Didi: Nuk kalon kufirin kush
nuk i ka paguar gjobat e makinës

TIRANE- Nëse shoferët nuk paguajnë gjobat dhe tentojnë të kalojnë kufirin, nuk do të lejohen nga policia kufitare. Sakaq, nga sot, pra nga data 1 dhjetor gjobat e automjeteve nuk do të paguhen më në sportelet e Inspektoriatit Rrugor, por vetëm në banka dhe përmes postës. Burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit thanë se urdhëri është firmosur së fundmi nga Drejtori i Përgjithshëm Artan Didi, ku parashikohet edhe mbikëqyrja ndaj policëve kufitarë për zbatimin rigoroz të këtij vendimi.

Një reagim pati edhe nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili konfirmoi urdhrin e kryepolicit Didi. Këto masa të fundit, bëjnë pjesë në planin e përgjithshëm që ka hartuar prej javësh Policia e Shtetit në kuadër të reformimit të sistemit kontrollues të qarkullimit rrugor e ndërgjegjësimin e qytetarëve në disipliminin e zbatimit të ligjit, ku në ditët në vijim është planifikuar vendosja e nxënësve pranë punonjësit të policisë rrugore, teksa po shihet edhe mundësia e mosfutjes për kualidim e mjeteve që kanw gjoba pa paguar.

Urdhëri i Didit
Përmes këtij urdhri më të fundit nga kryepolici shqiptar, detyrohen drejtuesit e mjeteve që të paguajnë gjobat e automjeteve, vetëm në dy mënyra, për të shmangur kontaktin e policëve të qarkullimit me pagesat me lekë në dorë nga shoferët, duke u prerë në këtë mënyrë mundësinë për korrupsion. Në urdhrin e Didit thuhet se “Për të gjitha arkëtimet me vlerë mbi 100 mijë lekë njësitë shpenzuese në vartësi të Policisë së Shtetit duhet të operojnë përmes sistemit bankar ose shërbimit postar. Në asnjë rast njësitë shpenzuese nuk do të bëjnë arkëtime në arkat e tyre”. Një tjetër urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është ai për gjobat e papaguara nga drejtuesit e automjeteve. Përmes 6 pikave të këtij urdhëri, Didi detyron pagimin e gjobave që iu ka kaluar afati ligjor nga drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë jashtë vendit.

Në rast të kundërt, asnjë prej tyre nuk do të lejohet të kalojë kufirin. “Në pikat e kalimit kufitar të verifikohen të gjitha mjetet dhe drejtuesit e tyre që dalin nga Republika e Shqipërisë, për detyrime të pashlyera ndaj Policisë së Shtetit, gjoba të vendosura dhe për të cilat ka kaluar afati i parashikuar në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, thotë pika 1 e urdhërit të drejtorit Didi. Verifikimi do të bëhet përmes sistemit E-gjoba. Pas verifikimeve të kryera sipas proçedurave standarte për daljen e shtetasve dhe automjeteve, drejtuesit e mjeteve të konstatuar debitorë do të paguajnë detyrimet e pashlyera ndaj Policisë së Shtetit për të vazhduar udhëtimin jashtë vendit, vijon më tej udhëzimi i drejtorit të përgjithshëm të policisë për të gjitha pikat e kalimit kufitar. Vetëm pasi debitorët të kenë paraqitur faturat bankare përkatese për shlyerjen e detyrimeve të verifikuara nga sistemi E-gjoba, punonjësit e policisë kufitare dhe migracionit do të lejojnë kalimin e tyre jashtë vendit. Kjo masë nga drejtori i përgjithshëm i policisë merret për të rritur arkëtimet e gjobave të drejtuesve të automjeteve.

Risitë në policinë rrugore
Prej një viti, në linkun http://ëëë.asp.gov.al/index.php?option=com_content&vieë=article&id=1889%3Akontroll-per-gjoba, mund të verifikohet online nëse ke gjoba për të paguar, ndërsa për çdo shqetësim apo ankesë qytetarët mund të komunikojnë dhe në adresat e-mail: [email protected]. Duke klikuar në linkun e parë qytetari lidhet automatikisht me sistemin Elektronik të administrimit të kundravajtjeve rrugore- Egjoba të Policisë së Shtetit dhe bën të mundur verifikimin e detyrimeve të pashlyera që ka. Policia u kujton qytetarëve se pagesa e kundravajtjes rrugore duhet të bëhet brenda 5 ditëve nga dita kur merr formë të prerë, pasi me kalimin e këtij afati paguhet një kamatë vonesë prej 2 për qind në ditë.

Ndërkohë në rast se pagesa e kundravajtjes rrugore do të kryhet brenda 5 ditëve, automatikisht bëhet një zbritje në vlerën e saj prej 20 për qind. Rinovimi i të dhënave në sistem për pagesat e kundravajtjeve rrugore të kryera pranë Postës Shqiptare realizohet brenda 3 ditësh. Ndërkohë për pagesat e kryera nëpërmjet bankave, rinovimi i të dhënave kryhet në momentin që realizohet transferta nga Banka. Ndërkaq, pak ditë më parë Policia Rrugore ka riaktivizuar teknologjinë “Skaut”, e cila fotografon targat e automjeteve dhe konstaton shkeljet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore Ervin Hoxha, ka theksuar se vijojnë aksionet e të tijve për kapjen e shkelësve të ligjit.

Qëkur u ashpërsuan masat për shoferët e dehur dhe pa patentë, rreth 200 persona me të tilla shkelje janë vënë në pranga, ndonëse të gjithë janë liruar nga gjykatat. Policia Rrugore, ka pësuar një transformim këto javë, me aksionet e saj dhe emërimet e reja, ku në Tiranë ka ardhur shef Dritan Bonaj, ndërsa që në ditët e para të ardhjes në detyrë, ministri Tahiri vendosi ta shkrinte komisariatin e policisë rrugore të Tiranës, pasi konstatoi shkelje e korrupsion.

Debatet në Europë për gjobat dhe burgosjet
Ministria e Brendshme, përveç shoferëve të dehur, ka në tagër edhe drejtuesit pa patentë dhe bazuar në nenin 291 të Kodit Penal, oficerët kanë ndjekur procedurat strikte, duke burgosur të dehurit dhe ata pa patentë, për t’ua lënë në dorë gjykatave, pasi parashikohet nga gjobë deri në 6 muaj burg. Por saktësisht në këtë pikë ndërhyn raporti “Eurocare”, “Drinking and Driving in Europe”, i përgatirur nga Peter Anderson, i cili thotë se “Ka pak dëshmi se dënimet me burg apo me gjoba, kanë efekt të veçantë parandalues për shkelësit që aktualisht vuajnë dënimet. Megjithatë sanksionet me burg, janë mjet motivues për gjykatat.”

Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)