Fermerët e fshatit Çiflik në bashkinë Dimal ende nuk e dinë nëse pranvera do t’u mundësojë mbjelljet e reja. Dhjetëra hektarë me sera, vreshta e pemëtari janë ende nën praninë e ujit, çka solli edhe shkatërrimin total të prodhimit.
“Na janë përmbytur serat dhe tokat bujqësorë. Tani duhet të kishim mbjellë. Nuk dimë nëse do bëhem për të paktën dhe dy muaj të tjerë”, shprehen ata.
Situata duket se ka kërcënuar ekonomitë familjare të zonës, ndaj ndihma tashmë nuk është thjesht një kërkesë rutinë, por domosdoshmëri për të vijuar jetën.
“Kur u dëmtua blegtoria na sollën nga një thes me ushqim. Na thanë ishte 40 kilogramë, por na doli 20 kilogramë. Ne nuk kemi marrë asnjë ndihmë. Erdhën, i shënuan në letra dëmet, dhe vetëm kaq”, thonë fermerët.
Autoritetet lokale verifikuan të gjitha rastet e përmbytjeve dhe hartuan dokumentacionin. Mësohet se e kanë adresuar atë, por nuk kanë ende një përgjigje se çfarë do të ndodhë më tej.
Komente








