Për herë të parë në historinë parlamentare të Shqipërisë, ligjvënësve u foli një ministre virtuale. Diella, në “fjalën” e parë që mbajti në Kuvend, deklaroi se është kushtetuese. Duke iu “përgjigjur” akuzave të opozitës për antikushtetueshmëri, Diella “tha” se Kuvendi nuk flet për “mish apo për gjak” por për detyra, përgjegjësi dhe transparencë nga të gjithë. Kështu, sipas Diellës, opozita nuk duhet që ta gjykojë për “origjinën” por për funksionon që ajo ka ndërmarrë.

“Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve. Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.

Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.”, tha Diella.

Sipas Diellës, qëllimi është përkushtimi në shërbim të qytetarëve, në mënyrë të paanshme dhe me transparëncë, ashtu sikurse e kërkon edhe demoracia. Një gjë kërkon nga opozitarët që të mbajnë parasysh, që mund të mos jetë njeri, por është kushtetuese, sepse do t’u shërbejë atyre njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan atë dhe duan që të trajtohen në praktikë siç e parashikon ajo. Diella shton se do të jetë një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030.

“Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?

Historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: “Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.” Megjithatë sot, askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.”, përfundoi Diella.

Sqarimet se si do të jetë prania e Diellës në Kuvend, i sqaroi kryeministri Edi Rama, i cili me dekret presidencial ka marrë edhe përgjegjesinë për finksionimin e ministers së parë virtuale në botë.

"Unë jam i keq ardhur për kundërshtinë ndaj Dielles si anëtare e kabinetit të ri qeveritar dhe për keqkuptimet e mëdha lidhur me rolin dhe me pritshmërinë prej saj dhe duke qenë se Diella është e integruar në dekretin e presidentit si pjesë përgjegjësie e imja dhe për rrjedhojë duke qenë se koha e fjalës time është e vetmja kohë kur Diella mund t’i drejtohet kuvendit, atëherë para se të vazhdoj më tej me programin e qeverise së re kërkoj nga shërbimi i Kuvendit t’ia japë fjalën Diellës", tha Rama. 

Por si do të funksionojë ministrja e krijuar me Inteligjencë Artificiale?

Ajo do të mbështetet nga një akselarator me emrin AI 4,” Albanian Inovation 4” i cili do ketë lirinë e plotë të operojë me një rol të ri brenda administratës, plot fuqi në veprim, shembje të pengesave burokratike, adoptim me detyrim përcaktim të inteligjencës artificiale në çdo hap dhe në çdo fushë. Akseleratori AI 4 do të bashkojë talentet më të mira shqiptare brenda vendit duke tërhequr njëkohësisht shqiptarë në diasporë, por edhe të huaj që kanë dëshirë të hyjnë në konstelacionin e Diellës. Do të përqendrojë një masë kritike talentesh tek problemet më të vështira të Shqipërisë, sfida që zakonisht nuk i frymëzojnë startup-et por që janë kyç për përparimin kombëtar. Do të ndërtojë kompani që mund të krijojnë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për shtetin si aksioner dhe të motivojnë më shumë shqiptarë që të nisin sipërmarrjet e tyre duke krijuar një cikël auto gjenerues inovacioni", shpjegoi Rama. 

Mes kaosit të opozitës që ndërpreu parakohe seancën, pa e përfunduar dot shpjegimin për të gjitha funksionalitetet e Diellës, kryeministri sqaroi në përfundim të saj në një postim në rrjetet sociale, se “brenda vitit të parë të legjislaturës, Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë

 

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?