DIMAL- Temperaturat e ulëta të këtij dimri kanë krijuar problematika të shumta në shumë shkolla 9-vjeçare në bashkinë e Dimalit, ku mungon ngrohja.
Problemet më të theksuara janë në shkollat e fshatrave Çiflik, Arrëz, Poshnje, Samaticë, etj.
Edhe pse në ato institucione arsimore ku ka system ngrohje, serish nuk ndizen per te mos harxhuar energji apo lende drusore. Në këto kushte, nxënësit detyrohen të qëndrojnë në klasa të veshur me xhupa, kapuçë dhe doreza, ndërsa mësimi zhvillohet në kushte të vështira.
“Edhe pse ka soba me dru, ato ose nuk ndizen fare ose ndizen vetëm ndonjehere rrallë dhe ne kemi ftohtë, nuk shkruajmë dot në klasë.”
Për shkak të kësaj situate, në shumë raste prindërit kanë çuar edhe rezistenca elektrike në klasat e fëmijëve të tyre, por nuk janë lejuar t’i ndezin për të mos harxhuar energji elektrike.
Nxënësit tregojnë se kanë frikë të flasin më shumë dhe sapo shohin mësuesit largohen me vrap nga kamerat.
“Sobat me dru ndizen vetëm me ‘dashje qejfi’ dhe ne kemi frikë edhe të ankohemi.”
Nga ana e tyre, prindërit shprehen se mungesa e ngrohjes në shkolla ka bërë që fëmijët të sëmuren shpesh. Kjo situatë i ka detyruar disa prej tyre t’i largojnë fëmijët nga shkollat publike dhe t’i çojnë në shkolla private, ku nuk mungojnë as ngrohja, as kushtet dhe as higjiena.
“Mungesa e ngrohjes ka bërë që fëmijët të sëmuren shpesh dhe jemi detyruar t’i largojmë nga shkollat publike e t’i çojmë në shkolla private.”
Të kontaktuar nga Report TV drejtues te arsimit nuk kanë pranuar të japin asnjë informacion lidhur me mungesën e ngrohjes. Ndërkohë, ngrohja mbetet përgjegjësi e bashkisë së Dimalit, e cila gjithashtu hesht përballë shqetësimit të nxënësve dhe prindërve.
Komente











