Fshati Çiflik në bashkinë Dimal është një nga fshatrat që u prek 4 herë nga përmbytjet e njëpasnjëshme të muajit dhjetor 2025 dhe fillim janari 2026 dhe dëmet e shkaktuara kanë qenë të mëdha. Dhjetëra hektarë me sera e toka bujqësore, por edhe pemë frutore, edhe sot kur ka kaluar një muaj nga përmbytja e fundit, janë ende me prezencë uji, duke sjellë shkatërrimin total të prodhimit të banorëve të këtij fshati.

Në serat, që sot janë akoma të pathara, uji arriti deri në 1 metër, duke shkatërruar bimët e mbjella në fazën e vjeljes, ndërkohë që mbjellja e fidanëve të rinj në to është e pamundur, pa u tharë tërësisht toka. Të njëjtin fat kanë pasur edhe prodhimet në tokat bujqësore, ndërkohë që shumë pemë frutore janë akoma edhe sot në ujë.

Fermerët pohojnë se dëmet janë të pallogaritshme, duke kërcënuar ekonominë e tyre familjare, e cila mbështetet kryesisht te prodhimi i serave dhe i tokave bujqësore.

Banorët theksojnë se humbjet në kulturat bujqësore e në pemëtari janë të mëdha dhe ata kërkojnë mbështetje financiare nga autoritetet për dëmet që u janë shkaktuar. Ata shprehen se, edhe pse dëmet janë verifikuar, deri më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti. Banorët bëjnë apel për dëmshpërblim nga shteti, pasi rikuperimi i tokës dhe fillimi i një cikli të ri prodhimi do të jetë i mundur vetëm pas 2-3 muajve, deri në tharjen e plotë të tokës.