Trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo ka arritur ta rrisë nivelin e lojës së skuadrës londineze që nga koha kur mori përsipër drejtimin e ‘të kaltërve’ pas shkarkimit të Andres Vilas Boashit. Në Ligën e Kampionëve strategu italian arriti të eliminojë Napolin, Benfikën dhe në fund Barcelonën.

“Kur përballesh me Barcelonën, detyrimisht duhet të mbrohesh. Por, kur luan kundër kësaj skuadre në terrenin e saj, atëherë duhesh të mbrohesh në mënyrë të përkryer. Ata janë një skuadër fituese dhe me shumë mjeshtër të futbollit" tha italiani.

"E dinim se do të kishin shumë raste për gol, por jemi përpjekur që ato t’i zvogëlojmë në minimum. Kemi treguar karakter gjatë të gjithë ndeshjes. Këtë kualifikim e kemi arritur me plot meritë dhe falë futbollistëve që luftuan heroikisht në fushë”, ka thënë Di Mateo.

Ndërkaq, sa i përket kartonit të kuq ndaj Xhon Territ, strategu italian është shprehur: “Ai është kapiteni im dhe e respektoj shumë. Ne jemi njerëz dhe gabojmë, por duhet të keni parasysh se nën çfarë presioni është ai me muaj të tërë”.(rb/shqiptarja.com)