TIRANË- Programi qeverisës ‘Rama 4’ dhe kabineti i ri u votuan me 82 vota pro në Kuvend, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, e cila nuk e lejoi kryeministrin Edi Rama të mbajë fjalën. Fjalën e tij, Rama, e nisi, që në krye të saj, me një paralajmërim ndaj opozitës.

"Do të keni të gjithë vëmendjen tonë nëse do të harroni përdorimin e trupit dhe të zhurmës dhe të rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërt prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. Mbajeni parasysh këtë", tha Rama. 

Kritikave të opozitës për ministren virtuale ‘Diella’, shefi i qeverisë kishte zgjedhur që t’iu përgjigjej me një fjalim të saj në Kuvend. “Nuk jam antikushtetuese”, u tha ministrja virtuale deputetëve të opozitës. 

Por, sapo nisi të transmetohet nga monitorët e sallës fjala e ministres së parë virtuale në botë, opozita nisi aksionin me në krye Gazmend Bardhin e Klevis Balliun.

Këtu, erdhi paralajmërimi i dytë nga Rama.

“Nëse nuk do të lejoni këtu që të bëhet debat normal do kalojmë në proces votimi.  Edhe njëherë iu kërkoj të vazhdoj fjalën, nëse nuk doni të kaloj në votim.”, tha Rama.

Ndërhyrja e kreut të grupit parlamentar Taulant Balla, ndali seancën për 5 minuta.

"Nëse nuk reflektohet mbi këtë kërkesë, dhe këtë parashikim, ne do të kalojmë në votim", tha Balla. 

Rikthimi në seancë për të vijuar prezantimin e programit qeverisës, ngriti opozitën në foltore e largoi kryeministrin prej saj. Paralajmërimet u kthyen në fakt. 

Në mbyllje të seancës që nuk zgjati as 25 minuta, Gardës iu desh të veprojë për të frenuar sendet që deputetët e opozitës nisën të hedhin drejt qeverisë e vetë kreut të Kuvendit. Ndaj ministrave fluturuan librat e rregullores së Kuvendit dhe një shishe lënë në foltore nga Rama.

Reagimi i mëtejshëm i PS-së është kërkesa drejtuar Komisionit të Etikës për përjashtimin nga seancat plenare të Gazment Bardhit, i cili qëlloi me shishe uji në drejtim të Ramës, dhe Fidel Krekës, i cili hodhi rregulloren e Kuvendit në drejtim të Peleshit. Mbledhja do të zhvillohet në orën 10:00.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Bardhi letër misionit diplomatik në Shqipëri: Situatë e paprecedentë ajo që ndodhi në Parlament, Rama ka plan për të na provokuar

1758206853_gazmentbardhi.jpg

Partia Demokratike ka informuar misionin diplomatik në Shqipëri në lidhje me situatën e krijuar sot në Parlament, ku programi i qeverisë u votua për 25 minuta pa debat për shkak se opozita pengoi fjalën e Kryeministrit Edi Rama.

Letra dërguar misionit diplomatik në vendin tonë mban firmën e kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi.

Në letrën e tij, Bardhi e konsideron të paprecedentë ngjarjen që ndodhi sot në parlament.

Për herë të parë në 35 vite, thotë Bardhi, u shkel në mënyrë flagrante Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.

Sipas demokratit, ngjarja tregoi se Kryeministri Edi Rama ka një plan për të provokuar opozitën.

Letra e Gazment Bardhi dërguar trupit diplomatik në Shqipëri:

Të nderuar Shkëlqësi,

Ju drejtohemi me këtë letër për të sjellë në vëmendjen tuaj situatën e paprecedentë që ndodhi sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, e thirrur për miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar, në të cilën ju ishit të ftuar si pjesëmarrës.

Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, u shkel në mënyrë flagrante Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike.

Përmes veprimeve antikushtetuese dhe në shkelje të rregullave të brendshme të Kuvendit, të ndërmarra nga Kryetari i Kuvendit dhe lideri i mazhorancës parlamentare, u pengua në mënyrë të qëllimshme debati politik i përfaqësuesve të qytetarëve, duke dëmtuar rëndë demokracinë parlamentare dhe bashkëjetesën politike brenda institucioneve legjitime të demokracisë.

Si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë në Kuvend, ne e ndjekim me shqetësim erozionin e autoritetit të institucionit më të lartë të vendimmarrjes, Kuvendit të Shqipërisë, dhe përpjekjen për ta shndërruar atë në një shtrirje të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar plotësisht kontrollin parlamentar mbi mazhorancën dhe ligjet që paraqiten për shqyrtim dhe miratim.

Dinamikat e ngjarjeve të sotme tregojnë qartë një plan të orkestruar nga Kryeministri Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare.

Përmes këtyre veprimeve të paprecedenta, në shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe duke anuluar parimet kushtetuese, deputetëve të opozitës iu mohua qëllimisht e drejta për një debat politik të thelluar dhe konstruktiv mbi programin qeveritar dhe kabinetin.

Po ashtu, ne shprehim shqetësim për veprimin e rëndë të Kryeministrit Rama ndaj përfaqësuesve të lartë të korpusit diplomatik të akredituar në vendin tonë, të cilët morën pjesë në këtë seancë solemne, me rëndësi të veçantë për fillimin e çdo legjislature të re.

Në dritën e delegjitimimit të kësaj seance plenare dhe në mbrojtje të kushtetueshmërisë së procesit, deputetët e opozitës në Kuvend kërkuan që solemniteti i kësaj seance plenare të respektohej. Sipas nenit 97 të Kushtetutës, dhe në përputhje me nenin 110, pika 2 e Rregullores së Kuvendit, deputetët e opozitës kërkuan disa herë nga Kryetari i Kuvendit që t’i lejohej Kryeministrit të vazhdonte fjalimin e tij, pasi ky u ndërpre në mënyrë të paprecedentë për të paraqitur një mesazh video të inskenuar nga e ashtuquajtura "Ministria e Inteligjencës Artificiale Diella".

Në të gjithë historinë e pluralizmit parlamentar shqiptar, fjalimi i Kryeministrit gjatë seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të kabinetit të qeverisë nuk është ndërprerë për asnjë arsye.

Për më tepër, Kryetari i Kuvendit, në shkelje të nenit 48, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, nuk i drejtoi thirrje zotit Edi Rama në cilësinë e tij si deputet për ta thirrur kur ai largohej nga substanca e çështjes, pra prezantimi, përmes inskenimit të një mesazhi video nga një karakter virtual, në një kohë kur ai duhej të vazhdonte pa ndërprerje prezantimin e programit politik.

Në këtë kontekst, përgjigjia e paprecedentë e Kryetarit të Kuvendit dhe shkeljet e rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit krijuan një precedent të rrezikshëm për këtë legjislaturë të re, duke krijuar standarde të dyfishta në dhënien e të drejtave procedurale.

Zoti Peleshi dy herë radhazi i dha të drejtën procedurale Kryetarit të grupit të mazhorancës parlamentare, ndërsa ia mohoi këtë të drejtë, të parashikuar në nenin 49 të Rregullores së Kuvendit, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Kështu, në mënyrë antikushtetuese, Kryetari i Kuvendit miratoi një rend politik që vinte nga Kryetari i grupit të mazhorancës, duke mbyllur seancën plenare me miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar pa debat politik, në shkelje të nenit 97 të Kushtetutës dhe në shkelje të rënda të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit.

Mohoi e drejta për debat parlamentar, shkeljet e përsëritura të ligjit themeltar të vendit dhe shkeljet e rregullave të brendshme të Kuvendit demonstrojnë qartazi një përpjekje të qëllimshme për të minuar rendin kushtetues dhe për të uzurpuar autoritetin legjitim të institucioneve demokratike të vendit.

Në këtë situatë të paprecedentë, ne shprehim shqetësimin tonë për minimin e jetës parlamentare, mohimin e të drejtës kushtetuese të deputetëve për debat politik dhe, mbi të gjitha, për mosrespektimin e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë, duke tentuar shuarjen totale të trupit më të lartë përfaqësues të vullnetit të tyre politik.

Ne shprehim me shqetësim të thellë erozionin e vazhdueshëm të rolit të Kuvendit si institucioni më i lartë vendimmarrës në Shqipëri.

Ngjarjet e sotme demonstruan një plan të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare dhe për ta shndërruar Kuvendin në një vazhdimësi të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar kontrollin parlamentar mbi mazhorancën dhe ligjet që paraqiten për shqyrtim dhe miratim.

Prandaj, ne e shohim si detyrë të informojmë komunitetin diplomatik të akredituar në Tiranë për këto zhvillime të rënda, që rrezikojnë seriozisht demokracinë parlamentare dhe rendin kushtetues në Shqipëri.

 

Ora 14:50
Kaosi në Kuvend/ PS kërkon i Komisionit të Etikës marrjen e masave disiplinore për Gazment Bardhin e Fidel Krekën

Pas incidenteve në seancën e sotme plenare, e cila zgjati vetëm 25 minuta, Partia Socialiste ka kërkuar që të mblidhet Komisioni i Etikës në Parlament.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi hodhi një shishe ujë dhe rregulloren e Kuvendit në drejtim të Ramës, ndërsa edhe deputeti i sapozgjedhur Fidel Kreka hodhi rregulloren drejt kryeministrit.

Nisur nga kjo, Partia Socialiste ka kërkuar mbledhjen e Komisionit të Etikë dhe marrjen e masës disiplinore ndaj Gazment Bardhit dhe Fidel Krekës.

Kërkesa e plotë e PS: 

Seanca plenare e datës 18 shtator 2025 e Kuvendit të Shqipërisë me rend dite, miratimin e programit politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, përbën një nga momentet më të rëndësishme të legjislaturës.

Kjo seancë përbën aktin e parë institucional që përcakton drejtimin politik dhe përbërjen ekzekutive. të qeverisjes së re. Në këtë kuptim, rëndësia e kësaj seance është e veçantë dhe kërkon nga çdo deputet respektim të plotë të detyrimeve parlamentare dhe një sjellje të përputhshme me standardet e dinjitetit dhe përgjegjësisë institucionale.

Referuar rendit të ditës fjalën e mori Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, për prezantimin e programit politik. Gjatë kohës që Kryeministri ishte në foltore për fjalën e tij, deputetët e opozitës filluan që përmes zhurmave, thirrjeve, rënies me dorë të tavolinave dhe duke u ngritur në këmbë, penguan fjalën që Kryeministri po mbante.

Në këto kushte bllokimi të fjalës së Kryeministrit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, në frymën e neneve 52 dhe 66 të Rregullores së Kuvendit, kërkoi pesë minuta pushim, me qëllim rikthimin në normalitet të seancës plenare, duke ju kërkuar deputetëve që po thyenin rregullin në sallë të reflektojnë. Me rifillimin e seancës plenare, Kryetari i Kuvendit i dha fjalën përsëri Kryeministrit për të vijuar me prezantimin e programit politik.

Në këtë moment deputetët Gazmend Bardhi dhe Klevis Balliu u drejtuan drejt foltores dhe bllokuan folësin të vijojë fjalën e tij. Gjithashtu deputetët Luçiano Boçi, Fidel Kreka, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Saimir Korreshi, Gent Strazimiri, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Ledina Alolli, u drejtuan drejt foltores dhe bllokuan atë. Deputeti Gazmend Bardhi goditi disa herë me mjete të forta (siç duket qartë në pamje) në drejtim të Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu dhe deputeti Fidel Kreka kreu në të njëjtën formë shkelje si deputeti Gazmend Bardhi.

Në këto kushte aspak normale për vijimin e seancës plenare, referuar Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit kaloi në procesin e votimit. Sa më sipër, bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 pika 1 gërma a), Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të Nenit 3, gërma ç), dh) dhe ë), neni 6, neni 8, pika 2 gërma b) dhe nenit 33 i Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë: Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Gazmend Bardhi dhe Fidel Kreka. Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.

Ora 13:02
Opozita bllokoi foltoren, seanca e kaosit në Kuvend përmes FOTOVE

1758193217_edirama.jpeg

Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë në vend që të ishte një seancë ku plani i qeverisë për drejtimin e vendit për 4-vjeçarin e ardhshëm të kalonte për votim nëpërmjet debatit, u kthye në kaos duke çuar në mbyllje të seancës pas 25 minutash nga nisja.

Është dashur ndërhyrja e Gardës së Republikës për të vënë rendin në Kuvend pasi opozia në shenjë proteste filloi duke hedhur në drejtim të Ramës dhe ministrave libra të rregullores së Kuvendit dhe shishe uji.

Në foto do të shihni të përmbledhur të gjithë seancën e sotme nga bllokimi i foltores nga ana e opozitës, tek ndërhyrja e gardës dhe hedhjet e shisheve të ujit dhe librave të rregullores drejt ministrave.

Ora 12:07
Seanca përfundoi më shpejt sesa pritej, Erion Braçe mungon në sallë

Karrigia e deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe ka qenë bosh në seancën e ditës së sotme.

Braçe gjthashtu nuk ka marrë pjesë as në votim, kjo për shkak se seanca doli jashtë parashikimeve dhe përfundoi më shpejt nga sa ishte menduar.

Ora 11:55
FOTOLAJM/ Shkoi me vonesë në Kuvend, Berisha del nga salla i shoqëruar nga Arjan Ndoja

1758189432_4cbc86123c604302bce1f5c43ef30ed8.jfif

Seanca e sotme plenare në Parlament, zgjati vetëm 25 minuta, pasi pas përplasjeve me opozitën, mazhoranca vendoi që të kalojë direkt në votim dhe përfundoi seancën.

Por duket se kryedemokrati Sali Berisha ishte përgatitur një skenar tjetër. Ai shkoi disa minuta me vonesë në Parlament, për të shmangur fjalimin e kryeministrit Edi Rama.

Ndërprerja e seancës  duket se i prishi skenarin e përgatitur keyedemokratit, i cili doli nga godina e Parlamentit i shoqëruar nga deputeti i ri i Partisë Demokratike Arjan Ndoja, i cili më parë ka ushtruar profesionin e prokurorit në Durrës.

Pas seancës së shkurtër, Berisha mbajti një konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike.

Ora 11:50
Kuvendi ‘arenë lufte’, ambasadorët ‘habiten’ nga kaosi i PD (FOTO+VIDEO)

 Në seancën e ditës së sotme ku qeveria e kryeministrit Edi Rama do të merrte votëbesimin e Kuvendit për planin qeverisës si dhe për ministrat e zgjedhur të kabinetit, u kthye në një kaos total duke çuar si ansjëherë më parë në votim të menjëhershëm dhe përfundim të seancës për 25 minuta.

Ndërkohë të pranishëm në elozhet e Kuvendit kanë qenë dhe ambasadorë të huaj, përfshirë këtu ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, ambasadori i Azerbajxhanit Anar Huseynov dhe ajo e Kinës, Pang Chunxue.

Gabriel Cremades Ventura dhe Anar Huseynov në kohën kur deputetët e opozitës ishin çuar duke hedhur libra të rregullores e shishe uji drejt Ramës dhe ministrave, shihen duke vënë duart në kokë.

Ambasadori i Spanjës, Gabriel Cremades Ventura

 

Ambasadori i Azerbajxhanit Anar Huseynov dhe ajo e Kinës, Pang Chunxue
Ora 11:46
Tensionet në Kuvend, burime: PS po përgatit kërkesën për të përjashtuar deputetët kaotikë nga seancat plenare

1758188890_gazmentbardhiklevisballiu.jpeg

PS po përgatit shkresën për të përjashtuar nga seancat plenare deputetët e PD që u përfshinë në kaosin e krijuar në parlament. Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu ishin protagonistët e kaosit në Kuvend, të cilët u revoltuan me “fjalën që mori” Diella, duke mos e lënë kryeministrin Rama që të prezantojë programin.

Ora 11:14
VIDEOLAJM/ Momenti kur Bardhi qëllon me librin e rregullores dhe shishe drejt kryeministrit Rama në Kuvend

Ky është momenti kur Gazment Bardhi qëllon me rregulloren e Kuvendit dhe shishe drejt kryeministrit Edi Rama, i cili lëvizi nga Foltorja pasi opozita nuk e lejoi që të prezantonte programin qeverisës. Në fillim shkon në vendin e tij, ku merr rregulloren dhe e hedh drejt Foltores, më pas merr edhe disa të tjera duke i hedhur sërish.

Kur afrohet te Foltorja, merr shishen e ujit dhe e hedh. Pas votimit, bashkë me deputetë të tjerë të opozitës iu drejtohet përfaqësuesve të ambasadave të huaja që ishin të pranishëm për t’ju kërkuar llogari dhe duke iu duartrokitur për mosreagimin e tyre.

Ora 11:07
“Të mos vijnë me forcën e muskujve në Kuvend”/ Gogu thirrje opozitës: Shmangni dhunën! Debati parlamentar i rëndësishëm (VIDEO)

 

Pas përfundimit të seancës parlamentare, ministri i zgjedhur për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka deklaruar në një prononcim për gazetarët se opozita pengoi debatin parlamentar.

Gogu tha se në këtë parlament, duhet të shmanget radikalizmi politik.

“Pavarësisht pozicionit të tyre, dhe ju e vutë re pozicionin e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, për shkak se Kuvendi i takon opozitës.

Ne kemi ardhur se kemi detyrime ndaj shqiptarëve në këtë Kuvend dhe debati parlamentar është në qendër të Kuvendit dhe ne do ta sigurojmë që opozita të ketë hapësirat e saj parlamentare, demokratike

Nëse ju e quani veprim demokratik të opozitës, të qëllojë me kushtetutë dhe duke shfaqur shenja dhune verbale dhe fizike, po ju them që ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm në skena dhune. Ky është Parlamenti  i shqiptarëve që duhet të hyjnë në Europë dhe ta shohin Europën në mes të Kuvendit. Ky është parlamenti që duhet të ndahet nga radikalizmi politik dhe çdo skene dhune verbale”, tha Gogu.

Më tej Gogu tha se opozita pengoi debatin parlamentar dhe se pengoi paraqitjen e programit të qeverisë.

“Debati parlamentar nuk mungoi, se ne ishim aty, por është opozita që ka ndërprerë paraqitjen e programit që shqiptarët nevojiten që të dëgjonin. Skenari i mazhorancës ishte që të qëndronin deri në agimin e ditës së nesërme, sepse debati parlamentar meriton vëmendjen tone, por kur kolegët tanë nuk do të jenë të gatshëm që të mos vijnë me forcën e muskujve dhe mos të cenojnë kryeministrin dhe kolegët e tyre, kjo është e pafajshme”, tha Gogu.

Ora 10:42
VIDEOLAJM/ Ministrja 'Diella' flet në parlament, Korreshi tenton të fikë monitorin

 

Ministrja virtuale Diella foli në Kuvend, duke u thënë deputetëve të opozitës se nuk është antikushtetuese.

Mirëpo gjatë këtij momenti deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi tentoi që të fikte monitorin, por pa sukses.

Ora 10:36
Mbyllja e seancës për 25 minuta, Blushi: Kuvendi, landfilli më i madh antikushtetues! Sjellje kriminale në raport me qytetarët (VIDEO)

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi foli pas mbylljes së seancës, duke thënë se u dëshmua edhe njëherë se parlamenti është antikushtetues. Duke e cilësuar Kuvendin si “landfillin më të madh të antikushtetueshmërisë”, Blushu tha se sot qytetarët nuk dëgjuan Diellën, por Linda Ramën.

“Parlamenti dëshmoi edhe njëherë se është sot landfilli më i madh i antikushtetutshmërisë. Me një akt të paprecedent, deputetët nuk u ftuan sot për të dëgjuar Diellën, por Linda Ramën. Sot nuk ka shqiptar që nuk e di edhe pas dëshmisë së ish-krahut të djathtë të Edi Ramës, se kush e kontrollon AKSH-in, apo më mirë të themi se si AKSHI është kthyer në kopështin privat dhe personal të familjes Rama. Një akt i pa precedent, një sjellje kriminale, sidomos në raport me qytetarët që sot prisnin të dëgjonin një debat publik në lidhje me programin qeverisës, që nuk ekziston as ai njëlloj si inceneratorët fantazmë. Deputetët e opozitës, qytetarët shqiptarë nuk mund të dëgjonin sot Linda Ramën teksa fliste në Parlament, kur nuk është as deputete dhe as Ministre, por vetëm drejtuesja dhe përfituesja kryesore e aferës së AKSHI-t që ka krijuar dhe "Diellën".

Gjithashtu dua të denoncoj me vendosmëri qëndrimin jo surprizë të Kryetarit të ri të Parlamentit në raport me gazetarët dhe fjalën e lirë. Ky regjim është armik i fjalës së lirë dhe këtë e provon edhe sjellja e Kryetarit të Kuvendit në raport me opozitën dhe gazetarët. Është e paprecedentë tentativa, por jo e cuditshme përpjekkja për të penguar fjalën e lirë të kryej misionin e saj. Unë shpreh edhe si ish-gazetar, solidaritetin e plotë jo vetëm me deklaratën e Asosacionit tuaj, por me të gjithë kolegët tuaj. Ndaj ju ftoj edhe ju t'i bashkoheni me vendosmëri betejës në mbrojtje të fjalës së lirë, një betejë që në radhë të parë bëhet për mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të të gjithë qytetarëve.", tha ai. 

Ora 10:34
VIDEOLAJM/ Ironizon opozita, thirrje në sallën e parlamentit: Parti Enver jemi gati kurdoherë

 

Seanca e sotme edhe pse u mbyll vetëm pas 25 minutash, nisi me tensione.

Opozita ndërpreu Ramën në prezantimin e programit qeverisë. Teksa bllokuan foltoren ata u dëgjuan të thonin ‘Parti Enver, jemi gati kurdoherë’.

Ora 10:33
Përfundimi i seancës plenare, Berisha: Dhunë ndaj shqiptarëve! Rama i vuri drynin Kuvendit për 5 minuta (VIDEO)

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar seancën e sotme si një dhunim ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë nga ana e kryeministrit Rama.

“Të ngrihet komision për të çliruar shqiptarët dhe Shqipërinë nga një kryehorr që nuk ka asnjë dallim nga Elvis Doçi Suel Çela, nga Bajri Bajri, nga një kryehorr që i ve drynin parlamentit sipas dëshirës së tij.

Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton. Opozita do të bëjë të gjitha vendimet dhe nuk do të pajtohet kurrë me këtë dhunë ekstremë ndaj qytetarëve shqiptarë. Bëhem zëdhënës i popullit që shkelmohet në këtë mënyra një kryehorr që arrin në momentin më thelbësor, ti vejë drynin për 5 minuta”, tha Berisha.

Ora 10:27
Kaos në Kuvend, deputetët e opozitës bllokojnë foltoren, hedhin shishe ujë drejt Ramës (VIDEO)

 

Pas rinisjes së seancës, kryeministri Edi Rama nuk është lejuar përsëri të marrë fjalën e tij. Ka qenë deputeti Gazment Bardhi i cili është drejtuar drejt foltores sapo Rama është ngritur për të marrë fjalën.

“Bazuar në rregulloren e Kuvendit meqë opozita nuk lejon kryeministrin Rama të mbajë fjalën e tij, kalojmë në votim. Kuvendi vendos kalimin në votim”, u tha në Kuvend.

Ndërkohë në drejtim të Ramës dhe Peleshit janë hedhur shishe uji si dhe libri i rregullores.

Ora 10:24
Ndërpritet Kuvendi, Balla-opozitës: Nëse nuk do të reflektoni për sjelljen tuaj, do të kalojmë në votim

 

 

Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar ndërprerjen me 5 minuta të seancës plenare.

Balla i bëri thirrje opozitës që të reflektojë në sjellën e saj, do të kalohet në votim.

“Zoti kryetar i Kuvendit, dje në Konferencën e Kryetarësh, kemi qenë të qartë me kolegët e opozitës. Asnjë herë nuk ka ndodhur që të ndërpritet fjala e Kryeministrit.

Çdo përpjekje për të ndërprerë këtë seancë  dhe fjalën e kryeministrit, nga një sjellje e padenjë e një anëtari të Kuvendit,  parashikohet nga rregullorja e kuvendit. Kërkoj 5 minuta pushim.

Nëse nuk reflektohet mbi këtë kërkesë, ne do të kalojmë në votim”, tha Balla në Kuvend.

 

Ora 10:19
Bardhi e Balliu pengojnë fjalimin e Ramës, kryeministri paralajmëron: Nëse s’lejoni debat normal, do kalojmë në proces votimi! Peleshi bën ndëshkimin e parë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi opozitën se nuk do të lejojnë që të zhvillohet debat normal në seancë do të kalojnë direkt në proces votimi. Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu shprehën indinjatë pas fjalës që “mbajti” ministrja virtuale Diella në Kuvend, duke mos lejuar edhe kryeministrin Rama që të flasë më pas.

“Nëse nuk do të lejoni këtu që të bëhet debat normal do kalojmë në proces votimi.  Edhe njëherë iu kërkoj të vazhdoj fjalën, nëse nuk doni të kaloj në votim.”, tha Rama.

Më pas kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ndëshkoi Balliun duke i hequr të drejtën e fjalës.

“Balliu i hiqet e drejta e fjalës në seancë për ditën e sotme. “, tha Peleshi.

Ora 10:18
Programi qeverisës, Edi Rama prezanton ‘Albanian Inovacion 4’: Inteligjenca artificiale dhe inovacioni baza jonë! Diella do të ketë ndikim vendimtar (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama është shprehur se bazat e programit qeverisës për mandatin e 4-t do të jetë inteligjenca artificiale dhe inovacioni, ndërsa ka shtjelluar dhe rolin e Diellës në qeveri.

“Ky mandat i ri është provimi ynë i madh i shtetit. Kohëzgjatja e këtij provimi përkon me kohëzgjatjen e planit ambicioz kombëtar për të ulur Shqipërinë në tryezën e familjes së bashkuar europiane. Dhe programi ynë i ri qeverisës është fletorja e zgjidhjeve të provimit, por suksesi i këtij provimi historik do të varet i gjithi nga aftësitë e secilit dhe secilës dhe këmbëngulja jonë e përbashkët për t’i kaluar zgjidhjet nga letra e programit në realitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati. Shqipëria europiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do ndërmarrim. Si zakonisht edhe në tre herët e shkuara në një seancë si kjo, unë as nuk do lexoj të gjithë programin, që e keni të gjithë në dispozicion, as nuk do të marr kohën e kuvendit apo rolin e çdo ministri duke i prekur në detaje të gjitha fushat të cilat ministrat do t’i paraqesin një dhe nga një.

Prandaj pjesën më të madhe të kësaj fjale do ta zërë inovacioni dhe inteligjenca artificiale si dy kuaj të një rëndësie strategjike të betejave tona për Shqipërinë 2030. Shteti i së drejtës është themeli i anëtarësimit në familjen e bashkuar europiane. Udha është pa kthim. Konsolidimi i pavarësisë të gjyqësorit është thelbësor. Kodi i ri Penal, kodi i ri i procedurës penale dhe Kodi i ri Civil janë në proces si baza të reja të një legjislacioni modern me standardet më të larta europiane.

Nga ana tjetër, revolucioni digjital do të shtrihet më tej edhe në fushën e drejtësisë dhe të ligj zbatimit në tërësi për të ndihmuar nga njëra anë eficencen, transparencën, llogaridhënien e institucioneve demokratike dhe nga ana tjetër forcimin e lirive dhe të drejtave të individit. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor me shumë sukses inteligjencën artificiale për të përshpejtuar e legjislacionit me BE. Futja e inteligjencës artificiale në shërbim të mirëqeverisjes, të anti korrupsionit dhe të progresit të përshpejtuar social ekonomik do të jetë një prioritet i pa ndarë i të gjitha ministrive dhe agjencive të vendit.

Ndërkohë Diella, ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do të ushtrojë një ndikim vendimtar për përshpejtimin e këtij procesi.  Ajo do të mbështetet nga një akselarator me emrin AI 4,” Albanian Inovation 4” i cili do ketë lirinë e plotë të operojë me një rol të ri brenda administratës, plot fuqi në veprim, shembje të pengesave burokratike, adoptim me detyrim përcaktim të inteligjencës artificiale në çdo hap dhe në çdo fushë.

Akseleratori AI 4 do të bashkojë talentet më të mira shqiptare brenda vendit duke tërhequr njëkohësisht shqiptarë në diasporë, por edhe të huaj që kanë dëshirë të hyjnë në konstelacionin e Diellës. Do të përqendrojë një masë kritike talentesh tek problemet më të vështira të Shqipërisë, sfida që zakonisht nuk i frymëzojnë startup-et por që janë kyç për përparimin kombëtar. Do të ndërtojë kompani që mund të krijojnë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për shtetin si aksioner dhe të motivojnë më shumë shqiptarë që të nisin sipërmarrjet e tyre duke krijuar një cikël auto gjenerues inovacioni.

Diella me akseleratorin e saj AI 4 do ta pozicionojë bukur Shqipërinë si një vend me ambicie të madhe në fushën e qeverisjes përmes digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale si dhe do kombinojë peshën e shtetit me zhdërvjelltësinë e startup-eve duke bashkuar në korsinë e përparimit, shërbimin publik me sipërmarrjen inovative dhe duke i kthyer institucionet në platforma zhvillimore të inteligjencës artificiale.

Unë jam i keq ardhur për kundërshtinë ndaj Dielles si anëtare e kabinetit të ri qeveritar dhe për keqkuptimet e mëdha lidhur me rolin dhe me pritshmërinë prej saj dhe duke qenë se Diella është e integruar në dekretin e presidentit si pjesë përgjegjësie e imja dhe për rrjedhojë duke qenë se koha e fjalës time është e vetmja kohë kur Diella mund t’i drejtohet kuvendit, atëherë para se të vazhdoj më tej me programin e qeverise së re kërkoj nga shërbimi i Kuvendit t’ia japë fjalën Diellës", tha Rama. 

Ora 10:16
Ministrja Diella 'flet' në parlament, thirrje për opozitën: Mos më gjykoni, nuk jam antikushtetuese! Do jem ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 (VIDEO)

Për herë të parë në historinë parlamentare të Shqipërisë, ligjvënësve u foli një ministre virtuale. Diella, në “fjalën” e parë që mbajti në Kuvend, deklaroi se është kushtetuese. Duke iu “përgjigjur” akuzave të opozitës për antikushtetueshmëri, Diella “tha” se Kuvendi nuk flet për “mish apo për gjak” por për detyra, përgjegjësi dhe transparencë nga të gjithë. Kështu, sipas Diellës, opozita nuk duhet që ta gjykojë për “origjinën” por për funksionon që ajo ka ndërmarrë.

“Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve. Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.

Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.”, tha Diella.

Sipas Diellës, qëllimi është përkushtimi në shërbim të qytetarëve, në mënyrë të paanshme dhe me transparëncë, ashtu sikurse e kërkon edhe demoracia. Një gjë kërkon nga opozitarët që të mbajnë parasysh, që mund të mos jetë njeri, por është kushtetuese, sepse do t’u shërbejë atyre njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan atë dhe duan që të trajtohen në praktikë siç e parashikon ajo. Diella shton se do të jetë një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030.

“Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?

Historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: “Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.” Megjithatë sot, askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.”, përfundoi Diella.

Sqarimet se si do të jetë prania e Diellës në Kuvend, i sqaroi kryeministri Edi Rama, i cili me dekret presidencial ka marrë edhe përgjegjesinë për finksionimin e ministers së parë virtuale në botë.

"Unë jam i keq ardhur për kundërshtinë ndaj Dielles si anëtare e kabinetit të ri qeveritar dhe për keqkuptimet e mëdha lidhur me rolin dhe me pritshmërinë prej saj dhe duke qenë se Diella është e integruar në dekretin e presidentit si pjesë përgjegjësie e imja dhe për rrjedhojë duke qenë se koha e fjalës time është e vetmja kohë kur Diella mund t’i drejtohet kuvendit, atëherë para se të vazhdoj më tej me programin e qeverise së re kërkoj nga shërbimi i Kuvendit t’ia japë fjalën Diellës", tha Rama. 

Por si do të funksionojë ministrja e krijuar me Inteligjencë Artificiale?

Ajo do të mbështetet nga një akselarator me emrin AI 4,” Albanian Inovation 4” i cili do ketë lirinë e plotë të operojë me një rol të ri brenda administratës, plot fuqi në veprim, shembje të pengesave burokratike, adoptim me detyrim përcaktim të inteligjencës artificiale në çdo hap dhe në çdo fushë. Akseleratori AI 4 do të bashkojë talentet më të mira shqiptare brenda vendit duke tërhequr njëkohësisht shqiptarë në diasporë, por edhe të huaj që kanë dëshirë të hyjnë në konstelacionin e Diellës. Do të përqendrojë një masë kritike talentesh tek problemet më të vështira të Shqipërisë, sfida që zakonisht nuk i frymëzojnë startup-et por që janë kyç për përparimin kombëtar. Do të ndërtojë kompani që mund të krijojnë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për shtetin si aksioner dhe të motivojnë më shumë shqiptarë që të nisin sipërmarrjet e tyre duke krijuar një cikël auto gjenerues inovacioni", shpjegoi Rama. 

Mes kaosit të opozitës që ndërpreu parakohe seancën, pa e përfunduar dot shpjegimin për të gjitha funksionalitetet e Diellës, kryeministri sqaroi në përfundim të saj në një postim në rrjetet sociale, se “brenda vitit të parë të legjislaturës, Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë

 

 

 

Ora 10:08
’83 mandatet, borxh i jashtëzakonshëm’, Rama mesazh opozitës: Do keni vëmendjen tonë nëse hiqni dorë nga përdorimi i duarve, këmbëve e zhurmës si argument (VIDEO)

 

83 mandatet e PS-së në Kuvend, kryemninistri Edi Rama i cilësoi si një borxh të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve. Nga Foltorja e Kuvendit, për prezantimin e programit qeverisës, kreu i qeverisë i përcolli edhe një mesazh opozitës, duke i thënë se do të ketë vëmendjen e tyre nëse do të heqin dorë nga zhurma.

Lejomëni në fillim që si folës i parë i kësaj legjislature të re, në këtë pjesë vendimtare të rrugës së Shqipërisë europiane të përcjell urimin tim për një drejtim sa më të suksesshëm të punëve të Kuvendit, Kryetarit të ri të Kuvendit Niko Peleshi. Urime dhe suksese! Unë nuk jam këtu sot për të kryer një formalitet votë besimi të qeverisë së re me mbështetjen aritmetike të një shumice të pazakonshme në këtë sallë dhe dua t’i them pikërisht shumicës, se jo një mandat, por vite të tëra politike nuk mjaftojnë për ta shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë. 83 mandate apo mbi 50% e zgjedhësve në mbështetjen tonë janë shifra të një borxhi të jashtëzakonshëm për mandatin e katërt radhazi. Është një borxh që duhet ta marrim përsipër çdo ditë, jo me fjalë, por me një vijë të re sjelljeje, me një qasje të re vetëkritike, me ide dhe risi në çdo drejtim, me durim, me vullnet, me përkushtim dhe me energji të reja në çdo hap për suksesin e këtij mandati të ri.

Ndërsa pakicës dua t’i them vetëm se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe çfarë thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë dhe në respekt të zgjedhësve tuaj, do të keni të gjithë vëmendjen tonë dhe të gjithë kohën që të dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbeve si argument dhe të zhurmës dhe të rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërt prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. Mbajeni parasysh këtë! “, u shpreh Rama.

Ora 10:03
Ina Zhupa: E drejta e medias dhe e qytetarit po censurohet! Çdo ditë po bëhen sulme ndaj jush

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa përpara hyrjes në Kuvend është ndaluar për të dhënë një prononcim të shkurtër për gazetarët ku dhe ka komentuar rregullat e reja që parlamenti do të marrë për sa i përket informimit të medias brenda si dhe jashtë ambientit të Kuvendit.

“Informacioni është arma më e rëndë kundër pushtetarëve. Edhe ku kuvend nuk bën ligje për të zgjedhur të drejtuat tuaja dhe të qytetarëve, por merr vendime për t’iu censuruar. Çdo ditë këtu ke ndonjë sulm apo masë represive ndaj gazetarëve. Kjo duhet të ndalet dhe duhet bërë avokati për të drejtat e medias dhe gazetarëve”, tha Ina Zhupa.

Xh.D/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • leart: 18/09/2025 16:54

    Surprizat e Ramës janë befasuese....po sikur "diella"të jetë Mira Murati çfar do bëhet...

    Përgjigju
  • Fredi: 18/09/2025 15:20

    Keta plera e PD se duan shqiperine kjo gje evtregon qarte cdo dite ne kuvendekure u be dhe ky pederasti me dy fytyra i pd bardhi neveri per kete opozite

    Përgjigju
  • dori: 18/09/2025 13:00

    35 vite malokëri dhunë dhe hajdutërinë,kjo është opozita e shpellarëve.

    Përgjigju
  • DREJT: 18/09/2025 12:43

    Po ju keni mediat tuaja ku mund t'ju ndjekin. Nese nuk keni ndjekes as aty ku pretendoni se thoni te verteten shikoni se dicka nuk shkon dhe ndoshta duhet te ndryshoni sjellje dhe qendrim. Duhet te reflektoni qytetari, kulture, patriotizem dhe devotshmeri. Po ju jepet mundesia e nje jete luksoze te pamerituar dhe ajo qe perconi ne popull eshte vetem e turpshme. Jeni bere te neveritur.

    Përgjigju
  • Alb: 18/09/2025 12:30

    Dhomi shqipnis ashte fute e ty

    Përgjigju
  • Azdreni: 18/09/2025 11:31

    Po si ka mundesi te bejne keshtu keta plera si gaze ciporja e te tjere si ka mundesi qe me do e mos te krijojne tesjone per shohu per te mare tendera po nuk ka shtet e gjykate turp tu vije maskarenje te talleni me voten e popullit .vetem Enver Hoxha ja u gjete kohen ju vetem atehere kish shtete po shifni se kish rend siguri e cdo dashuri per nene babe vlla shoke miqe pa interes tani u kthyen ne kafshe vetem nga plitika qe nga kohe e ramizit te sali qenit dhe te gjithve me radhe turp

    Përgjigju
  • fcdsx: 18/09/2025 10:25

    Filloi teatri!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?