Arrihet marrëveshja mes Realit të Madridit dhe Manchester United për transferimin e mesfushorit të talentuar Angel Di Maria. Akordi mes palëve është arritur për shumën e 70 milionë Eurove.

Argjentinasi do firmosë për 5 vite me një pagë 8 milionë Euro në edicion, ndërsa aventurën e tij te United do ta nisë në gjurmët e legjendave të ‘Djajve të Kuq’ Beckham dhe Ronaldo për peshën e numrit që do të mbajë në shpinë. Di Maria do të veshë kështu fanellën me numrin 7.

E ndërsa për tifozët e United ky është lajmi më i mirë i viteve të fundit, e kundërta ndodh me ‘mbretërorët’, pasi në Madrid sipas anketave të realizuara, 85% e tifozëve kërkonin që Di Maria të qëndronte. Megjithatë, Reali i gëzohet faktit që Di Maria shënon shitjen më të shtrenjtë në historinë e klubit.

Di Maria ndjek rrugën e Ozil duke vazhduar në Premier League, ndërsa Kedira sipas Ancelotit do të qëndrojë. Reali i Madridit nuk ka pranuar që të privohet nga dy futbollistë me peshë në të njëjtën kohë.


d.b/shqiptarja.com