Policia e Dibrës arrestoi sot një 43-vjeçar nga Tirana, i cili dyshohet se kishte kultivuar 300 bimë kanabis në një zonë të pyllëzuar të fshatit Guri i Zi dhe i ruante ato i armatosur.
Në pranga ra Lulzim Marku, i cili sipas policisë u kap në flagrancë me një pushkë pranë parcelës ku ishin mbjellë bimët e dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Gjatë operacionit u sekuestrua arma e zjarrit bashkë me 6 fishekë, ndërsa bimët narkotike u asgjësuan.
Për të njëjtin rast ka nisur procedim penal në gjendje të lirë edhe ndaj H. Sh., kryetar i fshatit Guri i Zi, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë
"Kishte kultivuar 300 bimë narkotike kanabis në një zonë të pyllëzuar dhe i ruante i armatosur, falë veprimeve të mirëorganizuara policore kapet dhe vihet në pranga autori.
Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën ruante parcelën dhe asgjësohen 300 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional për parandalimin dhe goditjen, që në fazë fillestare, të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me strukturat e DVP Dibër dhe Forcën e Posaçme "Shqiponja", bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas nga Tirana, i cili kultivonte bimë narkotike në fshatin Guri i Zi dhe i ruante ato i armatosur, kanë organizuar punën për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Guri i Zi, Bashkia Dibër, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin L. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap me armë zjarri (pushkë), në ambientin ku kishte kultivuar 300 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Arma e zjarrit (pushkë), së bashku me 6 fishekë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të bimëve të dyshuara narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. Sh., me detyrë kryetar i fshatit Guri i Zi, i dyshuar për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Operacioni antikanabis vijon. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme."
Komente







