Dimensioni i kohës në pikturën
kontemporane

Dimensioni i kohës në pikturën<br />kontemporane
TIRANE- Është Arti ai që ndoshta më shumë se sa Filozofia, hedh e pret ide të reja mbi nocionin e kohës dhe kuptimin e saj. Nga Melakolia emblematike e Dyrerit, tek hapësirat urbane të Dekirikos, apo orët e varura të Dalisë, artistët hetojnë mbi hapësirën piktorike si mjet për të shprehur një iluzion personal, a një dimension kohor.

Por dimensioni i kohës nuk hetohet vetëm nga artistët e shekujve paraprirës, mjeshtër të dialogjeve metafizike. Ai strehohet shpesh dhe në gjuhën e artit bashkëkohor në krijimtarinë e mjaft artistëve, si mjet a domosdoshmëri për të lidhur urat e qënies me kuptimin e ekzitencës. 

Siç shprehet Bonito Oliva, vepra e artistit bashkëkohor nuk rregullohet nga një kërkim i orientuar drejt një objektivi të qartë, apo domethënies së tij, por rihapet drejt hapësirave të reja,.. kjo pasi sipas tij, vepra e artit korrespondon me një pyetje të pastër. 

Disa prej këtyre gulçimeve filozofike i gjejmë edhe në ekspozitën “Pa kohë”, në hapsirën e Galerisë FAB, ku pesë artistë të rinj ofrojnë krijimtarinë e tyre të viteve të fundit. Edhe pse, në shikim të parë, të ndryshëm nga njëri tjetri, ato përshkohen nga një fill i “padukshëm”, ku hapësira, subjekti dhe koha, konvergojnë…
 
Artan Buca / Një cep parajse personale
Tablotë e Bucës ofrohen në thjeshtësinë e tyre si lojra kromatike formale ku objektet/ subjekte dialogojnë të heshtur. Herë si forma pre-rinaschimentale, me prekje metafizike, e herë si sagoma përtej kërkimit të eikulibrit kromatik, ato përbëjnë në vetvete peizazhe abstrakte, me shije të theksuar metafizike. Në raste të tjera ato të ofrohen si forma pre-urbane, të cilat mbijetojnë me naivitet mbi një zbrazëti monokromatike.

Për vetë autorin ato ofrojnë ngjizjen a zbulesën e kohës, atëherë kur koha i fliste njeriut të parë, ashtu siç i fliste murit të shpellave. Tek një pjesë e tyre objektet mbivendosen, a konvergojnë mbi sfonde njëngjyrëshe, ndërsa trasmetojnë lehtësisht shijen e prekjes së parë, e ngjizjes. E përtej kësaj ato ofrohen të thjeshta, mes rrëfimeve, takimeve e ritakimeve, sinoreve, pranive amorfe, teksa përfundimisht heshtohen si për të përkufizuar një dimension kohor edhe më personal.

Aurel Nukaj / Në katakombet e kohës
Sipas autorit… “gjithçka nis me një ëndërrim, aty ku hapësira dhe koha puqen, përthyhen e përshtjellohen me njëra-tjetrën. Si një thirrje jehonike, që prej thellësive të kohës, aty ku zhduken njësitë e saj matëse që ne njohim e ngelen vetëm komunikimet e para, (ato të gojëdhënave dhe simboleve të hershme grafike), udhëtimi vjen e shpërfaqet si një përpjekje hulumtuese e gjenezës së natyrës njerëzore, atyre të vërtetave të parafillimit, që janë kalçifikuar thellë në ADN-në njerëzore.

Gjithë ky udhëtim ëndërrimtar në thellësitë dhe shtresëzimet e kohërave, rreket të përcjellë pikërisht atë pjesë, me anë të imazheve mitologjike e mistike të historisë sonë të përbashkët, që prej tempujve të hershëm e të gurtë, tek figurat mitike të epokës egjyptiane,.. nga përbindëshat elenistik, tek murgjërit mesjetar e së fundmi deri tek personazhet e kohëve që njohim. Ato tok përpiqen të zbulojnë copëza të asaj të “vërtete që do të na çlirojë”,.. të njohim vetveten e natyrën e shpirtit tonë kompleks.”

Ermal Baboci / Përtej
Në krijimtarinë e Baboçit, peizazhet abstrakte ndërtohen me pak elementë kompozicional, ku subjektet mbivendosen mbi sfonde monokromatike. Me një gjuhë të thjeshtuar figurative, format gjeometrike pozicionohen nëpër sfond në kërkim të një eikulibri formal. Si përsiatje e tejet të kalibruara, subjektet e tij evokojnë herë minerale të çmuara e herë të tjera elementë të huazuar nga natyra.

Pikënisja e tij mbetet pikërisht kjo e fundit. Ato lindin nga një kërkim i reduktuar formash e ngjyrash, për tu zhvilluar në minimumin e tyre me forcë. Në momente të tjera ato shkojnë aq larg sa ngjajnë me copëzë të një meteori në hapsirë, ku errësia e përjetshme i jep vetë kohës një kuptim jashtënjerëzor. Në fund është pikërisht koha ajo që duket se Baboçi ndalon për të kundruar formën në kërkim të vetvetes, në atë eikulibrin absolut mes formës dhe ngjyrës.

Julian Dëna / @-35.367660,139.381389
Ndryshe nga artistët e tjerë pjesëmarrës, Dëna propozon një seri pikturash të instaluara, të shpërndara thjeshtë nëpër hapsirën e galerisë. Të ngritura pak nga dyshemeja ato “vozisin” të hirta në sipërfaqen e ftohtë. Me sfumatura e linja fluide, ato ndërtohen si peizazhe gati hënore, por shpejt (orientuar dhe nga titujt) kupton që janë thjesht copëza të sipërfaqes tokësore. Si njolla gri, këto hapësira jete ofrohen si tablo abstrakte, përkufizuar nga një kërkim i reduktuar harmonie.

E pas kësaj përqasje fillestare, vëzhguesi e vë veten në pozicionin e vetëm që artist e lejon, atë të observuesit të botës nga lart, si zot, a krijesë qiellore, teksa kundron me kërshëri lojën e formave të pafundme që të ofron këndvështrim i ri. Si një dimension i ri i perceptimit të vetë realitetit, Dëna konkretizon thjesht një seri tablosh amorfe, sa abstrakte aq dhe reale, si një rrugë personale e përkufizimit të kohës dhe realitetit.

Orlis Vathi / hulumtim
Vathi prezanton “peizazhin” që e rrethon ... atë të brendshëm e atë të jashtëm. Ai selekton me vëmendje frame të këtij realiteti, për të propozuar kontrastet që lindin prej tij. Në to pasqyrohet taraca e një pallati, teksa i kapërthet një shkallë, që sdihet se ku të çon,.. një tabelë eccobet, që duket sikur ndan realitetin gri të një pallati me atë të botës së ëndrrës, a të konsumit,.. një kamion lodër që kapriçoz ngjit linjën e lëkurtë të një divani,.. një shok që “humbet” nën një hije të dyshimtë pas një muri të zbrazët,.. dy sagoma para boshllëkut minimal të palimsestit televiziv,.. e të gjithë këto copa realiteti rretheqarkas, që thyhen vetëm nga dy lojtarë poloje, që humbasin në një realitet personal si hije në errësirë.

Të gjitha këto thellime konceptuale të një realiteti urban, me një tis të lehtë trishtimi, tregojnë botën që ai jeton, atë që çdokush prej nesh ndan me ngjyra të ndryshme. Por për çdo vështrim më të thelluar, ai i ofron ato si porta të reja dialogimi e reflektimi mbi kuptimin ekzistencial të objekteve dhe vetë fenomeneve.

Krijimtaria e këtyre 5 artistëve të rinj përshkohet nga një frymë e ndryshme përqasje ndaj subjektit e objektit, në kërkim të afrimit me spektatorin për një dialog të ri. Elementi i kohës në veprën e tyre përcillet në dimensione që variojnë nga ajo mistike, tek ajo e së përditshmes, patjetër në kërkim të gjuhës kuptimore personale, për të servirur nëpërmjet artit kontemporan atë që F. Rella e përcakton si thyerje e kohës lineare e progresive.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot