Vajza e re e cila me anë të një telefonate alarmoi policinë duke kërkuar ndihmë se nuk e hapte derën e shtëpisë në një pallat në “Astir”, një ditë më parë (9 janar 2025) tronditi opinionin publik.
Sociologu Gëzim Tushi në një intervistë për Report Tv kërkon rritjen e ndërgjegjësimit për edukimin e të rinjve.
“Ka ardhur koha për një këmbanë alarmi. Politika, media, shkolla duhet të ndërgjegjesohen. Familja thotë e ka fajin shkolla dhe anasjelltas”, thotë Tushi për Report Tv.
Kështu ngjarjen tek Astiri e sheh si rast konkret të asaj që fëmijët sot janë nën ndikimin e edukatës së rrugës dhe jo të shkollës.
“Fëmijët e sotshëm i kanë shpëtuar kontrollit të familjes dhe edukimit të shkollës dhe kanë filluar të jenë nën ndikimin e edukatës së rrugës që shkatërrojnë personalitetin e të rinjve. Kemi një shtim të rinjve që janë të dhënë pas konsumit material dhe atij finanaciar. Ne duhet të tregojmë shumë kujdes për ta, sidomos në rrethanat të cilët jetojmë”, shtoi ai.
Ndërkohë lidhur me rastin e Ramazan Metajt në fshatin Dragoc të Shkodrës i cili u ekzekutua me breshëri kallashi brenda në makinë, tha se t'i marrim jetën një njeriu për një lidhje është e papranueshme.
“Situata e kriminalitetit është agravuar. Në shoqërinë shqiptare kanë filluar të përdoren teknika më të stofistifikuara të krimit qoftë në familje dhe jashtë saj. Ky banalitet i krimit është një tumor për ne. Nëse shqiptarët priren të largohen nga këtu një nga arsyet është krimi dhe çmimi i jetës është shumë i ulët. Problemet i zgjidhin nëpërmjet vrasjeve.
Sa i përket rastit të Shkodrës fakti që ne për një lidhje të tillë të supozuar apo reale t’i marrim jetën atij që këtë lidhje kjo është e papranueshme. Këto janë forma mesjetare, vetëm Ballkani vazhdon të ketë këto veprime kaq intensive. Gjërat mund të zgjidhen edhe me gjyq, nëpërmjet divorcit.
Nuk jemi vetëm ne që kemi këto probleme, për shembull edhe në Itali bëhen krime.
Nëse në Europë ka një krim për 100 mijë banorë në Ballkan ka 9 krime për 100 mijë banorë, pra kjo do të thotë se ka 9 vrasje më shumë", tha Tushi.