Dialogu absurd me veten

Dialogu absurd me veten
22 vjet pas rënies së komunizmit dhe pas 16 zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe referendumeve zgjedhjet e vitit 2013 duhej ti jepnin fund praktikës së dialogut me veten. Sali Berisha dhe Edi Rama kanë mbajtur deri tani më shumë se 150 fjalime politike elektorale. Ata flasin për gjithçka dhe për të gjithë. Çdo ditë shfaqen në miting, në konferencë shtypi të improvizuar, në spote televizive, në sheshe takimesh, në skena dialogu në fshat apo lagjet e qyteteve, në FB apo tëitter, - kudo duke përfituar nga pushteti dhe monopoli informativ për të luftuar me çdo mjet e fuqi ndaj kundërshtarit politik.

Në retorikën e tyre gjenden të gjitha temat; ata janë ekspert për gjithçka, - për peshkimin, studentët, shkollën, kopshtet, ekipin e futbollit, veteranët, punësimin, shëndetësinë, hidrocentralet, energjinë, telefoninë, legalizimin, pronarët, biznesin, taksat, ullirin, kanalizimet, planet urbanistike, gjykatat, prokurorinë, diplomacinë, mbrojtjen, etj. Ata komunikojnë çdo ditë me njeri tjetrin indirekt, duke iu përgjigjur çdo deklarate e premtimi të palës tjetër, duke nxjerrë në pah aftësitë e njërit dhe dështimet e tjetrit.

Ata flasin deri edhe për ngjyrën e autobusit të Ramës apo madhësinë e kostumit të Berishës. Stili i fjalës së tyre i vjen përshtat praktikës së tregut të Rrogozhinës: ku gjithçka shitet e blihet, ku të gjithë flasin me zë të lartë dhe ku pakkush e dëgjon njeri tjetrin. Në këtë praktikë abuzive të fjalës dhe vlerës së munguar të dialogut, ata nuk kanë lënë jashtë retorikës elektorale as sulmet personale, familjare, krahinore, deri edhe emrat e bashkëshortëve apo fëmijët, banesën dhe moshën e tyre natyrore. Pra, duket se kemi të bëjmë me një debat frontal, pa kompromis, pa kufij, pa limite, pa frikën e teprimit dhe as riskun e ikjes nga prioritetet elektorale.

Duket paradoksale por publiku votues në mes ka ende paqartësi dhe shumë pak informacion. P.sh kushdo tashmë e di se Rama ka një ngjyrë të preferuar apo se Berisha mban antiplumb, por pakkush e di nëse vërtetë ata janë të gjendje të administrojnë ekonominë shqiptare, të mbajnë premtimin për 250-300 mijë vende të reja pune, të krijojnë institucione të pavarura apo të krijojnë një shans të ri ndryshimi dhe reformimi në sistemin politik shqiptar.

Janë të paktë qytetarët që vërtetë e dinë përse në listën e PD u falën 10 mandate për aleatët dhe 3 socialistë të ngjyrosur blu ndërsa nuk u gjet ndonjë vend për ish të përndjekurit politikë, përse në listën e PD gjenden 22 biznesmenë dhe asnjë sindikalist, përse ca deputetë pa asnjë meritë profesionale e politike vijojnë të bëjnë pjesë në krye të listave preferenciale dhe ca të tjerë politikanë të karrierës vijojnë ta kenë gjithnjë e më të vështirë konkurrencën e munguar politike.

Janë akoma më të paktë qytetarët që kanë informacion se çfarë do të ndodhë me pensionet e tyre, me të afërmit e tyre emigrantë, me pronat e tyre të reja e të vjetra, me vendet e tyre të punës të rrezikuara nga parcelizimi i pushtetit, me taksat e tyre që shkojnë për asfalt elektoral, me zyrtarët e korruptuar që po marrin imunitet politik apo me pritjet e tyre ende pa përgjigje për punësim, kujdes shëndetësor, arsim cilësor apo integrim real në BE.

Hendeku i madh midis asaj që presin qytetarët dhe asaj që ofrojnë liderit politikë tranzicionalë shpreh në thelb hendekun e madh midis demokracisë që ofrohet dhe demokracisë që nevojitet. Në një vend serioz dhe demokratik kandidatët për kryeministër hartojnë programe, japin garanci për realizimin e tyre dhe i ballafaqojnë ato përmes debateve televizive dhe publike. Përmes debatit secili detyrohet të sillet me modesti, të tregohet bindës duke u mbështetur në kapacitete reale dhe të përballet me alternativën e tjetrit. Kjo praktikë perëndimore dhe demokratike është ende e huaj në Shqipëri.

Debati i parë dhe i fundit ndodhi në tetor 2000, kurse prej atëherë liderit tanë komunikojnë me njëri-tjetrin në distancë të largët. Nga Konispoli në Vermosh ata gjejnë kamera televizive për t’i dhënë përgjigje palës tjetër, duke krijuar një formë komunikimi të njëjtë sureal, e njëjtë si e folura e tjetrit me murin apo me veten. Ata nuk dialogojnë, ata improvizojnë dialog dhe në fakt, e fyejnë dialogun deri në atë masë sa të përdorin qytetarët e median si fasadë, si mjet për arritjen e qëllimit të tyre real, - përgjigjes dhe sulmit mediatik ndaj tjetrit.

Debati televiziv nuk është luks dhe as zgjedhje, është detyrim, është qytetari, është përgjegjësi publike, është tregtues lidershipi dhe aftësie për mirëqeverisje. Refuzimi i tij i refuzon praktikisht të gjitha këto cilësi qytetarie dhe demokracie. Ironia e madhe është se ndërsa liderit kryesorë refuzojnë debatin, ata lokalë e zhvillojnë atë prej vitesh, në çdo zgjedhje lokale, në çdo aktivitetet të nxitur nga SHBA, BE ose OSBE.

Pra liderit lokalë shfaqen shumë më tokësorë, më demokratikë, më të kulturuar sesa liderit politikë qendrore, kjo edhe për shkak se të parët në ndryshim nga këta të fundit, kanë një bilanc të prekshëm, kanë problematika të testueshme dhe kanë projekte të verifikueshme. Ne kemi disa politikanë që kanë pranuar dhe pranojnë sfidën e debatit politik e publik, por risia e tyre ka mbetur jetime porsa kohë aktorët kryesorë mbeten refuzues dhe imponojnë skema të panumërta sabotimi, pengimi dhe pamundësimi të dialogut e debatit politik.

Pamundësia e dialogut politik është investimi direkt për mbajtjen gjallë të konfliktit politik, tregues i natyrës së tyre aq përjashtuese sa të mos dëgjojë as mendimin e tjetrit, mesazh se zgjedhjet përjetohen si luftë a vdekje dhe se pala tjetër nuk shihet si alternativë, por si kërcënim për shoqërinë, interesat publike e kombëtare. Ajo shpreh edhe natyrën reale të disa prej liderëve tanë: arrogantë e provincialë, që duan vetëm të flasin jo të dëgjojnë, që duan vetëm të fitojnë jo të krijojnë sistem efektiv gare, që duan vetëm të ushtrojnë pushtet jo të ndajnë përgjegjësi, që duan vetëm të marrin pushtet pavarësisht çmimit moral dhe praktikave elektorale.

Dialogu me veten është monolog bezdisës, është propagandë dhe natyrshëm është tipar që vjen nga shoqëritë komuniste; mentaliteti i asaj kohe se lideri mendon, flet, punon dhe populli dëgjon. Mbajtja gjallë e këtij mentaliteti edhe pas 22 vitesh tregon sesa pak kemi mësuar dhe ndryshuar nga modeli i njeriut të ri uniform dhe agjitator që krijoi PPSH, si dhe sa larg realisht është modeli ynë nga modeli perëndimor, ku duam të bëhemi pjesë. Ndaj sprova e dialogut politik, elektoral dhe post-elektoral, është abc-ja për shpresën e shanseve për një demokraci të shëndoshë dhe funksionale, pika që ndan Shqipërinë e djeshme e të sotme parademokratike me Shqipërinë e viteve të ardhshme realisht demokratike.

Shkrimi u botua sot në gazetë Shqiptarja.com (print) 06.06.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës