Dialog me studiuesit, kur rrezikohej pavarësia e Shqipërisë

Çdo ngjarje e madhe historike, ka një protagonist të madh.

“Kuptova se nuk ishte punë të vazhdoja të përpiqesha të shpëtoja Perandorinë Turke…E ndjeva, se në rrokullimën e përgjithshme që do përfshinte Perandorinë, Shqipëria do të copëtohej e para”.- ka shkruar Ismail Qemali më 15 tetor 1900.

Pavarësia e Shqipërisë e shpallur plot 110 vjet më parë, më 28 nëntor të vitit 1912, është një nga veprat më të mëdha të historisë kombëtare.

Vepër e sakrificave, e gjakut të derdhur, jo vetëm nga shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë “londineze” …., por edhe e atyre që jetojnë përtej në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, e gjetkë.

Është vepër e arbëreshëve të mërguar në vendet të ndryshme të Ballkanit, dhe sidomos e arbëreshëve të Italisë, siç rrëfen akademik, Matteo Mandalà.

“Njihet roli që kanë lozur arbëreshët gjatë gjithë shek. XIX për të sensibilizuar dhe informuar qarqet politike europiane mbi çështjen shqiptare, si dhe për të shtjelluar arsyet që i shtynin ata të mbronin kauzën e kombit shqiptar.

Mospërfillja e historisë kulturore arbëreshe të shek. XVIII gjatë shqyrtimit të origjinës së nacionalizmit shqiptar ka tiparet e një manipulimi të mirëfilltë. Në fakt gjatë shekullit XVIII lind dhe zhvillohet prirja dhe interesi ndaj koncepteve identitet, popull, etni, mbi të cilat do të shartohet më pas ajo që historiani italian Federico Chabod e ka quajtur “ideja e zhvilluar e kombit”. Mohimi i këtij fakti do të na shpinte pashmangshëm në përsëritjen e po atyre interpretimeve të gabuara që ende sot pengojnë kuptimin e drejtë të vetëdijësimit kombëtar të shqiptarëve si dukuri historike.

Të gjithë studiuesit njëzëri deklarojnë se pavarësia e Shqipërisë është një rezultante historike mbarëshqiptare.

Në çdo ngjarje të madhe historike shqiptarët që i thonë bukës bukë, malit mal, e ujit ujë, janë bërë bashkë për të ruajtur trashëgiminë, kulturën, gjuhën dhe pavarësinë e tyre.

Akademik Beqir Meta përshkruan historinë e shqiptarëve që kur bëhet fjalë për çështje të kombit, ata kapërcejnë kufijtë.

Nuk është rastësi që në kuadër të projekteve madhore që ka nisur Akademia e Shkencave e Shqipërisë, historisë t’i ndërrohej emri nga “Historia e Shqipërisë” në “Historia e shqiptarëve”.

“Historia e shqiptarëve nënkupton përfshirjen e të gjitha trojeve shqiptare, por edhe të diasporave shqiptare.”-thotë akademik Beqir Meta

Historiani Meta, pjesë e grupit të punës për historinë, saktëson lidhjen e ngjarjeve të mëdha me botën shqiptaro-arbërore.

Sikur të mos shpallej dot Pavarësia në vitin 1912, ne shqiptarët nuk do të ishim sot këta që jemi. 

Këtë, studiues e personazhe publike e kanë bërë të qartë në dritën e një dialogu të hapur.

“U shpall më 1912-n, u mbrojt e u konfirmua më 1920-n. Pavarësia është baza e arritjeve të mëpasshme shtetërore e kombëtare. Pavarësia u rikonfirmua me fitoren antifashiste; pa Pavarësinë do të ishte i paimagjinueshëm ndryshimi i pozitës së shqiptarëve në tri dekadat e fundme: çlirimi e pavarësimi i Kosovës, integrimi europian i shqiptarëve, roli i tyre në rajon. -tha akademik, Skënder Gjinushi.

“Do do të na duhet të lemë diçka peng nga pavarësia tradicionale, sepse është epoka e interdipendencës, por ne do të fitojmë dinjitet me identitetin tonë të papërsëritshëm, që është pasuri europiane.” -tha Lindita Nikolla kryetare e Kuvendit të Shqipërisë:

“Ne përshëndesim nismat e Akademisë së Shkencave për hartimin e disa veprave themelore në albanologji, sidomos hartimin e një historie kombëtare të gjithëmbarshme të shqiptarëve, që do të ndriçojë qartazi edhe disa nyja të rëndësishme të historisë shtetërore. Kjo histori duhet të ketë karakter integrues dhe duhet të përurojë vlerat më të përveçme të identitetit shqiptar. Le të na nxisin këto vlera për progres më të shpejtë në rrugën tonë europiane; po aq edhe për integrim brenda nesh, për ato çështje bazike që kanë nevojë për konventa kombëtare.”- tha Nikolla.

“Kuvendi Kombëtar i Vlorës, me tiparet e nivelit të përfaqësimit të vendosura, krijoi modelin me të cilin do të duhej të veprohej, sa herë ndër shqiptarë do të kishte zgjedhje përfaqësuesish, qofshin këto për kongrese kombëtare apo parlamente. Ky model u formësua me dy kapilarë bazikë: përfaqësim sa më të plotë kombëtar, pa përjashtuar diasporën, si dhe respektim në nivelin e përfaqësimit të raporteve të besimeve fetare të popullsisë. Model i njëjtë u formësua edhe në krijimin e institucioneve qeverisëse. Shmangia e etiketimit të shtetit shqiptar si një shtet mysliman për shkak të përbërjes së popullsisë, u realizua përmes zbehjes së dimensionit mysliman në përbërjen e qeverisë së Përkohshme të Vlorës, si edhe tejkalimit të diskriminimit strukturor duke i dhënë elementit të krishterë një përfaqësim më të lartë se përqindja që ata kishin në kuadrin e përgjithshëm të popullsisë. Qeveria kishte në përbërjen e saj 9 anëtarë së bashku me kryeministrin, prej të cilëve 5 ishin të besimit mysliman, 4 të atij të krishterë (3 ortodoksë dhe 1 katolik). Në këtë qasje të re shtetformuese dokumentohet edhe ndikimi i Fuqive të Adriatikut në rrethet e larta vendimmarrëse të shqiptarëve.-tha historiania Ledia Dushku.

“Ngjarjet që kulmuan me shpalljen e Pavarësisë, u zhvilluan në kushtet, kur në gjirin e shoqërisë shqiptare kishin ndodhur zhvendosje të mëdha dhe kur në vend të parisë së vjetër feudale e turkoshake, të komprometuar rëndë me regjimin osman, një shtresë e re, e përfaqësuar nga intelektualë me ide liberale e socialdemokrate, kishte dalë në skenën e historisë me ambicien për të udhëhequr popullin shqiptar në luftërat për liri e për shtet kombëtar. Ende shumë gjëra nuk janë thënë. E trishtë të mësosh se pavarësia më shumë se nga jashtë rrezikohej nga vetë shqiptarët”- tha Xhufi.

Hijet e zeza që bien mbi figurën e Esat Pashë Toptanit, nuk janë pjellë e gjuhës së urrejtjes popullore. Ato kapërcejnë meritat e tij. Faktet flasin shumë më tepër.

“Figura më emblematike e parisë së vjetër shqiptare në periudhën e kapërcimit nga shthurja e Perandorisë në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, është padyshim Esad Pashë Toptani. Të shumta janë vlerësimet që i janë bërë atij nga njerëz që e kanë njohur, por që të gjitha janë ekstremisht negative: Esadi ishte njeriu “që nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, por që ua dinte vlerën të gjitha monedhave të Evropës”, shkruan historiania Margaret McMillan. Ishte njeriu i cili “ishte gati të shiste të gjithë vendin, që të mund të sundonte qoftë edhe në një katund të vetëm të tij”, deklaronte Obrei (Aubrey) Herbert. U kthye me turp nga fronti i mbrojtjes së Shkodrës, dhe ndonëse u ftua të bënte pjesë në kabinetin e Ismail Qemalit, bëri gjithçka për të sabotuar bashkimin e të gjitha trevave shqiptare përreth qeverisë kombëtare të Vlorës. Dhe tentoi të krijojë shtetin e tij në Shqipërinë e Mesme, herën e parë, në 1913, me mbështetjen e feudalëve turkoshakë e të Francës; dhe herën e dytë, në 1915, me ndihmën e Serbisë. Marrëveshjet e tij të fshehta me E. Venizellosin e Greqisë, me “kryeministrin” e qeverisë së “Epirit autonom” Zografos dhe me N. Pashiçin e Serbinë, në gusht-shtator 1914, e bënë atë prototipin e politikanit shqiptar, që për të ruajtur pushtetin, nuk heziton të nxjerrë në ankand interesat dhe territoret e atdheut të tij.”-thotë historiani Pëllumb Chufi

Ai theksoi se:

“Përfaqësuesi më i lartë i grupimit të veprimtarëve patriotë ishte Ismail Qemali. Një personalitet që përmblidhte në shkallën sipërore të gjitha tiparet e një lideri të urtë e vizionar. U nda shpejt nga klasa e tij e bejlerëve. Në vitin 1900, konsulli Austro-Hungarez, Petroviç e përshkruante Ismail Qemalin, si një person të ditur e inteligjent, por pa pasuri. Ashtu si vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Said Toptani, Fehmi Zavalani e Shahin Kolonja, ai jetoi me forcën e mendjes, dhe jo me rentë feudale, si pinjollët e tjerë të familjes Vlora. Ndryshe edhe nga Faiku, asnjëherë nuk nënshkruante si “Bej”, edhe pse të tjerët i drejtoheshin me këtë titull për respekt.

Ismail Qemali iu kushtua edukimit e nëpunësisë. Ishte formuar në frymën e “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” të shpallur nga Revolucioni francez, prandaj edhe nuk ngurroi të denonconte pikërisht Francën, vendin e lirive, e cila shtypte egërsisht lirinë dhe popullsitë e kolonive të e veta. Si intelektual me ide liberale, u përfshi në procesin reformues të Perandorisë Osmane, i bindur se kështu, në atë Commonëealth popujsh, shqiptarët do të gjenin hapësirën për të afirmuar kombësinë e tyre të mohuar. Kur e pa se pushteti despotik i sulltanëve nuk u la asnjë shans reformave decentralizuese, preu çdo marrëdhënie me Portën e Lartë, u arratis dhe vendosi t’i përkushtohej kryekëput çështjes shqiptare.”- vijoi ai.

Pavarësia e Shqipërisë në 28 nëntor 1912 dhe Pavarësia e Kosovës në 17 shkurt 2008 janë akte solemne dhe zyrtare që shënuan në kohë të ndryshme lindjen e dy shteteve shqiptare.

Akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në letrën përshëndetëse që dërgoi me rastin e konferencës së 110- vjetorit, deklaroi se Kosova, vend i lirë dhe i përkushtuar për një të ardhme të përbashkët, u bë nga burrat dhe gratë që u frymëzuan pikërisht nga kjo Pavarësi e Shqipërisë, e shpallur këtu e 110 vjet më parë.

“Shqipëria dhe Kosova ende kanë nevojë t’i duan shqiptarët, të mos i braktisin, të mendojnë për të ardhmen e vendit të tyre dhe të ndihen të bashkuar në një mendje, se Shqipëria, kjo Shqipëri që kremton 110-vjetorin e Pavarësisë, është vlerë e përbashkët që i bën shqiptarët!”- u shpreh akademik Mehmet Kraja.

Studiuesi Sabit Syla kujton se shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare.

“Kosova nga Konferenca e Ambasadorëve në shpalljen e Pavarësisë (1913-2008) ka shtjelluar në pesë faza kërkesën e shqiptarëve në Kosovë për liri e pavarësi dhe qëndrimin e faktorit ndërkombëtar karshi tyre: qëndrimi i faktorit ndërkombëtar 1)gjatë vitit 1981; 2)gjatë viteve 90-92, 3)gjatë viteve 95-97, 4)gjatë viteve 98-99 dhe 5) gjatë viteve 2005-2007.”- tha Syla.

“Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe fillimi i krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar, shoqëruar edhe nga shpërbërja e Jugosllavisë, Çekosllovakisë dhe Bashkimit Sovjetik paraqitën një sfidë tepër të rëndë për SHBA-të dhe Europën. Sfida kryesore qëndronte në përcaktimin e prioriteteve kryesore në politikën e jashtme dhe qasja që duhej marrë ndaj zhvillimeve të reja. Bashkimi i Gjermanisë kishte rrezikuar pozitat dominuese të Britanisë së Madhe dhe Francës në Europë.

Për t’u promovuar si një faktor me rëndësi në skenën europiane, Gjermania mbështeti shkëputjen e Kroacisë dhe Sllovenisë nga Jugosllavia. Ndërsa Franca e Britania nuk favorizonin krijimin e shteteve të reja. Ndryshe nga Europa për SHBA Jugosllavia nuk paraqiste më tej ndonjë rëndësi strategjikë sikurse në të kaluarën, ku kishte luajtur rolin e balancuesit midis lindjes dhe perëndimit, por presidenca e SHBA ishte në dijeni të një raporti nga CIA për trazira e dhunë etnike, prandaj për të evituar zhvillime të tilla, diplomacia amerikane u angazhua për “demokraci, dialog, të drejta të njeriut, ekonomi tregu, dhe unitetin.” -tha Syla.

Trazirat dhe dhuna etnike në pragun e mëvetësisë nga ish Jugosllavia trazojnë ende shpirtin e çdo kosovari. 

Syla krahas rolit të faktorëve të diplomacisë ndëkombëtare, e quan të pakundështueshëm rolin er UÇK-së.

Sot do të na duhet të lemë diçka peng nga pavarësia tradicionale, sepse është epoka e globalizmit, por me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, 110 vite më parë, shqiptarët fituan dinjitetin dhe identitetin e tyre të papërsëritshëm, që është edhe pasuri europiane.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë