Dikur në UÇK e TMK, tani në rrugë

Dikur në UÇK e TMK, tani në rrugë
Ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, kanë shprehur pakënaqësitë për mos-sistemimin e tyre. Janë mbi 600 ish-pjesëtarë të kësaj trupe, të cilët u lanë jashtë me rastin e transformimit të TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës, shkruan Gazeta Express. 
Ata kërkojnë trajtim të dinjitetshëm e jo si raste sociale. 
Ish-luftëtarët e UÇK-së dhe pjestarët e TMK-së  kërkojnë që premtimet për sistemimin e tyre të bëhen deri në shtator, përndryshe do të shpërthejë revolta. 
Zyra për trashëgiminë e TMK-së shpreson se pagat për pjesëtarë të TMK-së do t’i nxjerrë edhe për gjashtë muaj, pasi që këtë vit ju janë ndaluar edhe pagat.

Një grup i tyre të premten shkoi në Ministrinë e FSK-së. Shqiprim Lika,  përfaqësues i ish-pjesëtarëve të TMK-së, tha se ai dhe shokët e tij janë të revoltuar me trajtimin që po u bëhet ish-pjesëtarëve të TMK-së. Ai sqaroi se në takimin me zyrtarët e FSK-së kanë diskutuar në lidhje me gjendjen me të cilën po përballen ky grup i njerëzve pasi që askush nuk po bën asgjë për ta.

“ Ne jemi të detyruar të dalim në rrugë dhe t’i kërkojmë të drejtat tona që janë të arsyeshme”, tha Lika. 

Sipas tij, zyra që është marrë me sistemimin e ish-pjesëtarëve të TMK-së ka bërë shumë pak në këtë drejtim.

Lika ankohet për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden ish-pjesëtarët e TMK-së në krahasim me ata që janë nëpër poste.

“Sot luftëtarët janë bërë raste sociale. Ky s’është amaneti i dëshmorëve, edhe sa duhet të kenë durim luftëtarët që nuk kursyen asgjë për këtë vend?”, thuhet në një paragraf të letrës së Likës drejtuar ministrit Agim Ceku. Ndërkaq, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Lika ua rikujton atyre premtimin që kanë bërë për ish-pjesëtarët e TMK-së. “A po mendoni vetëm për karriget e juaja?”, është njëra nga pyetjet e Likës drejtuar deputetëve të Kuvendit.

Me rastin e transformimit të TMK-së në FSK, 1463 pjesëtarë patën mbetur jashtë kësaj force. Tash me Ligjin për pensionim të pjesëtarëve të TMK-së, përfshihen vetëm ata që kanë mbushur 45 dhe 50 vjet. Sipas ligjit, personat që kanë moshën 45 vjeçare, marrin 50 për qind të pagës, ndërsa ata 50 vjet, 70 për qind.

Jashtë moshës së pensionimit dhe të pasistemuar kanë ngelur edhe rreth 650 ish-pjesëtarë të TMK-së.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë