Presidenti Ilir Meta është shprehur se Shqipëria nuk duhet që të përfshihet në dialogun për zgjidhjen e cështjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se kjo është përgjegjësi e drejtuesve të shtetit të Kosovës që janë zgjedhur. "Shqipëria është nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës e respekton dhe mbështet dhe cështja e dialogut është një përgjegjësi që i takon udhëheqësve të Kosovës që janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat. Cdo ndërhyrje nga Shqipëria do të ishte mungesë respekti për institucionet e pavarura të Kosovës. Nxis drejtuesit e Kosovës për të bashkëpunuar ngushtësisht për të cuar këtë dialog përpara në interesin më të mirë të Kosovës, por edhe të një zgjidhje të qëndrueshme. Do të respektojmë cdo zgjidhje që institucionet e Kosovës do të pranojnë.
Sa i takon marrëdhënies të Shqipërisë me Serbinë, ju e dini që që nga koha kur krimineli i Ballkanit u rrëzua, marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, Shqipëria ka bërë hapa të guximshëm për t'i përmirësuar dhe do të vijojmë pa u lodhur për t'i forcuar duke menduar që kjo ndihmon në klimë pozitive edhe në dialogun Kosovë-Serbi. Por kurrë duke marrë përsipër për të përfaqësuar Kosovën për cështje që ajo i ka në dialog me Serbinë, kjo është përgjegjësi e udhëheqësve të Kosovës" tha Meta.
Ndërsa kreu i shtetit slloven Borut Pahor tha se është i hapur për cdo zgjidhje që do të arrijnë Serbia dhe Kosova, përfshirë rishikimin e kufijve. "Qeveria slloneve është e frenuar, por unë jam shprehur për zgjidhje të krizës në mënyrë paqësore. Pra kam thënë se mund të shihet opsioni i ndryshimit të kufijve por me disa kushte të caktuara. Jam i hapur edhe për këtë variant nëse dy shtetet, e ofrojnë një mundësi të tillë, nëse këtë proces do e menaxhojnë në mënyrë të të mençur në bashkëpunim me BE dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Një akt i tillë i guximshëm duhet të mos çojë në një konflikt dhe me kusht mos ketë efekti domino që mund të cënojë sigurinë e rajonit. Korrektimi i kufijve do të mundësonte njohjen diplomatike, por jo mbi bazë nacionale”." përfundoi ai.
Lajmi kryesor: