TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi ka shpërthyer në akuza, duke kërkuar që Prokuroria të jetë më serioze në këtë luftë dhe që roli i Policisë Gjyqësore të mos neglizhohet.

Numri një i Policisë reagoi ashpër para ekspertëve shqiptarë e të huaj, në një aktivitet të organizuar në zyrat nga BE.

“Çfarë e ka penguar Prokurorinë të hetojë gjyqtarët? Po funksionarët e lartë?. Thelbi i problemit kundër korrupsionit qëndron te hetimet e paplota e te mungesa e eficencës së Policisë Gjyqësore, që është një bizhu të Prokurorisë”, mësphet të ketë thënë Didi brenda takimit.

“Unë ngrita problemin e forcimit të rolit të Policisë Gjyqësore, sepse shpesh shikojmë që përdoret termi Polici Gjyqësore duke e trajtuar si një element të veçantë të sistemit të drejtësisë apo të sistemit të hetimit, ndërkohë që aktualisht e praktikisht ky element funksionon në varësi të plotë të Prokurorisë. Gjë që e bën atë një strukturë jo fort eficente. Unë trajtova problemin në këtë këndvështrim, pasi po shikojmë se lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë në nivelet e larta të funksionarëve të shtetit dhe te të zgjedhurit vendorë, u evidentua se s’ka rezultate të dukshme. Ngrita problemin e mungesës së hetimeve të mirëfillta, pasi s’mund të ketë gjyqtarë aq të paskrupullt, që s’mund të kenë frikë nga ligji, në qoftë se akuza do jetë e argumentuar me prova të plota. Por ka boshllëqe në hetime dhe në akuzë, nga ku gjyqtarët pastaj gjejnë mundësinë të luajnë brenda këtyre hapësirave”, u shpreh Didi.

Sipas tij, përveç këtyre boshllëqeve dhe nevojës për një Prokurori intensive në hetime, pozicioni i Policisë Gjyqësore duhet ndryshuar me ligj. Pra duke ndërhyrë në Kodin e Procedurës Penale, por edhe në ligjin për Policinë Gjyqësore që vlerësohet shumë e rëndësishme. 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)