshtua nga importuesit e pijeve energjike, të cilët argumentuan më pas se akciza ka krijuar deformime në treg. Në Paketën Fiskale të vitit 2015 ndodhi edhe ndryshimi i parë: u ul akciza, nga 50 lekë për litër që ishte fillimisht, në 30 lekë për litër, nivel që vazhdon të jetë në fuqi.
Akciza tek pijet energjike duket të jetë kështu taksa që i ka rezistuar më pak presionit të lobeve, duke qenë se qëndroi në fuqi vetëm për pak vite. Ka qenë këmbëngulja e kreut të Komisionit të Ekonomisë së Financave Erjon Braçe, që në mallrat e akcizës u përfshi edhe pija energjike, që më parë nuk i nënshtrohej regjimit të akcizës.
Por ka qenë vetë Braçe i cili dje mbrojti vendimin e ri nga akuzat e opozitës për klientelizëm. Madje, deputetja e PD Jorida Tabaku u shpreh se vite më parë partia e saj u akuzua padrejtësisht për klientelizëm kur nuk u shpreh dakord për vendosjen e akcizës. Anëtarët e djathtë të Komisionit u kërkuan kolegëve socialistë t’i kërkojnë falje ish-deputetit të PD Ridvan Bode, ish-ministër i Financave në qeverisjen e Berishës. Tabaku dhe Edmond Spaho thanë se PS deshi të falimentojë Boden, ndaj dhe për këtë duhet t’i kërkojë falje. Por nga ana tjetër, Erjon Braçe është përgjigjur se Bode nuk është më gjallë politikisht, pasi e “vrau” vetë PD.

dy.b/shqiptarja.com











