PRISHTINË, 11 Dhjetor/ATSH/.- Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo, pati një takim me Anick Van Calster, Ambasadore e Mbretërisë së Belgjikës në Sofje, ku u diskutua për rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm mes Prishtinës dhe Beogradit, që ka pushuar gjatë bllokimit të fundit politik.
Sipas KosovaPress, gjatë takimit ata biseduan për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe bashkëpunimin efikas që ekziston midis KFOR-it, bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve vendore.
Sipas një njoftimi të KFOR-it, ky takim është vazhdimësi e takimeve të ngjashme të mbajtura nga Komandanti i KFOR-it për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj situatës së përgjithshme në Kosovë.
"Diskutimi u fokusua në rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm mes Prishtinës dhe Beogradit që ka pushuar gjatë bllokimit të fundit politik. Përmirësimi i vazhdueshëm i kësaj marrëdhënie do të sigurojë stabilitet të mëtejshëm në rajonin e Ballkanit", thuhet në njoftim.
Forcat e Armatosura belge ishin të pranishme në Kosovë që nga viti 1999 kur trupat e para belge u vendosën si pjesë e misionit të NATO-s. Prania belge ka rënë gradualisht gjatë viteve, por më shumë se 15.000 trupa u vendosën këtu para se ata të tërhiqen në fillim të vitit 2010./m.m/









