Shërbimet publike në Shqipëri kanë kaluar në një fazë të re të transformimit digjital, duke zhvendosur fokusin nga sportelet fizike te platformat online. Në vetëm 13 vite, marrëdhënia e qytetarit shqiptar me shtetin ka ndryshuar rrënjësisht, ndërsa platforma e-Albania është kthyer në një nga instrumentet kryesore të këtij transformimi.
Në të kaluarën, marrja e një dokumenti apo kryerja e një shërbimi shoqërohej shpesh me radhë të gjata dhe pritje të lodhshme. Sot, shumica dërrmuese e dokumenteve dhe aplikimeve kryhen online, duke reduktuar nevojën për paraqitjen fizike në institucione. Megjithatë, ky ndryshim nuk ka qenë vetëm teknik, por edhe kulturor, pasi qytetarët dhe administrata është dashur të përshtaten me mënyrën e re të ofrimit dhe marrjes së shërbimeve.
Kryeministri Edi Rama e cilëson periudhën e mëparshme si një epokë të radhëve të gjata dhe të pagesave për të shmangur pritjen, ndërsa thekson se pandemia e COVID-19 ndikoi në përshpejtimin e përdorimit të platformës digjitale.
“Ishte një epokë tjetër, radhë të gjata, ishte një epokë pagesash deri për të kaluar pa radhë. Ishte një epokë konsumi të jashtëzakonshëm, nga koha e energjisë, parash gjithashtu. Njerëzit kanë bërë xhiron e tokës me herë e me herë, po të llogaritim të gjithë kilometrat e radhëve të mbledhura në gjithë vitet. Nevoja ishte ulëritëse. Në fillim ishte shumë e vështirë, edhe se shërbimet ishin aty, numri i përdoruesve ishte shumë i ulët, por ishte përsëri halli që i shtyu të gjithë te platforma, sepse ishte COVID-i, siç thotë ajo fjala: ‘Jo të gjitha të këqijat vijnë vetëm për keq’. Solli këtë të mirë të madhe që sot kemi vetëm 3.4 milionë përdorues, ku ne nuk do t’i kishim kurrën e kurrës në rast se ajo situatë nuk do t’i kishte detyruar njerëzit të zgjidhnin rrugën digjitale dhe pastaj të zbulonin se ishte një rrugë shumë e thjeshtë”, u shpreh Rama.
Por, përtej zhvillimit teknologjik, një nga sfidat kryesore ka qenë ndryshimi i mentalitetit, si te qytetarët, ashtu edhe brenda administratës publike. Pranimi i dokumenteve elektronike si dokumente me vlerë ligjore dhe heqja dorë nga kërkesa për dokumente që institucionet shtetërore i disponojnë vetë kanë qenë pjesë e këtij procesi.
Drejtoresha e Portalit Qeveritar e-Albania në AKSHI, Nevila Repishti, thekson se bindja e qytetarëve dhe e administratës për vlefshmërinë ligjore të dokumenteve elektronike ka qenë një sfidë po aq e rëndësishme sa edhe ajo teknike.
“Të bindje një qytetar se një dokument elektronik kishte të drejtën vlerë ligjore, po në të njëjtën formë të bindje edhe administratën që dokumentet me vulë elektronike që do të lëshonin kishin të njëjtën vlerë ligjore dhe nuk duhet të kërkonim më dokumente që shteti kishte vetë, ishte ndoshta po aq sfiduese sa dhe vetë pjesa e sfidave teknike për të implementuar dhe për të pasur pjesën më të madhe të shërbimeve publike të mëdha. Ndryshimi patjetër që erdhi gradualisht, ku qytetari dhe biznesi mund ta merrnin shërbimin pa radhë. Bëri të mundur që të arrinim në pikën që ajo që dikur dukej risi të kthehej në një normalitet. Ky është ndryshimi më i madh kulturor që ka sjellë digjitalizimi dhe bashkërisht portali e-Albania”, u shpreh Repishti.
Transformimi digjital është shoqëruar edhe me reduktimin e sporteleve fizike dhe me përpjekjet për të zgjeruar gamën e shërbimeve online. Në njësitë administrative të Tiranës për shembull, numri i sporteleve fizike është reduktuar nga 60 në 20, me synimin për të nxitur përdorimin e kanaleve digjitale.
Sipas të dhënave të bëra publike, Shqipëria ofron sot 1277 shërbime për qytetarët dhe bizneset. Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Igli Tafa, e konsideron këtë një hap të rëndësishëm për vendin, ndërsa thekson se synimi është jo vetëm mirëmbajtja e shërbimeve ekzistuese, por edhe zgjerimi i tyre në sektorë të rëndësishëm.
“Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit. Sot ofrojmë për qytetarët dhe bizneset 1277 shërbime, jo vetëm me rajonin në të cilin ne jemi të parët, por edhe më gjerë se rajoni. Shqipëria është një shembull krenarie në fushën e digjitalizimit. Duke punuar bashkë me ADS, ne kemi si qëllim që jo vetëm t’i mirëmbajmë shërbimet aktuale, por të rrisim portofolin e këtyre shërbimeve, duke futur shërbime të reja në sektorë të ndjeshëm, siç janë ato të shëndetësisë, arsimit dhe energjisë”, u shpreh Tafa.
Ndërkohë, etapa e re e transformimit digjital lidhet edhe me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike. Kryeministri Edi Rama foli për rolin e Diellës, e cila, sipas tij, do të ketë një rol gjithnjë e më aktiv në mbështetjen e proceseve qeverisëse dhe në rritjen e transparencës.
“Diella ishte nevoja që qytetarët ose bizneset ta kenë shërbimin më të lehtë. Në rolin e ministres për Inteligjencën Artificiale, zuri një vend në mbledhjen e qeverisë, ku ajo merr pjesë rregullisht, mban shënim gjithçka dhe, duke mbajtur mend, zgjeron njohuritë e veta me tematika të mbledhjeve dhe dalëngadalë do të bëhet aktive për të dhënë opinionin e vet, që është një opinion shumë i mirëinformuar dhe do të ndihmojë qeverinë në diskutime të ndryshme, ashtu si Diella do të jetë forca që do të përfaqësojë transparencën në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Rama.










Komente
Komento