TIRANE - Sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe bredh janë demtuar nga flakët të cilat kanë depërtuar në thellësi të një masivi pyjor në komunën e Lurës në Dibër. Pregj Lura është një nga zonat më të demtuara ku më shumë se 50 hektar janë gllabëruar nga flakët prej 4 ditësh. Kamera e A1 Report depërtoi dje pasdite në një nga vatrat e zjarrit të riaktivizuara si pasojë e erërave të forta në majën e malit Bakullinë duke vijuar më pas në pjesën pas Bakullinës në fushën e Titores, ku vazhdojnë ende në drejtim të Qaf Lurës.

Ndonëse dy toga të forcave të ushtrisë punonin për të stabilizuar situatën, është e pamundur dhe flakët kanë vënë nën pushtetin e tyre masivin pyjor të Pregj Lurës një masiv ky tërësisht i vështirë për t’u kontrolluar ndërkohë që një ndërhyrje nga ajri do të evitonte përfundimisht dëmet e mëtejshme pasi terreni tepër i vështire e bën të pamundur vënien nën kontroll të situatës.

Kamera e A1 Report që ka ndjekur nga afër punën e forcave të ushtrisë vëren se pavarësisht përkushtimit për të normalizuar situatën, është e pamundur pasi flakët favorizohen nga era, dhe terrenit shumë të vështirë për të ndërhyrë. “Një pjesë e mirë e tyre kanë dy ditë që nuk kanë vënë gjumë në sy”- raporton Daniel Shehu, korrespondenti i tvA1 Report dhe Shqiptarja.com nga Dibra, i cili dje pasdite ndoqi nga afër situatën e zjarreve.

Ai vëren se megjithë situatën e krijuar ajo që të bën përshtypje është indiferenca e banorëve të fshatit ndaj situatës së krijuar . E vetmja shpresë tashmë mbeten reshjet e shiut që sipas Shërbimit Sinoptik priten të bien gjatë ditëve në vijim .

Nje problem tjeter shqetesues eshte dhe zhdukja e kafshëve të këtij masivi pyjor si ujku, lepuri dhe në mënyrë të veçantë ajo e gjelit të egër, një shpend ky i rradhë që rritet vetëm në këtë zonë tashmë të pushtuar nga flakët.

(sg/shqiptarja.com)