Diana Çuli: “Dreri i trotuareve”
shkak tragjedia e gjimnazistes

Diana Çuli: “Dreri i trotuareve”<br />shkak tragjedia e gjimnazistes
TIRANE - Rikthehet “Dreri i trotuareve”. Ky roman vazhdon të ribotohet prej më se 25 vjetësh. I krijuar në presionin e fortë të metodës së realizmit socialist,i mbetur prej shumë vitesh sirtarëve të redaksisë, romani i shkrimtares Diana Çuli mbetet ende mister, se pse ai është romani më i lexuar në letrat shqipe! Autorja rrëfen ribotimin e fundit, duke na zbuluar misterin që fshihet pas velit të personazheve të romanit.

Romani i Diana Çulit shënon fillimin e ciklit të romaneve me temë nga jeta e përditshme shqiptare, “Dhe nata u nda në mes” dhe “Diell në mesnatë”. Disa nga personazhet e njohur të romanit “Dreri i trotuareve” vazhdojnë të jetojnë dhe të veprojnë në veprat e mëpasme. Si është takuar në jetë shkrimtarja me personazhet.

Diana Çuli rrëfen për “Shqiptarja.com” se farë përfaqëson personazhi i romanit të saj të suksesshëm. Cilët ishin në të vërtetë drerët e trotuareve të asaj kohe. A ka qenë emancipimi i gruas real në komunizëm. Duke folur për dramat e personazheve të saj, Diana Çuli komenton edhe sesi i sheh ajo si shkrimtare, si politikane, si nënë e grua marrëdhëniet e sotme të dashurisë...

Ribotimi i “Drerit të trotuareve”, erdhi si kërkesë e tregut, apo ju keni bërë ndryshime në variantin e ribotuar?
-Romani im “Dreri i trotuareve” botohet vazhdimisht prej më shumë se 25 vjetësh. Shtëpia botuese TOENA, e cila ka të drejtën e botimit, mund t’ua thotë më mirë arsyet sesa unë, përse romani ribotohet. Mendoj se ribotimet janë tregues të jetës së gjatë të librit, të dëshirës së lexuesve për ta pasur në dorë. Është një fat i librit tim që lexuesit e brezave të ndryshëm vazhdojnë ta lexojnë dhe kjo më shkakton veç kënaqësi.

Ka pasur një personazh real, një figurë të njohur të asaj kohe, ose ndonjë përfaqësues tipik të një shtrese të caktuar që ju çoi ju te “Dreri” i trotuareve. Cilët ishin në të vërtetë drerët e trotuareve të asaj kohe?
-Letërsia, sipas meje, nuk ka përse të pasqyrojë një njeri të veçantë, përveçse kur shkruan biografinë letrare të një njeriu me emër e mbiemër të vërtetë. Padyshim, që në libër kam pasur parasysh të rinjtë e Tiranës të viteve ’70 – ’80. Ishte një rini e shkëlqyer, e kulturuar, tepër evropiane, me shumë ëndrra dhe shumë energji, të cilat shtypeshin dhe vriteshin në atmosferën e rëndë të kohës. Ishte rinia që asokohe ndiqte zhvillimet ne Europë përmes RAI-t, që mësonte gjuhë të huaja në mënyrë autodidakte, që lexonte pa fund.

“Drerët” e atëhershëm ishin djemtë dhe vajzat e gjimnazeve, të universiteteve që endeshin muzgjeve në bulevarde, po edhe në male dhe fshatra ku i dërgonin, duke u përpjekur të kuptonin dhe të përballonin kontradiktat e periudhës që përjetonin. Ajo rini vazhdoi të punonte dhe të kalonte të gjitha fazat e vështira të periudhave të rënies së regjimit, që solli demokracinë dhe që kontribuoi paprerë në ringjalljen e Shqipërisë demokratike duke marrë barrë të mëdha mbi supe, sot e kësaj dite.

Emancipimi i gruas a ka qenë real në komunizëm. Çfarë krahasimi do bënit me emancipimin e sotshëm të gruas?
-Emancipimi ka një kuptim tepër të gjerë dhe të ndërlikuar. Në atë kohë mund të them se gratë dhe vajzat kishin të drejta të barabarta në shkollim, në punësim, në socializim, në drejtim, por nga ana tjetër vuanin mungesën e të drejtave të njeriut dhe rreziqet e diktaturës, si dhe burrat e djemtë. Gjithashtu, ky lloj përparimi shoqëror që e shkëputi shumë gruan shqiptare nga epoka e rëndë e patriarkalizmit, nuk e çliroi atë nga paragjykimet brenda familjes, nga skllavërimi në familje dhe shumë mentalitete të tjera në jetën e përditshme.

Nëse i referohemi përsëri romanit, fati i Verës është shumë më i rëndë se i Fredit, ndonëse të dy ishin universitarë dhe banonin në kryeqytet e jo në ndonjë fshat me kushte paragjykuese shumë më të vështira. Përse? Sepse shoqëria, në një rast fëmije të paligjshëm dënonte – dhe dënon dhe sot - vajzën dhe jo djalin. Vdekja e saj është më tepër simbolike për situatën e vajzave në një shoqëri si jona. Për sa i përket nivelit të emancipimit të grave dhe vajzave sot, mund të them se kjo nuk varet sa e emancipuar është një vajzë apo një grua, po sa e emancipuar është shoqëria për t’i pranuar ato si qytetare të kategorisë A dhe jo B. Mendoj se ende shoqëria shqiptare ka shumë rrugë për të bërë në këtë drejtim.

Romani u publikua me moton e një qëndrimi kritikues për të rinjtë “liberalë” të kohës, qe ishte edhe skema e realizmit socialist. Megjithatë të rinjtë e pëlqyen romanin tuaj për të kundërtën. Kujtoj se shumë të rinj në atë kohë kanë krijuar simpati për personazhet e “kritikuar”. Ke prishur skemën. Ke pasur probleme me censurën e kohës?
-Unë mendoj se nuk i “kritikoj” të rinjtë e romanit tim, përkundrazi, duket se i dua shumë, ndryshe nuk do t’i donit edhe juve. Ishte mënyra e tërthortë për t’i drejtuar lexuesve një mesazh dhe besoj se ky mesazh u kap përnjëherësh. Ishte mjeti i shkrimtarëve të atyre viteve për t’u shprehur përmes rreshtave, ngjarjeve, mesazheve. Nuk mund të them se librin e pengoi censura – ai u vonua shumë vjet në sirtarët e redaksive, derisa dikush e mori guximin dhe e firmosi. Por, në gjysmën e dytë të viteve ’80 kur më në fund libri mundi të botohej, ekzistonte lehtësisht një klimë më tolerante nga ana e redaktorëve.

Ne roman, gjithashtu, ka dhe mjaft drama vajzash, si abortet ilegale që çonin deri në tragjedi. Si i ke njohur ne atë kohë problemet e tyre. Ka pasur një histori tipike që të ka prekur dhe emocionuar?
-Në ato vite vdisnin shumë vajza për shkak të aborteve ilegale, që kryheshin në kushte të tmerrshme. Vajzat pranonin më mirë t’i nënshtroheshin rrezikut të vdekjes sesa të “turpëronin” familjet e tyre. Më kujtohet njëherë, duke shkuar në shkollë, në gjimnazin “Qemal Stafa” , para këmbëve të mija dhe të shoqeve të mija, në trotuarin e Rrugës së Durrësit, ra përdhe e u copëtua një vajzë që u hodh nga dritarja e katit të pestë. Të tronditura, më vonë morëm vesh se kishte qenë shtatzanë dhe i dashuri nuk pranonte të martohej me të.

Shumë gra të tjera, nëna me disa fëmijë, vdisnin nga abortet e kryera si në Mesjetë, fshehurazi. Sepse regjimi kohës ishte pro-natalist, donte popullsi të madhe, dhe e ndëshkonte me burgim atë që ushtronte abortin. Padyshim që as nuk i binte ndër mend për jetën e grave dhe të vajzave që pretendonte se i emanciponte. Kjo ishte një nga atmosferat e kohës, që ndoshta, pas shumë vitesh, më shtynë të përpunoja këtë linjtë të subjektit të “Drerit”.

Nëse sot do të përshkruaje “Drerin modern” të trotuareve, çfarë do t’i hiqje apo do t’i shtoje këtij personazhi
-Sot nuk ka arsye që vajzat të vetësakrifikohen. Aborti nuk është ilegal – ne shoqatat e grave propozuam dhe u përpoqëm shumë në vitin 1996 që ligji i Të Drejtave të Riprodhimit – ku hyn dhe e drejta e abortit, të aprovohej në parlament. Sepse gruaja duhet të ketë të drejtën mbi trupin e saj, si një nga të drejtat e njeriut, edhe pse shumë rryma fetare dhe pronataliste e kundërshtojnë. Sot, do të përshkruaja një vajzë që mund t’i jepte jetës së vet zgjidhje shumë më të pranueshme dhe më optimiste.

Sa vjeç ishit kur realizuat një roman te përmasave të mëdha. Duket sikur në atë kohë mungonte romancierja femër...
-Mendoj se e kam filluar ta shkruaj librin kur isha 29-30 vjeç. Duhet të kem kaluar nja dy vjet duke e shkruar. Në atë kohë nuk është e vërtetë se mungonin romancieret. Para meje kishin shkruar prozatore e romanciere mjaft të shquara si Elena Kadare, Lavdie Leka, Eglantina Mandia, Dhurata Bozdo, poete si Natasha Lako...Unë eca në rrugën e hapur prej tyre dhe u jam mirënjohëse për shembullin e guximshëm që dhanë në një epokë letrare shumë “mashkullore”, për talentin, për magjinë që sollën me librat e tyre në letërsinë shqipe.

Si shkrimtare, politikane, si nënë e si grua, si i sheh marrëdhëniet e sotme të dashurisë. Fakti që aborti është lejuar, a e bën femrën më pak viktime se kohën kur shkrove romanin?
-Dashuria është gjithnjë e ndërlikuar, e vështirë, sidomos kur je i ri/ e re dhe e përjeton me pasion. Të duket sikur bota do të shuhet po humbe njeriun që dashuron. Me kalimin e viteve e kupton se është krejt ndryshe, por këtë nuk mund ta mendosh në një moshë të re.

Sot dashuria, sidomos në qytete nuk ka pse të shkaktojë aq vuajtje sa shkaktonte në një brez të mëparshëm, ka më hapësirë, më shuam rrugëdalje. Ndërsa, për sa i përket abortit, sot ka mjete që të ndihmojnë të mos përfundosh tek aborti, që gjithsesi është i pakëshillueshëm për dëmin që i sjell trupit të gruas dhe traumën që lë pas. Ka kontraceptivë e të tjera gjëra, që e bëjnë dashurinë më të lehtë, më të çlirët dhe më të gëzuar e pa strese.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 07.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmi Izraelit ndaj Iranit, Blinken refuzon të përgjigjet nëse SHBA kishte dijeni: Ne nuk ishim të përfshirë

Sulmi Izraelit ndaj Iranit, Blinken refuzon të përgjigjet nëse SHBA kishte dijeni: Ne nuk ishim të përfshirë