Dibër, Idrizi: Marrëveshja me
PS është zbatuar vetëm 1%

Dibër, Idrizi: Marrëveshja me<br />PS është zbatuar vetëm 1%
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me strukturat dhe me të rinjtë që i janë bashkuar PDIU-së në Dibër. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputetët Mesila Doda e Aqif Rakipi, kryetari i PDIU-së Dibër, Olti Cani, kryetarja e Forumit të Gruas në PDIU Dibër, Inva Trupi.
 
Gjatë këtij takimi një pjesë e mirë e të rinjve në panel shprehën qartë mbështetjen për forcën politike që ata përfaqësojnë. Secili prej tyre prezantoi vetveten dhe fushën në të cilën ata kanë përfunduar studimet brenda dhe jashtë vendit për ekonomi, inxhinieri, shkenca politike, etj, ku nëpërmjet programit të PDIU-së ata kanë mundësi të japin ndihmesën jo vetëm për qarkun e Dibrës, por për krejt vendin.

Këta të rinj, të cilët treguan edhe arsyet pse i janë bashkuar PDIU-së në Dibër, vunë theksin tek kauzat dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve shqiptarë kudo që janë, si dhe me këmbëngulje çdo ditë po japin kontributin, që brenda programit të përfshihen jo vetëm projektet se si mund të zhvillohet Qarku i Dibrës, por edhe në fushën e arsimit, mbrojtjes së kulturës, gjuhës, etj… 
 
Për të gjithë skeptikët se përse rezultati i PDIU-së, në zgjedhjet e fundit për Kryetar Bashkie në Dibër ishte i shkëlqyer, të rinjtë treguan para qytetarëve dibranë se arsyeja që i janë bashkuar PDIU-së, është se kjo parti, ndryshe nga forcat e tjera politike, i pranoi ata pa kushte dhe u dha mundësinë që të hedhin idetë e një programi për zhvillimin e Dibrës. Sipas tyre PDIU tashmë shtrihet në të gjithë qarkun e Dibrës, me struktura të mirorganizuara.
 
Në këtë takim Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se do lobohet dhe do t’i bëhet presion qeverisë për të bërë realitet rrugën e “Arbërit”.
 
Ne e dimë shumë mirë që padrejtësitë ekonomike i kanë rrudhur shqiptarët. Ne do të bëjmë gjithçka, do të lobojmë, do të bëjmë presion, do të ngrihemi në Parlamentin e Shqipërisë  dhe do mbështesim çdo qeveri e cila do ta bëjë realitet rrugën e “Arbërit”. Jo thjesht dhe vetëm si retorikë politike dhe jo thjesht si detyrim karshi mbështetjes tuaj, por po e përsëris prap, nuk mund të ndodhë që pas 25 vitesh demokraci, 25% e Shqipërisë të jetë jashtë dhe e pa integruar me pjesën tjetër të vendit. Këtë turp mund ta bëjë vetëm politika shqiptare. Prandaj i duam bijtë dhe bijat tuaja, që rrugën e “Arbërit” ta kthejmë në një realitet të prekshëm për të gjithë ju. Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet ju e keni parë që etiketohet vazhdimisht, edhe këtu në Dibër. E dini pse? Jo thjesht dhe vetëm puthadorët e Athinës apo të Beogradit, por e dinë shumë mirë që duan të godasin shqiptarinë. E kemi theksuar gjithmonë jemi parti e interesit kombëtar dhe interesit të qytetarëve” - tha kryetari i PDIU-së.
 
Gjithashtu z.Idrizi tha se marrëveshja me mazhorancën është zbatuar në vetëm 1% të saj dhe sipas tij, PDIU do të mbajë përgjegjësi për vetëm 1%.
 
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet  ka mbështetur reformat e mëdha por nuk ka qënë asnjëherë pjesë e pushtetit. Çfarë dua të them me këtë? Në të gjithë Shqipërinë marrëveshja jonë me mazhorancën është zbatuar vetëm 1% dhe ne mbajmë përgjegjësi për këtë mazhorancë dhe qeverisjen vetëm 1%, por mbajmë përgjegjësi 100% për mbështetjen tuaj dhe për t’i kthyer deputetët tuaj në interes të Dibrës. Ne kemi filluar të bëjmë një program të madh. Djem dhe vajza të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, po jetësojnë programin e PDIU-së, i cili nuk është dhe nuk do dallohet vetëm për vokacionin e tij kombëtarist, por mbi të gjitha pët qytetarin shqiptar, për interesin ekonomik dhe për interesat që do e zhvillojnë këtë vend”- u shpreh Shpëtim Idrizi.
 
Kryetari i PDIU-së ripërsëriti apelin për dy partitë e madha, për një pakt kombëtar për reformën në drejtësi dhe integrimin në BE.
Ne kemi vetëm një atdhe, nuk kemi atdhe tjetër dhe atdheu jonë, forca jonë fillon nga Dibra”, - u shpreh z.Idrizi para strukturave dhe të rinjve në Dibër.
 
Deputetja Mesila Doda, përveçse bëri apel për ndërtimin e rrugës së Arbërit, theksoi se shqiptarët e Iliridës duhet të kërkojnë të drejta të plota.
 
Porosia ime e fundit për rrugën e “Arbrit” është kjo: Mos pranoni më asnjë pushtetar e vendimarrës kryeministra, ministra, a këdo në Dibër po nuk filloi rrugën e Arbrit. I keni dhënë besimin ata ju detyrohen të mbajnë premtimin.

Dy fjalë për një krahinë që më rrin fort në zemër, është vendi përkarshi, Ilirida.

Krahinë e moçme shqiptare që edhe emrin sot ja kemi harruar dhe dikush i thotë Maqedoni e dikush Fyrom. Ne e ripërsërisim ILIRIDA. Po ja them këtu nga krahu shqiptar i kufirit, por mos dyshoni që do e them shumë shpejt edhe ne krahun përballë. Nuk do ketë Ivanov, Gruevsk apo ndonjë antishqiptar tjetër që ta ndryjnë jetën e shqiptarve tanë në ato treva dhe ta kthejnë në Palestinën e Europës. Shqiptarët e Iliridës duhet të kërkojnë të drejta të plota. Nëse Zaev tërhiqet a nëse presidenti që firmosi fundin e shtetit të vet nuk jep dorheqjen, urgjentisht të mblidhet tryeza e forcave politike mbarëshqiptare e të ndihmojnë që ILirida të mbajë referndumin për mëvetësinë. Ky shtet pa asnjë kuptim nuk e gjen dor arsyen e vet të egzistencës në dhunimin dhe mosrespektin e shqiptarëve të Tetovës, Shkupit, Gostivarit, Ohrit e Strugës. Ajo është zemra e ILiridës dhe ne bashkë jemi një komb, Një qëndrim dhe kemi vetëm Një Atdhe…Shqipërinë nga Preveza në Mollë të Kuqe, Shqipërinë e 4 vilajeteve, Shqipërinë e 8 milionë shqiptarëve”
, - tha Mesila Doda në takimin me strukturat dhe të rinjtë në Dibër.
 
Ndërsa deputeti Aqif Rakipi tha se PDIU është parti e halleve dhe problemeve që kanë qytetarët.
 
Nuk jemi parti e interesave, jemi parti e njerëzve të thjeshtë, jemi parti e halleve dhe problemeve që ka populli. Ne do të jemi përherë pranë jush”, - u shpreh deputeti Aqif Rakipi.
 
Ndërsa ajo që i dha zemër sallës ishte 20-vjeçarja Reme Lala, e cila u shpreh para të rinjëve të PDIU-së në Diber se politika nuk u kujtua asnjëherë për Dibrën. "Erdhën lloj e lloj, morën votat e dibranëve, veshën kostumin e deputetit dhe Dibrës i sollën vetëm përçarje dhe fukarallëk. Ndaj PDIU është sot oda e çdo dibrani. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka brenda saj njerëz me vlera të vërteta të dibranit
". 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Shtëpia është e Zotit, mikut… por dhe e medalsjellësit

Shtëpia është e Zotit, mikut… por dhe e medalsjellësit