Diaspora shqiptare është e ndërlidhur me procesin e “pjekurisë” së migrimit. Në raport me të, për Shqipërinë e periudhës kohore të fundit, mund të identifikojmë tri faza të migracionit: vala e migrantëve para vitit 1944; diasporën më të vonshme të atyre, që u larguan gjatë viteve 1945–1990 dhe që përkon kryesisht me shqiptarët në ish-Jugosllavi; valën e madhe të migrimit pas rënies së komunizmit, pas vitit 1990.
Në vitin 1989, rreth 19.5% e popullatës i përkiste grup-moshës 15–24 vjeç. Izolimi politik i regjimit komunist dhe ideja e lirisë në Perëndim, u personifikuan si ide të lirisë së lëvizjes dhe migrimin drejt shteteve fqinje, kryesisht në Itali dhe Greqi. Lëvizja jashtë vendit shihej si një investim për të ardhmen dhe për një jetë më të mirë.
Shqipëria u bë vendi me fluksin më të madh të migrimit në Evropë, sipas matjes së raportit mes migrantëve dhe popullsisë. Kjo fazë e migrimit mund të ndahet në disa periudha: periudha 1991–1992, e cila ishte tërësisht e pakontrolluar, kur përafërsisht 300 000 shqiptarë braktisën vendin; periudha e viteve 1992–1996, kur po aq migruan, kryesisht ilegalisht, përkundër përmirësimeve të përkohshme të ekonomisë dhe kontrollit më të mirë kufitar; periudha 1996–1997, menjëherë pas krizës së rënies së skemave piramidale të kursimeve të një numri të konsiderueshëm njerëzish. Shqipëria u zhyt në anarki dhe shumë të tjerë u shpërngulën nga frika e dhuna; periudha pas vendosjes së lëvizjes së lirë të njerëzve ku ata mund të lëviznin lirisht vetëm me pasaportën shqiptare.
Gjatë dekadës së parë së tranzicionit u shfaq një mungesë e kontrollit qeveritar mbi migrimin. Në fillim të viteve 2000, përafërsisht 25% e popullatës së përgjithshme, apo mbi 35% e fuqisë punëtore, kishte emigruar.
Faktorët
Njerëzit migrojnë kur në vendin e tyre mungojnë burimet dhe mundësitë për të përmbushur nevojat dhe aspiratat e tyre. Termi “Për një jetë më të mirë” përfshin disa faktorë të cilët i detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi. Kjo është e reflektuar në mungesën e njëtrajtshmërisë ndërmjet migrantëve shqiptarë.
Faktorët kryesorë janë kryesisht: Faktori ekonomik: shqiptarët janë larguar kryesisht për arsye ekonomike, siç janë mungesa e mundësive të punësimit apo kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht në disa zona ku mungojnë kushtet elementare si energjia elektrike, uji dhe strehimi; Siguria publike: Shqipëria është përballur me flukse masive emigratore si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë publike apo trazirave në vend. Një numër i madh i personash të kualifikuar, me kushte të mira ekonomike, janë larguar nga vendi për një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjen e tyre.
Kjo dukuri ka ndodhur veçanërisht pas trazirave të vitit 1997 dhe u shoqërua me një valë tjetër largimi. Po kështu, institucionet e dobëta çojnë në mungesën e besimit te qytetarët për përmirësimin e situatës në vend, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore. Një rast i veçantë, janë largimet për shkak të traditës së “gjakmarrjes”, të cilat kanë një ngarkesë sociale dhe kulturore të veçantë në zonat veriore të vendit.
Largimet
Arsyet e largimit kanë ndryshuar peshën me kalimin e kohës. Në një studim i cili tregon arsyet e largimit nga Shqipëria në vitin 2017, sipas INSTAT-it, vlerësohen në pesë kategori faktorët e largimit nga vendi. Ndër faktorët kryesorë në kushtet e lëvizjes së lirë në hapësirën e Bashkimit Evropian mundësia për të punuar jashtë vendit zë vendin e parë (në rastet e individëve të cilët kanë qenë të punësuar edhe në Shqipëri 84%), pastaj vjen faktori familjar (4.6%), i cili ndiqet nga faktori i papunësisë si pamundësi (4.2%), mundësitë e studimit (3.5%) dhe faktorë të tjerë (3.6%).
Fqinjët
Në përzgjedhjen e shtetit mikpritës faktor kryesor për migracionin e ri shqiptar ishte afërsia gjeografike, kulturore dhe gjuhësore. Fqinjët si Greqia dhe Italia ishin destinacionet kryesore gjatë periudhës së viteve 1992–1995. Vendet e lartpërmendura janë parapëlqyer edhe për shkak të mundësive të pakta për të zbatuar një projekt të kushtueshëm migrimi. Parapëlqimi i migrantëve shqiptarë për shtetet e tjera të Evropës Perëndimore, apo SHBA-së u kufizuan për shkak të gjendjes ekonomike dhe politikave të migrimit në këto vende.
Njëzet vite pas rënies së komunizmit vlerësohej se përafërsisht 1,44 milionë shqiptarë, respektivisht 45 % e popullsisë prej 3,2 milionë që aktualisht jetojnë në Shqipëri, kishin migruar dhe jetonin jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali. Qeveria e Shqipërisë vlerësonte që në vitin 2005 në Greqi jetonin 600 000 shqiptarë, ndërsa në Itali 250 000 (ndonëse burimet italiane pretendonin se gjendeshin rreth 400 000 shqiptarë
Lëvizshmëria e migrantëve që udhëtojnë shpesh mes vendlindjes dhe vendeve mikpritëse është normalizuar për shkak të procesit rregullues (të statusit juridik) në Itali dhe Greqi dhe lëvizjes së lirë pa viza. Ky proces ka krijuar diasporën shqiptare në këto vende e cila fokusohet në stabilizimin e statusit social dhe juridik në vendet mikpritëse për brezin pasardhës.
Lajmi kryesor: