Dilemat e mbretit Zog
në arkivat amerikane

Dilemat e mbretit Zog <br />në arkivat amerikane
“Në ora 6 të mëngjesit[të datës 5 prill 1939 në Tiranë u dëgjuan të shtëna topash, 101 për të qenë të saktë, që shpallnin lindjen e Princit të parë të Shqipërisë, emri i të cilit ishte Skënder pas Skënderbeut të madh, heroit kombëtar të Shqipërisë i shekullit të 15-të i cili i qëndroi me sukses pushtimit otoman të Shqipërisë për 20 vjet me rradhë”.
Kështu do t’i shkruante ndër të tjera Departamentit amerikan të Shtetit Ministri amerikan në Tiranë, Hju [Hugh] Grant në një Raport të zgjeruar dhe të hollësishëm lidhur me pushtimin italian të Shqipërisë.
Leka Zogu, i cili u nda nga jeta me 30 nëntor 2011, erdhi në këtë botë pikërisht në kohën ndër më tragjiket jo vetëm për Shqipërinë, por madje edhe për botën mbarë, sepse 7 prilli në fakt shënonte pragun e Luftës së Dytë Botërore.

Prirjet pro-amerikane të Ahmet Zogut
I jati i tij, Ahmet Zogu ishte përpjekur objektivisht qysh në hapat e para të shtetit modern shqiptar, dhe më tej me ardhjen në pushtet si Ministër i Brendshëm, President dhe Mbret, që të fuqizonte pavarësinë e vendit, ta modernizonte atë sa më shumë dhe ta orientonte kah Perëndimi.
Mirëpo Ahmet Zogu vërente me shqetësim të madh në vitet 1937-1939 politikën agresive të Musolinit, prirjet gllabëruese të Gjermanisë në Evropën Qendrore si dhe politikën e zbutjes që zbatonin Anglia dhe Franca.
Duke mos përjashtuar mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake apo pushtimi italian të vendit, Zogu ndofta llogariste se Shqipëria, edhe pse do të kishte në krah vendet fqinje, nuk do të mund t’i bënte dot ballë invazionit pa patur mbështetjen energjike të Anglisë dhe Francës.
Mirëpo duke vërejtur indiferencën e këtyre të fundit, qysh herët Zogu hodhi sytë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi që në mendjen e shqiptarëve mbahej si shpëtimtari i pavarësisë dhe i integritetit përballë pabesisë së Fuqive Evropiane.
Pikërisht në kryeqytetin amerikan Zogu mbante prej vitesh si të dërguarin e tij fuqiplotë Faik Bej Konicën, kultura, erudicioni, mprehtësia dhe cilësitë e tjera të rralla të të cilit, e kishin rradhitur atë ndër diplomatët më të respektuar në Ëashington.
Mirëpo Zogu nuk dukej se ishte plotësisht i kënaqur prej Faikut. Zërat për zëvendësimin e tij qarkullonin ja rrallë në kryeqytetin shqiptar në vitet 1937-1938, dhe këtu ndofta ndikonte edhe largësia gjeografike, si dhe mungesa e takimeve të drejtpërdrejta midis tyre.
Nga ana tjetër, dokumente nga arkiva e Departamentit të Shtetit sjellin në vëmendje komunikimin shumë të sinqertë midis Mbretit dhe Ministrit amerikan në Tiranë Grant. Aty del se Mbreti kishte gjetur tek Ministri Grant një kanal të sigurt komunikimi e përçues të besueshëm dhe të saktë të mendimeve dhe mesazheve të tij për Presidentin Ruzevelt [Roosevelt].
Mbreti i shpaloste Ministrit Grant, për shembull, programin e tij ekonomik e shoqëror, që ishte mjaft i afërt me atë të Presidentit Ruzevelt, si edhe shqetësimet e tij për gjendjen e trazuar në Evropë e për rrezikun e Luftës Botërore. Mbreti Zog madje planifikonte të bënte një vizitë zyrtare në Ëashington, që do të përkonte me Panairin Tregtar Botëror të Nju Jorkut, të parashikuar në qershor 1939. Për më tepër ai kishte nisur për vizitê në Amerikë në mars të vitit 1938 edhe motrat e tij.
Mirëpo Grant kishte lidhje të rregullta pune edhe me Mehmet Konicën, diplomatin e shquar shqiptar, të besuarin e Mbretit dhe vëlla të Faikut. Me të vërtetë, Mehmet Konica ishte në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin amerikan dhe shpesh i përcillte atij mendimet dhe opinionet e Mbretit për çështje të ndryshme.

Martesa Mbretërore
Natyrisht, hapi më i rëndësishëm pro-perëndimor i Mbretit Zog ishte martesa e tij me 27 prill 1938 Mbreti Zog me konteshën hungareze Geraldina Apponyin, e cila kishte prejardhje amerikane nga e ëma, Gladys Virginia Stjuart [Steëart], e bija e diplomatit amerikan Xhon Henri Stjuart [John Henry Steëart] dhe ishte e besimit katolik. Lidhjet dhe prejardhja amerikane të Konteshës Geraldinë e rrisnin rëndësinë e hapit të Ahmet Zogut, si dhe natyrisht, simpatinë e saj në popull.
Njëkohësisht, Mbreti po përpiqej të kishte në anën e vet edhe Vatikanin. Në një raport konfidencial të 30 janarit 1938 për një bisedë midis një punonjësi të Legatës Amerikane në Tiranë dhe At Bonfil Polit, përfaqësues i Kishës Katolike në Tiranë, ky i fundit do të deklaronte se “Selia e Shenjtë ka përfunduar një marrëveshje me Mbretin Zog sipas të cilës fëmijët e lindur nga kjo martesë do të jenë të besimit katolik, pavarësisht nga gjinia e tyre, dhe se gruaja do të mbetet e besimit katolik.”
Kontesha e hijshme hungarezo-amerikane ishte takuar vetëm disa muaj më parë me Mbretin e Shqiptarëve dhe dashuria midis tyre kishte qenë e rrufeshme. Dasma u bë në kryeqytetin shqiptar në një datë që përkonte me atë të Gjergj Kastriotit disa shekuj më parë. Madje edhe vetë prejardhja hungareze e Mbretëreshës së ardhshme sillte në kujtesë lidhjet e hershme midis Gjergj Kastriotit të Arbërisë dhe Hunyadit të Hungarisë. Veç, kësaj here rreziku ndaj aleancës arbëroro-magjare nuk do të vinte prej otomanëve në lindje, por prej një Duçeje të çmendur në Perëndim.
Të gjitha përgatitjet si dhe ceremonia e martesës mbretërore përbënin një rast të rrallë për Shqipërinë e Ahmet Zogut për t’u paraqitur me dinjitet të plotë para Evropës dhe botës. Mbreti shqiptar, i cili kishte arritur të vendoste rregullin e rendin e brendshëm, kishte siguruar një mirëqënie relative për popullin e vet, si dhe njëfarë vlerësimi të respektueshëm në rrafshin ndërkombëtar, tashmë po hidhte vështrimin drejt së ardhmes së dinastisë së Zogollëve në fronin shqiptar. Për arsye vendi, dasma e Mbretit me Konteshën Gjeraldinë nuk do të trajtohet këtu, por veç po botojmë, për here të parë, shpalljen me Programin e Bashkisë së Tiranës me rastin e martesës mbretërore.

Mbretëresha Geraldinë kërkon strehim në Legatën Amerikane
Në kushtet e gjendjes shumë të rënduar ndërkombëtare, në fillim të prillit 1939, Mbretëresha Geraldinë priste të lindte fëmijën e parë, Lekën e ardhshëm, të cilit madje i kishte kaluar data e pritshme. Në atë kohë kishte ardhur në Tiranë thuajse tërë rrethi familjar i saj, përfshirë gjyshen dhe nënën e vet.
Ndofta vetëm një penë kadarejane mund të përshkruajë se çfarë vlonte në mendjen e Mbretëreshës shqiptare në ato ditë të papërsëritshme. E shqetësuar për gjendjen e vendit dhe të sajën, në mbrëmjen e së Dielës, 2 prill 1939, Mbretëresha Geraldinë vendosi të kërkojë ndihmën dhe mbrojtjen e vetë Ministrit Amerikan në Tiranë. Kërkesa për strehim në Legatën Amerikane u bë prej kushërirës së saj, Konteshës Seherr-Thoss, vajza e diplomatit të shquar amerikan Henri Uajt [Henry White], ish-Ambasador dhe anëtar i Komisionit Amerikan të Paqes në Paris.
E ndodhur në Tiranë, Kontesha i telefonoi gruas së Ministrit Grant atë mbrëmje dhe pasi i shpjegoi se Geraldina, “që priste të lindte në çdo kohë” ishte tejet e shqetësuar si pasojë e pushtimit të pritshëm të Shqipërisë, “pyeti nëse ne mund ta pranonim Mbretëreshën në Legatën Amerikane”. I ndodhur para një kërkese për strehim të bujshme dhe konfidenciale, por gjithsesi të qartë, edhe pse të tërthortë, Ministri Grant menjëherë ftoi Konteshën të vinte në Legatë për ta biseduar çështjen drejtpërsëdrejti.
Përgjigja e Ministrit Grant ndaj këtij demarshi të pashembullt ishte po aq e pashembullt, por gjithnjë brenda kuadrit diplomatik, respektimit të zakoneve të vendit dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Pa e zgjatur, ai e siguroi Konteshën, që ndërkohë “kishte mbërritur tejet e trazuar” në ndërtesën në Rrugën e Elbasanit, se “do të ishte i lumtur ta pranonte Mbretëreshën në Legatë nëse vetë Mbreti do ta dëshironte këtë gjë”. Ai mandej këshilloi që ky mesazh t’i përcillej menjëherë Mbretit prej vetë Konteshës Seherr-Thoss si dhe prej Kolonelit Zhiró [Girault], i cili ishte burri frëng i Nënës së Mbretëreshës.”
Përgjigja erdhi pak para mesnate nëpërmjet telefonit. Kontesha Seherr-Thoss dhe vetë nëna e Mbretëreshës i shpjeguan Ministrit Grant se mesazhi i ishte përcjellë Mbretit dhe se, në emër të tij, Ministri i Jashtëm Z. Libohova, i kishte siguruar ato se nuk kishte kurrfarë rreziku të afërt.”
Pa dyshim Ministri Hju Grant kishte demonstruar një akt të madh kurajoje dhe humanizmi, duke patur parasysh edhe faktin se urgjenca e momentit nuk i kishte lënë as kohë për të komunikuar me qendrën. Po ashtu, strehimi i Mbretëreshës Gjeraldinë në Legatën Amerikan do të kishte sjellë pa dyshim ndërlikime jo të parëndësishme në të drejtën ndërkombëtare, që lidheshin me parimin e paprekshmërisë së selisë diplomatike, me strehimin atje të familjarëve të kryetarit të shtetit, por do të ndikonte së tepërmi edhe në opinionin botëror. Prandaj, para këtij hapi, nëse Granti do të kishte ngurrimin më të vogël, vetë “komunikimi me qendrën”apo “marrja e autorizimit” prej saj do të kishin mjaftuar si sebep për të shmangur ndërhyrjen amerikane në këtë krizë të pashembullt personale dhe ndërkombëtare.
Gjithsesi, sot pas 72 vjetësh kemi të drejtë të pyesim se vallë çfarë rrjedhe do të kishte marrë historia e Shqipërisë, dhe pa dyshim edhe e Luftës së Dytë Botërore, nëse vërtetë Mbretëresha Gjeraldinë do të ishte strehuar dhe do të kishte lindur Princin Leka e gjendur nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndërkohë që vendi kërcënohej apo ishte në gjendje pushtimi.
A do të ishte stepur Musolini para mureve të Legatës Amerikane në Tiranë? A do të mund t’i jepte Mbretit Zog kjo mbrojtje e pacënueshme e ofruar nga Shtetet e Bashkuara për gruan dhe djalin e tij - mundësinë për të organizuar rezistencën e armatosur kundër pushtuesit?
Apo mos valllë Mbreti Zog – i gjendur në gjendjen kritike midis lindjes së djalit dhe pushtimit të pritshëm të vendit – llogariste ftohtë se qëndresa ishte e kotë, se Shqipëria dhe populli shqiptar ishin braktisur prej Fuqive Evropiane dhe lënë nën vullnetin e Musolinit, dhe pra, çdo qëndresë, përveç “protestës”, do të sillte veç viktima të panumërta?

Takimi i fundit me Mehmet Konicën
Të Hënën, me datë 3 prill 1938, pak para mesditës, Ministri Grant do të takonte për herë të fundit në jetën e tij mikun e vet Mehmet Konica. Sipas Grantit, Konica ishte në gjendje të jashtëzakonshme tensioni mendor. Granti do të raportonte më vonë se, sipas Konicës, italianët kërkonin ri-interpretimin e Traktatit të Aleancës, se Mbreti kishte refuzuar të diskutonte traktatin, dhe të Premten e kaluar i kishte nisur Musolinit përgjigjen përfundimtare me anë të adjuntatit personal, Gjeneral Serreqit.
“Jemi përballë një ultimatum të vërtetë”, i deklaroi Mehmet Konica Ministrit Grant, “edhe pse kërcënimi për invadim nuk është bërë haptas. Praktikisht ata kanë urdhëruar Mbretin që të abdikojë. Kjo është sjellje prej brigandësh. Nuk mund ta mendoj se si mund të merret një veprim i tillë ndaj një vendi aleat. Mirëpo ne kemi marrë masa paraprake. Mbreti do të rezistojë. Do të ketë luftë, dhe Madhëria e Tij do të tërhiqet në malet. Besoj se fqinjët tanë ballkanikë do të na furnizojnë me armë, municione dhe ndihma me qëllim që ta ndihmojnë Shqipërinë”.

Lindja e Princit dhe biseda e fundit me Mbretin
Ndërkohë, në mesditën e 5 prillit 1939, disa orë pas lindjes së Princit Leka, Ministri Grant me bashkëshorten do të shkonin në Pallatin Mbretëror për të nënshkruar Regjistrin Mbretëror në nderim të lindjes së Princit Trashëgimtar. Lajmi i lindjes u shpall në Radio Tirana, madje edhe në gjuhën angleze. Sipas Raportit të Ministrit Grant, njoftimin në gjuhën angleze e lexoi Frederik Nosi, përkthyes zyrtar i Legatës Amerikane në Tiranë, i cili kishte zëvendësuar pak kohë më parë Kolë Kuqalin.
Të Enjten me 6 prill 1939, në ora 12.30, Ministri Grant u prit për herë të fundit në audiencë nga Mbreti Zog.
Takimi zgjati 45 minuta. Granti e raporton atë hollësisht në lëndën dërguar Departamentit të Shtetit.
Sipas Grantit, Zogu i shpjegoi diplomatit amerikan ultimatumin italian, refuzimin që ai u kishte bërë kërkesave të Musolinit. Ai më tej deklaroi se, ndryshe nga Çekosllovakia, shqiptarët do të rezistonin, por kjo do të ishte njëfarë rezistence për protestë, sepse “nuk mund të qëndronin gjatë kundrejt një force të madhe dhe të fuqishme ushtarake”.
Në një moment të caktuar, duke përmendur faktin se italianët kishin zgjedhur “kohën më delikate kur Mbretëresha priste fëmijën” Mbreti hodhi vështrimin nga dritarja dhe mezi po mbante lotët. “Për një çast – shkruan Grant – mendova se do të ngashërehej, por menjëherë ai e mblodhi veten dhe e ruajti qetësinë që kishte shfaqur gjatë gjithë takimit”.
Mbreti Zog më tej la të kuptojë se ndjente veten krejt të braktisur nga Evropa dhe se nuk kishte marrë premtim ndihme as nga fqinjët, dhe as nga Anglia dhe Franca.
Në fund të takimit, Ministri Grant e pyeti Mbretin nëse kishte ndonjë mesazh për Presidenti Ruzevelt. Përgjigja ishte tejet domethënëse, madje profetike:
“Mund t’i thoni Presidentit tuaj të madh Ruzevelt se unë i përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe miqësore dhe dëshiroj t’i sugjeroj se demokracitë e mëdha duhet ose të vendosin të fuqizojnë veten deri në piken kur mund t’i përballojnë me sukses agresorët e fuqive totalitare, ose përndryshe, të përgatiten që t’i shohin vendet e vogla të kapërdihen një nga një”.


Fati i Gjeraldinës, Mehmet e Faik Konicës dhe Lef Nosit
Veç tridhjet orë më pas Italia do të pushtonte Shqipërinë dhe “rezistenca për protestë” e Mbretit Zog do të shuhej shpejt. Rrokullisja e papritur e ngjarjeve dhe humbja e pavarësisë së vendit përbënte një tronditje të pashembullt për këdo. Mirëpo pikërisht në çaste të tilla, njerëzit tregojnë karakterin, virtytet morale, atdhetarinë dhe qëndresën e tyre

Sipas Ministrit Grant, Mbreti i kishte kërkuar Mbretëreshës që ta pranonte ofertën amerikane për të qëndruar në Legatë, porse ajo kishte ngulur këmbë që të mos ndahej nga i shoqi. Sot, pas 72 vjetësh, veç mund të përfytyrojmë dilemën e madhe shekspiriane të Mbretëreshës shqiptare: të qëndroj apo të mos? Gjeraldina u kthye në atdheun e saj të ri 63 vjet më vonë, më 2002, për t’u prehur në dheun e tij për gjithnjë.
As Mehmet Konica nuk mundi të qëndrojë në atdheun e pushtuar. I quajtur gjithnjë si kundërshtar i prirjeve aneksioniste të italianëve, Mehmet Konica e kishte të qartë se jeta e tij do të ishte në rrezik po të qëndronte në Shqipëri. Ka rëndësi të theksohet, gjithsesi, që Mehmeti ndofta për protestë, nuk iu bashkua karvanit të Zogut, por sipas Ministrit Grant, u largua nëpërmjet Jugosllavisë. Mehmet Konica do të ndërronte jetë pas Luftës së Dytë Botërore jashtë atdheut dhe në gjendje të vështirë ekonomike.
Ndërkohë, me 11 prill 1939 Faik Konica njoftonte me theks të qartë ironie Departamentin e Shtetit se kishte marrë një telegram nga një “i ashtuquajtur Komitet Administrativ i Përkohshëm”, ku njoftohej se “Mbreti dhe qeveria ishin larguar” nga vendi, dhe se ishte formuar Komiteti Administrativ Provizor i kryesuar nga Xhafer Ypi dhe anëtarë Zef Kadaria, Kosta Marku, Izedin Beshiri, Pertef Pogoni, Llambi Aleksi dhe Mihal Sherko.
Faik Konica instruktohej që të mbante lidhje të mira me Ambasadën Italiane, të dëgjonte Radio Tiranën dhe “të qetësonte bashkësinë shqiptaro-amerikane dhe student shqiptarë” atje. Pushtimi italian i Shqipërisë e tronditi në mënyrë të pandreqshme jetën personale, shoqërore dhe profesionale të Faikut, i cili do të vdiste i vetmuar në kryeqytetin amerikan në 15 dhjetor 1942.
Së fundit, me 30 qershor 1939, Ministri Grant do t’i niste një tjetër Raport Sekretarit të Shtetit. “Kam nderin të bashkëpërcjell për informim, por edhe për arkivën e Departamentit të Shtetit, një kopje facsimile të dokumentit të pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në Vlorë me 28 nëntor 1912. Dokumenti, vazhdon më tej z. Grant “ka sot një kuptim të veçantë” dhe m’u dhurua me bujari nëpërmjet përkhtyesit zyrtar të Legatës, Z. Frederik Nosi, prej xhaxhait të tij z. Lef Nosi, një shqiptar i shquar dhe atdhetar…”. Lef Nosi, i cili në vitin 1944 do të angazhohej fare shkurt në krye administratës shqiptare duke përcjellë një akt që më shumë përçonte vazhdimësinë e shtetit shqiptar në rrethana tejet të koklavitura, pas Çlirimit të vendit do të arrestohej, gjykohej dhe pushkatohej nga regjimi komunist si bashkëpunëtor me nazizmin.
Ndërkohë që statusi i Mbretërisë Shqiptare në ato ditë të zeza të prillit 1939 dukej sikur kishte ngrirë fill pas lindjes së Princit Leka, për njëfarë kohe pavarësia e Shqipërisë kishte mbetur veç në kurorën e saj, në kujtimin e popullit si dhe në arkivat e patriotëve.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë