Dhurimi i detit tek shteti grek
hetim të gjithë negociatorëve

TIRANE - Katër vite pas shpalljes si antikushtetuese të marrëveshjes dypalëshe Shqipëri-Greqi për ujërat detare, dhe teksa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati kërkoi tre muaj më parë nga kryeprokurori Adriatik Llalla të hetonte marrëveshjen e detit, Prokuroria nis hetimet për procedurat e ndjekura në arritjen e marrëveshjes si dhe do të marrë në pyetje grupin e firmëtarëve të paktit detar.

Burime për A1Report bëjnë me dije se pas deklarimeve të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati dhe kallëzimit të bërë nga Ministria e Jashtme në Prokurori, është regjistruar procedimi penal dhe kanë nisur hetimet.

Po të njëjtat burime saktësojnë se hetimet për këtë marrëveshje kanë nisur prej 3 javësh. 

Vendimi vjen gati tre muaj pasi gazeta “Shqiptarja.com” ka shkruar rreth veprimeve hetimore të prokurorisë, e cila po shikonte veprimet e kundërligjshme të 11 negociatorëve si Ferit Hoxha, Kristaq Gërveni, Enkelena Mërkuri, Suela Brahimi, Anduel Cauli, Krenar Çauli, Krenar Muço, Ferdinand Berberi, Gazmend Turdiu, Ilir Tepelena, Miranda Zeka dhe Ledia Hysi.

Sipas informacionit të përcjellë në Prokurorinë e Përgjithshme të gjithë këta persona kanë pasur autorizimin nga ministrat e Jashtëm, Mbrojtjes dhe Brendshëm, për të asistuar në bisedime me palën greke, bisedime këto që sollën marrëveshjen famëkeqe të faljes së ujërave detare shqiptar tek pala greke. Lidhur me këtë ngjarje, pritet që prokuroria të thërrasë për tu pyetur dhe 11 negociatorët e paktit detar, mes tyre dhe kundëradmiralin e ushtrisë Shqiptare Kristaq Gërveni.

Personat të cilët pritet të merren në pyetje e më pas nën hetim nëse do të konstatohen shkelje janë si më poshtë:
Ferit Hoxha, ish-Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së 
Gazmend Turdiu, ish-Drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare dhe Konsullore
Ilir Tepelena ish-Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale
Ledia Hysi ish-Drejtore e Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare
Suela Ibrahimi Specialiste në MPJ në çështjet juridike
Enkeleda Mërkuri Specialiste në MPJ në çështjet rajonale
Kristaq Gërveni ish-Komandant i Flotës Detare, ish zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm, ish-atasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO
Miranda Zeka ish-Drejtoresha e Institutit Gjeografik të Ushtrisë
Anduel Cauli Përgjegjësi i sektorit të hartave dixhitale në Ministrinë e Mbrojtjes
Ferdinand Berberi ish-Përgjegjës i sektorit të fotogrametrisë në Ministrinë e Mbrojtjes
Kenar Muço ish-Drejtor i Shërbimeve Operacionale në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin.

Në argumentet e saj Gjykata Kushtetuese e rrëzoi paktin detar pasi sipas gjykatësve kjo marrëveshje dhe firmëtarët e saj nuk kishin marrë plotëfuqinë nga Presidenti i Republikës, asokohe Bamir Topi për të negociuar për interesat shtetërore të Shqipërisë me Greqinë.

Marrëveshja pas propozimeve teknike të firmëtarëve u nënshkrua në 2009 nga dy ministrat e jashtëm ai shqiptar Lulzim Basha dhe i Greqisë Dora Bakojanis, ndërsa 4 vite më vonë pritet që hetimet të nxjerrin përgjegjësit për marrëveshjen antikushtetuese në dëm të Shqipërisë.

Nisin hetimet
Zëra brenda institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se që prej disa kohë kanë nisur verifikimet për të mësuar nëse personat e autorizuar për të marrë pjesë në bisedime kanë shkelur ligjin ose jo. Sipas prokurorisë, ky verifikim është penal duke u bazuar vetëm mbi dokumentacionin që prej disa ditësh është tërhequr nga arkiva e Ministrisë së Jashtme.“Do verifikohet hap pas hapi, për të parë nëse ka shkelje. Bëhet fjalë për një hetim penal të dokumentacionit ku nëse do jetë e nevojshme do thirren për t’u pyetur dhe shtetasit që kanë marrë pjesë në këto bisedime diplomatike.

Fillimisht do shikohet praktika e ndjekur dhe korrespodenca mes palëve”-thanë burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ato shtuan se është ende errët për të nxjerrë konkluzione rreth emrave të fajtorëve në këtë çështje. Në nenin 210 të Kodit Penal, thuhet se “Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet burg”.

Firmat e buzëqeshjes
Pakti Detar me Greqinë u firmos në 2009-n nga Dora Bakojanis dhe Lulzim Basha, dy Ministrat e Jashtëm të atyre viteve në Shqipëri e Greqi. Të dy ministrat para dhe pas momentit të këtij pakti, janë shfaqur të buzëqeshur, duke nënkuptuar se të dyja palët ishin tepër të kënaqura. Mjaft i lumtur në atë kohë shfaqej Lulzim Basha, por pa ditur se kush kishte dalë i humburi dhe i fituari.Opozita e atëhershme e ankimoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se vendi humbte 354.4 km katrorë sipërfaqe ujore prej saj. Në janar 2010 Gjykata e rrëzoi Paktin Detar duke e shpallur antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq/ Ministria e Arsimit pezullon përkohësisht procesin mësimor në 77 shkolla! Ja lista

Moti i keq/ Ministria e Arsimit pezullon përkohësisht procesin mësimor në 77 shkolla! Ja lista