'Dialogu' vazhdon pa dialog në Bruksel, Albin Kurti: Serbët refuzuan Deklaratën e Paqes pa e lexuar, kanë bërë gjenocid! Vuçiç: Ai është kthyer në shekullin e XIX

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, zhvilloi sot takimin e dytë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Takimi u mbajt nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Para fillimit të takimit shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se shpreson që ky takim mos të jetë si ai i qershorit, i cili nuk solli asnjë rezultat në marrëdhëniet dypalëshe.

Të forta ishin deklarata pas takimit nga të dyja palët. Kryeministri i Kosovës ka thënë se ka propozuar sërish që të nënshkruhet një Deklaratë e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë por ajo as është lexuar. 

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, ose Deklaratë të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua. Atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar. Kjo tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje pasi u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti për mediat pas takimit.

Në nisje të takimit, Kryeministri i Kosovës ka akuzuar Serbinë për tre gjenocide nga shqiptarëve. Kurti ka theksuar se serbët kanë kryer gjenocidin e parë në vitin 1878 dhe të fundit në 1999 ”., gjë e cila ka sjellë edhe reagimin e Vuçiç, I cili e ka konsideruar Kurtin sit ë shekullit të 19.

“Është veçanërisht interesante që ata nuk donin asgjë tjetër. Ata kushtëzuan me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë tërheqin emra nga toponimet në Serbi , ju mund të besoni se njeriu pas 150 vjetësh flet për këto. Njerëzit në BE nuk besojnë në ato që po dëgjojnë. Burri është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, theksoi Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës tha se gjatë takimit nuk u pranua që të ketë një deklaratë të përbashkët sa i takon çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës dhe theksoi se presidenti serb nuk pranoi që të përfshihej në tekst togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën”.

‘Insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi i BE-së, Josep Borrell, po u refuzua nga presidenti i Serbisë. Unë nuk e kuptoj se përse do të duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara”, tha Kurti.

Pas dy takimeve me tensione palët do të takohen sërish në shtator, për të diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve, normalizim që duket i largët bazuar në situatën e tanishme.

Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve, ndërsa nga SHBA-ja u kanë thënë që ta gjejnë një kompromis

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë finale. Me 4 shtator në Uashington palët janë zotuar për normalizim ekonomik nën ndërmjetësimin e SHBA-ve.

Paralelisht në Bruksel është zhvilluar një takim dhe sot pritet të realizohet i dyti, për arritjen e një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i dialogut ka filluar me 8 mars 2011, pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. Që nga fillimi i këtij procesi, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialog për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Në kuadër të dialogut deri më tani janë arritur rreth 35 marrëveshje, duke përfshirë marrëveshjet e ri negociuara dhe planet e zbatimit.

Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë mbikëqyrës, deri më tani ka miratuar pesë Rezoluta për procesin e dialogut: më 10 mars të vitit 2011, më 18 tetor 2012, më 21 prill 2013, më 15 dhjetor 2018 dhe më 15 mars 2020. Përmes këtyre Rezolutave, përveç mandatimit të Qeverisë për të negociuar në Bruksel me shtetin serb, Kuvendi po ashtu obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për të raportuar në mënyrë të rregullt para Kuvendit për mbarëvajtjen e procesit të dialogut.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:44
Takimi Kurti-Vuçiç, Haradinaj sulmon BE: Pa përfshirjen e SHBA dialogu Kosovës me Serbinë vdes

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reguar pas takimit të Kurtit me Vuçiç në Bruksel i cili është realizuar me ndërmjetësimin e BE. Nëpërmjet një postimi në 'Facebook' Haradinaj shkruan se ky ishte një tjetër takim koti mes Kosovës e Serbisë duke sulmuar kështu Bashkimin Europian.

Sipas Haradinajt, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dialogu mes dy vendeve vdes. Ndër të tjera ish-kryeministri shkruan se nëse SHBA do të përfshirë, dialogu do të ishte në prag të marrëveshjes përfundimtare.

"Edhe një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi.  Secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve!  Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak.  Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin!  Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit", shkruan Haradinaj.

Ora 20:21
Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak: I vështirë, arritëm shumë pak progres

Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presdientit Vuçiç ishte i vështirë pasi vuri në pah çasjet e ndryshme të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve. Lajçak tha se nga takimi u arrit shumë pak progres dhe se rezultati i vetëm që mund të jepte është fakti që do mbahet përsëri një takim tjetër në shtator.

“Takimi u zhvillua vetëm një muaj pas takimit të tyre të parë në kuadër të dialogut këtu në Bruksel. Takimi ishte i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, ne arritëm shumë pak progres sot. U diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë. Për më tepër, të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen përsëri në shtator. Për ne, Bashkimin Evropian, është e rëndësishme të nënvizojmë se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre. Prandaj, ne presim që të dy palët të punojnë së bashku për të kapërcyer të kaluarën dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis tyre”, tha Lajçak.

Ora 19:53
'Ndodhi një herë e një kohë...por kurrë më", Albin Kurti publikon dokumentin e 'pajtimit' që u refuzua nga serbët

1624731833_KosovosPMAlbinKurti.jpg

Pas takimit dhe përplasjeve me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka publikuar dokumentin e quajtur “Deklarata e Paqes” prej gjashtë nenesh, e cila iu propozua por Vuçiç e refuzoi. Kurti e ka postuar në ‘Facebook’ dokumentin, duke thënë se pala serbe problematike e shihnin togfjalëshin “ballafaqimi me të kaluarën” dhe e refuzuan atë.

"Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar dhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto.

Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”.

Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë.

Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike", ka shkruar Kurti.

Ora 17:15
Kurti: Vuçiç refuzoi propozimin për marrëveshje

Në deklaratën e tij të parë pas takimit me presidentin serb Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se atij iu refuzua propozimi për një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se çështje e të pagjeturve është çështje nga e kaluara dhe se nuk e kupton Vuçiç dhe deklaratën e tij, ku theksoi se nuk pranoi që togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën” të përfshihet në zotimin për të bërë gjithçka për të pagjeturit.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje”, tha Kurti.

Ai tha se propozimi i tij në çështjen e zotimit për të pagjeturit u pranua nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që u refuzua nga presidenti serb.

“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalja “ballafaqimi me të kaluarën”. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

“Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri.

Ora 17:14
Vuçiç pas takimit: Jam i shqetësuar, s’e di se çfarë do të bëjmë, Kurti është kthyer në shekullin e 19-të

Përfundon takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Vuçiç në fjalën e tij të parë pas takimit, e konsideroi takimin si jo pozitiv ndërsa theksoi se tregoi se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

 “Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiç.

“Aty ishin tre pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”, vazhdoi presidenti serb.

Ai deklaroi se Serbia pranoi plotësisht dhe pa asnjë vërejtje disa propozime të palës së Kosovës, ndërsa tha se “shqiptarët nuk dëshironin”.

“Është veçanërisht interesante që ata nuk donin asgjë tjetër. Ata kushtëzuan me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë tërheqin emra nga toponimet në Serbi, ju mund të besoni se njeriu pas 150 vjetësh flet për këto”, theksoi Vuçiç.

“Gjithçka na dërgon në të njëjtin drejtim , dikush do ta detyrojë Serbinë të njohë Kosovën”, shtoi ai.

I pyetur nëse pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare, ai u përgjigj:

“Është shumë e vështirë kur flet me njerëz irracionalë. Është shumë e vështirë. Ai thotë se ata nuk e kuptojnë që kishte krime nga të dy palët, ndërsa Serbia e kupton atë”, tha Vuçiç.

Ora 16:18
Bruksel, nis takimi Kurti-Vuçiç

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po zhvillon takimin e dytë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Takimi në Bruksel po mbahet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Para fillimit të takimit shefi I Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se shpreson që ky takim mos të jetë si ai i qershorit, i cili nuk solli asnjë rezultat në marrëdhëniet dypalëshe.

Ashtu si në takimin e parë, Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç.

Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve, ndërsa nga SHBA-ja u kanë thënë që ta gjejnë një kompromis.

Ora 15:52
Borrell para takimit Kurti – Vuçiç: Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin kapitullin e të kaluarës

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak sot ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.

Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ora 13:35
Lajçak zhvilloi takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiç: Një përgatitje përpara bisedimeve zyrtare për dialogun Kosovë-Serbi

Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i BE për dialogun Beograd-Prishtinë ka zhvilluar takime të ndara me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Lajmin e ka bërë me dije Lajçak përmes rrjetit të tij social Twitter nga ku ka ndarë edhe fotografi me dy liderët.

Ai theksoi se këto takime të ndara u zhvilluan si parapërgatitje për takimin zyrtar të dialogut Kosovë-Serbi.

Ora 10:02
Vuçiç niset drejt Brukselit: Nuk është e këndshme të udhëtosh për të biseduar me përfaqësues shqiptarë

"Kurrë nuk është veçanërisht e këndshme të udhëtosh drejt Brukselit për të biseduar me përfaqësues shqiptarë”, këto ishin fjalët e shkruara në faqen zyrtare të Instagramit të presidencës serbe, teksa Aleksander Vuçiç është nisur drejt destinacionit të tij për të realizuar takimin e dytë me Albin Kurtin.

Me një foto të publikuar të presidenti, në postim shkruhet se sidoqoftë vazhdimi i dialogut është i rëndësishëm për Serbinë, duke shtuar se përmes kësaj kanë qëllim të ndihmojnë edhe pakicën serbe në Kosovë.

Një qëllim tjetër sipas tyre është edhe ruajtja e stabilitetit, i cili është thelbësor për përparimin ekonomik në të gjithë Serbinë.

Në fund të postimin, Aleksander Vuçiç duke kujtuar kohët që ishte student thekson se përgatitja është e njëjtë për takimet e vështira.

“Dorëzimi nuk është një opsion”, shprehet në fund.

Postimi i plotë i Presidencës serbe:

Kurrë nuk është veçanërisht e këndshme të udhëtosh ose të qëndrosh në Bruksel kur je duke biseduar me përfaqësues shqiptarë. Sidoqoftë, është e rëndësishme për Serbinë sepse duke vepruar kështu, ne po ndihmojmë njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi, duke ruajtur paqen dhe stabilitetin, të cilat janë të një rëndësie thelbësore për përparimin ekonomik të të gjithë Serbisë. Në avion, si në kohën kur isha student, azhurnoj materialin dhe përgatitem për takime të vështira. Dorëzimi nuk është një opsion!

J.GJ./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar