Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj dy punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas njoftimit zyrtar, masat janë vendosur në kuadër të një procedimi penal të vitit 2026, që lidhet me ngjarjen e ndodhur më 10 mars 2026 në qytetin e Bulqizës, kur kanë mbetur të plagosur rëndë tre persona.

AMP njofton se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se dy efektivët, me inicialet D. S., dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në përputhje me ligjin, lidhur me rastin.

Njoftimi i AMP: 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës - Dibër) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 dhe 233 të Kodit të Pr. Penale, ndaj dy punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban, pranë DVP Dibër.

Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë DVP Dibër.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, në lidhje me ngjarjen e datës 10.03.2026 në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë 3 shtetas. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.