DIBËR - Një 21-vjeçar i identifikuar si Korab Visha është vënë në prangat e policisë pasi plagosi aksidentalisht një 15-vjeçar në fshatin Ceren. I mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë (me njërën nga të cilat dyshohet se ka plagosur 15-vjeçarin), si dhe një sasi municioni luftarak. Policia gjeti të fshehura në mal, 2 armët e zjarrit (kallashnikov dhe pushkë).
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit 21 vjeçarit, banues në fshatin Ceren, Dibër, për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për një tjetër bashkëmoshatar të tij, A. L., 21 vjeç, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.

Komente








