Temperaturat e ulëta kanë rikthyer gjatë orëve të natës reshjet e dëborës në një pjesë të vendit tonë, veçanërisht në zonat malore përfshirë Malin e Dajtit, Tiranë, Gjinarin dhe Fushë-Studën, Elbasan.

Në Llogara, reshjet intensive kanë vështirësuar qarkullimin dhe rekomandohet që drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë ose tunelin si alternativë. Në ndihmë të situatës, drejt zonës është nisur edhe një patrullë policie për të monitoruar dhe garantuar sigurinë në qarkullim.

Në qarkun e Dibrës, në lartësitë mbi 300 metra dëbora ka përfshirë Bulqizën dhe fshatrat përreth, duke sjellë një peizazh dimri në stinën e pranverës. Banorët e zonës raportojnë për trashësi të konsiderueshme dëbore, ndërsa rrugët rurale janë bërë të vështira për t’u përshkuar.

Edhe në juglindje të vendit reshjet e dëborës janë rikthyer përsëri, kryesisht në lartësitë 1100 deri në 1200 metër - në zonat rreth Pogradecit. Në aksin Qukës-Qafe Pllocë dhe në majën e Qafë Thanës dëbora ka qenë më e dendur gjatë natës duke arritur trashësi të madhe.

Edhe në zonat turistike të Dardhës, Voskopojës dhe Boboshticës, Leskovikut, Ersekës ka pasur prezencë të reshjeve të dëborës. Autoritetet bëjnë thirrje që drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullimin e automjeteve në këto zona. Të gjitha akset janë të kalueshme pa problematika.

Kjo rënie e dëborës në këtë periudhë ka krijuar probleme për fermerët, pasi shumë kultura bujqësore dhe pemë frutore ndodhen në fazën e lulëzimit. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat nën zero mund të shkaktojnë dëme të ndjeshme në prodhimin e këtij sezoni.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:10
Korça nën petkun e dëborës, ndërpritet energjia elektrike në disa zona

 

Reshjet e dëborës janë rikthyer përsëri në qarkun juglindor, kryesisht në lartësitë 1100 deri në 1200 metër.

Reshjet kanë shkaktuar problematika për furnizimin me energji për disa abonentë. Konkretisht, fideri Vithkuq, N/St Rehovë rezulton pjesërisht në punë, pa energji 205 abonentë në zona rurale dhe rurale të thella (Lekas, Xerje, Gurmujas, Gjonbabas, Tudas, Gjergjevicë, Denas, Mazrekë, Brozdovec, Gjinikas, Protopapë, Peshtan, Osojë, Kodras).

Fideri 1, N/St Pogradec, pa energji 317 abonentë në zonën Verdovë. Fideri Potozhan, N/St Guri i Kuq, pa energji 1983 abonentë në zona rurale dhe rurale të thella.

Ndërkohë, qarkullimi nuk paraqet problematika në asnjë prej akseve.

Në zonat rreth Pogradecit kryesisht gjatë orëve të para të mëngjesit reshjet e dëborës kanë qenë me një intesitet të ulët deri në mesatar. Kjo ka bërë që autoritetet të pastrojnë akset kyce atje ku stuhia e dëborës ka qenë më e dendur.

Në aksin Qukës-Qafë Plloçë dhe në majën e Qafë Thanës, dëbora ka qenë më e dendur gjatë natës duke arritur trashësi të mëdha, por për shkak të kushteve atmosferike pranverore ajo ka nisur të shkrijë duke mbetur ende prezente vetëm në zonat malore. Edhe në zonat turistike të Dardhës, Voskopojës dhe Boboshticës, Leskovikut, Ersekës ka pasur prezencë të reshjeve të dëborës.

Autoritetet bëjnë thirrje që drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullimin e automjeteve në këto zona.

Ora 08:54
Reshje intensive dëbore në Shkodër, arrin 40 centimetra në Qafë Thore

 

Në akset Dedaj-Bogë, Dedaj-Razëm dhe Bogë-Theth gjatë gjithë natës ka pasur reshje bore me intensitet të lartë.

Në Qafë Thore shtresa e borës i ka kaluar 40 centimetra, ndërsa është punuar pa ndërprerje për të siguruar vazhdimësinë e qarkullimit.

Ora 08:45
Reshje intensive bore në Llogara, rekomandohet kalimi nga tuneli

 

Sapo është raportuar nga kontraktori i mirëmbajtjes së rrugës se në zonën e Llogarasë po vijojnë reshje bore me intensitet të lartë.

Për shkak të kushteve të përkeqësuara, rekomandohet që drejtuesit e mjeteve të përdorin tunelin si alternativë kalimi. Ndërkohë, për ata që zgjedhin të kalojnë nga rruga e Llogarasë, këshillohet që automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë.

Në ndihmë të situatës, drejt zonës është nisur edhe një patrullë policie për të monitoruar dhe garantuar sigurinë në qarkullim.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe respektim të udhëzimeve, ndërsa situata po ndiqet në vijimësi.

Ora 08:43
Reshjet e dëborës në Bulqizë shqetësojnë fermerët, temperaturat e ulëta mund të dëmtojnë prodhimet

 

Në lartësitë mbi 300 metra në Bulqizë pranvera është rikthyer me një surprizë dimërore. Reshjet e borës kanë zbardhur zonat malore dhe fshatrat përreth, duke sjellë një tablo të pazakontë për këtë periudhë të vitit.

Temperaturat e ulëta dhe depërtimi i masave ajrore të ftohta kanë bërë që reshjet e shiut të kthehen në borë, kryesisht në zonat më të larta të territorit. Banorët e zonës raportojnë për trashësi të konsiderueshme dëbore, ndërsa rrugët rurale janë bërë të vështira për t’u përshkuar.

Kjo situatë ka krijuar probleme të menjëhershme për fermerët, pasi shumë kultura bujqësore dhe pemë frutore ndodhen në fazën e lulëzimit. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat nën zero mund të shkaktojnë dëme të ndjeshme në prodhimin e këtij sezoni.

Nga ana tjetër, reshjet e borës në këtë periudhë pritet të ndikojnë pozitivisht në rezervat ujore, duke garantuar furnizim më të mirë gjatë muajve të verës.

Ndërkohë, autoritetet lokale u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim, sidomos në akset që lidhin zonat e thella me qytetin, ku prania e borës dhe ngricave mbetet problematike.

Edhe pse jemi në pranverë, moti në Bulqizë vijon të tregojë se dimri nuk është larguar ende plotësisht.

Ora 08:35
Pranverë me dëborë, Malësia e Krujës nën velin e dëborës! Pamjet mbreslënëse nga Qafshtama

 

Moti ka bërë një kthesë të fortë që prej ditës së djeshme. Rënia e temperaturave ka bërë që reshjet e shiut gjatë natës të kthehen në reshje të dendura dëbore në Malësinë e Krujës. Në disa zona niveli i saj ka arritur deri në 20 cm.

Ndërkohë edhe Parku i Qafshtamës është nën petkun e dëborës duke na sjellë një pamje mbreslënëse. Temperatura maksimale në këtë zonë shënon 3 gradë celcius.