Din Mehmeti, si i shpëtoi
vdekjes nga shovinistët serbë

Din Mehmeti, si i shpëtoi<br />vdekjes nga shovinistët serbë
Dhimbje dhe lotë pati në sytë e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë në pranverën e vitit 1999, sepse u përhap lajmi në media se tetë intelektualë kosovarë u vranë barbarisht nga policia serbe. Mes tyre, sipas njoftimit paskësh qënë edhe poeti i mirënjohur gjakovar Din Mehmeti. Po atë kohë televizioni Italian RAI do të transmetonte një emision kushtuar jetës dhe veprës së poetit, i menduar i vdekur, dhe aty akuzohej hapur regjimi i Millosheviçit për këto vrasje.

Edhe vetë poeti pati pyetur asokohe se kush e pati sajuar këtë lajm të hidhur. Si ndodhi që Din Mehmeti të gjendej në atë listë dhe të përfshihej në atë lajm, që gjoja e patën vrarë bashkë me intelektualët e tjerë bashkëkombas Idriz Ajetin, Fehmi Aganin, Esad Bicurrin, apo mjeken dhe poeten e shquar kosovare Flora Brovina, që ishte shumë pranë vdekjes. Ndodhej poeti në shtëpinë e tij në qytetin historik të Gjakovës duke ndjekur kronikat në televizion kur u dha lajmi i hidhur se në Kosove ishin vrarë mizorisht 7-8 vetë, shkrimtarë, studiues, intelektualë dhe këngëtarë të njohur kosovarë.

U çudit mjaft poeti. Në atë moment e bindi të shoqen të iknin nga shtëpia, të largoheshin nga Gjakova, sepse mendoi se ndoshta të tjerët i kishin vrarë dhe tani do të vinte radha e tij. Niset për në një lagje tjetër të qytetit. Ndenjën vetëm tri ditë atje. Kur e panë bashkëkombasit e tij, i thanë se kishin dëgjuar të befasuar të njëjtën gjë. Për Gjakovën, nga autoritetet serbe, ishte vendosur të rrënoheshin shtëpitë, njerëzit të vriteshin. U kthye prap në shtëpi pas disa ditësh.

Deshironte me çdo kusht të vinte në atdheun amë, por përpjekjet për të ardhur në Shqipëri dështuan. E kapën në stacion dhe e arrestuan. E dërguan në një postë milicie ku u ngujua me pjesën tjetër të qytetarëve të Gjakovës, deri sa policia serbe i la të lirë të ktheheshin në shtëpitë e tyre nën survejim të rreptë. Katër milicë serbë ia behën pak më vonë tek shtëpia e tij.

Menduan ta ekzekutonin poetin e njohur në oborrin e shtëpisë. E kontrolluan një herë për armë. Nuk kishte.  Hynë të kontrollonin në shtëpi. I kërkuan përsëri të tregonte ku i fshihte armët që ua jepte ushtarëve të UÇK-së. Poeti i madh i drejtoi për tek biblioteka. Të katër milicët u hodhën sytë librave pa fund të sistemuara bukur nëpër rafte. Mbi tryezën e punës, pane dy prej tyre. Ishin dy libra me vjersha të Din Mehmetit botuara në Beograd, në gjuhën serbe, madje dhe disa përkthime veprash në gjuhët frëngjisht dhe gjermanisht. I panë veprat me vemendje, i shfletuan me kujdes. Këqyrën foton e autorit.

Ishte po ai, poeti i urtë që kishin përballë. Për një minute milicët patën parë njëri-tjetrin pa folur. Vendosën me vështrime se çdo të bënin. Njëri prej tyre i pati thënë: -Po të falim!. “Faleminderit!” ishte përgjigja e poetit. Dolën nga shtëpia njëri pas tjetrit kokëulur. Njëri prej tyre pati ndalur tek shkallët dhe i pati thënë: “Mbaje mend çka po të them. Ne kemi ardhë për të të vrarë, por nuk po të vrasim se qenke shkrimtar, qenke poet. Po ne jemi prej Vojvodine. Po sikur të kishin qenë këta serbët prej Kosove, ose prej Serbije, do të të kishin vrarë. ”.

Kështu pati ndodhur një ditë pranvere, të vitit 1999, kur poeti i madh pati parë vdekjen me sy. Din Mehmeti vazhdoi të jetonte në shtëpinë e tij në qytetin e Gjakovës. Gjithë natën rrinin roje. Herë ai, e here e shoqja. Rrotull, nëpër lagjet, sheshet dhe në qarshinë e Gjakovës bombardohej. Jeta nuk ishte aspak e sigurtë dhe nuk mund të largoheshin. Ishin të vonuar. Dikur e shoqja nuk kishte dashur ta linte shtëpinë, por kur filloi të bëhej jeta e padurueshme, dëshironte të largoheshin, por tashmë rrugët ishin mbyllur nga paramilitarët sebë.

Të gjitha këto ngjarje rrënqethëse i tha me gojën e tij, poeti Din Mehmeti, shëndosh e mirë, kur ishte për vizitë në Tiranë, ato ditë nëntori të viti 2004. Dialogun me milicin vojvodinas, poeti e tregoi në gjuhën e atyre njerëzve që kishin ardhur për ta vrarë, ditën kur jeta e tij matej me kutin e lojës së vdekjes së paralajmëruar në lajme.
 
SHPIRT PREJ POETI
Shpesh herë pati deklaruar me krenari se, poet u bëra se kisha ardhur në këtë botë me një dhunti për të kënduar dhe për të shkruar poezi shqip. Dëshirën për këngë e gjeta në shpirtin tim kur këndoja këngë popullore, por edhe në shpirtin e popullit tim, i cili këndonte edhe kur gjendej në luftë, për t’i ndihmuar pushkës, ndërsa pushka me krismat e veta, për t’i ndihmuar këngës; u bëra nga nevoja e brendshme për t’i thenë vetes e njerëzve të tjerë që jetonin me mua diçka në formë të ëndërrës apo përrallës atë `që më mundonte, atë që e ndjeja ndryshe ngaq ta; u bëra për ta njohur veten në sy të të tjerëve se kush isha, kush jam dhe ç’mund të bëhesha; u bëra ndoshta pse isha i ndjeshëm ndaj pakënaqësive që sillte në mua koha për të reaguar kundër saj; u bëra se shkrimi i përgjigjej natyrës sime më mire se çdo gjë tjetër; u bëra poet se magjia e fjalës ma lëkundi shpirtin, m’i zgjoi mendimet dhe ndjenjat për t’i shprehur hidhërimet, dashuritë, vuajtjt, ndonjëherë edhe çmenduritë, që mbaja në vete; u bëra, siç thoshte Rembo “për t’i shtrydhur nga vetja të gjitha helmet”; poet u bëra për të luftuar kundër të keqes së jetës sime dhe së keqes së jetës së të tjerëve.

E them këtë, sepse në fillim të krijimtarisë mendoja se me anë të poezisë, mesazhit të saj, mund të ndërroja gjendjen e vështirë, se do t’i bëja njerëzit më të mirë se sa janë, por më vonë e kuptova se fjala poetike është e pafuqishme të bëjë mrekullira; u bëra për t’i shpluar e zhveshur fytyrat e idhujve të rrejshëm, që nuk ngopeshin me gjakun e të tjerëve; u bëra për ta pastruar shpirtin tim nga ndytësitë e shumta të jetës si dhe për të dënesë ndonjëherë vetiu për diçka të largët dhe të paarritshme, që më përfytyrohej dhe fanitej para sysh në formë të ndryshme, ndoshta për shkak të mosplotësimit të shumë dëshirave; u bëra poet për t’i treguar rëniet, ngritjet, zhgënjimet, ëndërrat, shpresat e mia dhe të atyre që jetonin në mua dhe rreth meje; u bëra, sepse shkrimi u bë dashuria dhe pasioni im, u bë mënyrë e të jetuarit; u bëra poet për t’u shkrirë në vargje si qiriri i Naim Frashërit për të dhënë pakëz dritë, për të ngritur, grushtin e forte migjenian, për ti rënë fuqishëm “malit që s’bëzan”;

u bëra poet edhe duke lexuar librat e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë e kombëtarë, prej të cilëve mësova se ç’është poezia, ç’rol ka dhe si duhet të shkruhet ajo; poet u bëra duke gdhendur vargjet e mia derisa prekja në dhembjet e zgjimit tim madhështor diku në fund të vetes, derisa i gjeja flatrat e lirisë sime duke u rritur në çdo varg; u bëra për ta përshkruar jetën e fëmijërisë sime në fshat, në bjeshkë, në vërri, për të bërë poezi nga dashuritë e mia me vajzat e bukura të vendit tim, që më bënë të lumtur rininë time të hershme; u bëra poet për të shkruar për krenarinë e babait tim, i cili mbante flamurin kuqezi në gji sa here shkonte në luftë, për t’i përkujtuar krismat e pushkës së tij për ta mbrojtur jetën dhe atdheun.

Poezia më dha mundësi të hedh dritë në dashurinë e nënës sime, për t’i kujtuar puthjet e ngrohta që mi falte në fëmijëri, për t’i mos harruar sytë e saj të shndritshëm të shkrirë në paqe, dashuri, drejtësi e humanizëm. Poet u bëra nga dëshira për të ëndërruar çudira mbi çudira, për të fluturuar hapësirave të pafund në mënyrë imagjinatave, për të kërukar atë që se kisha në jetë, për të krijuar një hapësirë të lire estetike sa për tëjetuar; u bëra poet për ta ndrydhur e shtrydhur nga shpirti im dhimbjen time që ndjenja për fatin tragjik të popullit tim, i cili më rëndonte mbi supe dhe më bënte të vuaja, vuajtje kjo që më bluante përbrenda, gjatë jetës.
 
DHIMBJA SI ETYD HEROIK
Poeti Din Mehmeti është një nga krijuesit më në zë në trevat mbarëshqiptare. Ai pati lindur në fshati Gjocaj të Junikut afër Gjakovës më 07. 05. 1929. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje, kurse shkollën e mesme e mbaroi në qytetin e Gjakovës. Më pas kreu studimet në Universitetin e Beogradit dhe më vonë u specializua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për një kohë të gjatë pati punuar si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të GjakovësPoezia e Din Mehmetit, që u kultivua për një çerek shekulli ishte një poezi e shqyrtësuar, siç ishte edhe vetë poeti, siç ishte koha, siç ishte Kosova e shqetësuar, sepse poezia e tij ishte pasqyrë artistike e kohës.

E brenda shqetësimit padyshim që ka edhe siguri. Kjo ndjenjë sigurie ka bërë që kjo poezi të ketë tonë të ngritura tribunale që mund t’i ketë vetëm poezia e një poeti madhor si Mehmeti, që ka marrë përsipër të pasqyrojë aspiratat e popullit të vet. Vetë poeti është i ndërgjegjshëm për misionin që i ka vënë vetes, sepse del shpesh në konkluzionin se poeti duhet të jetë frymëzues i popullit të vet. Ëndërron poeti ëndërron që Kosovën martire ta shohë të lirë. Drita e lirisë do ta pushtojë Kosovën, sepse drita do të reflektojë në duart e poetit. Prandaj ai shprehet: “…Damarët e dritës në duart e Din Mehmetit”.

Tema qëndrore e poezisë së Din Mehmetit është jeta e njeriut të sotëm kosovar që lufton për të drejtat e tij, për lirinë e tij të nëpërkëmbur ndër shekuj, ajo i ngjan një bote të shqetësuar si dallgët e lumit në fortunë. E kjo lëndë derdhet në vargje përmes mendimit të spikatur poetik të Din Mehmetit. Këtë mendim të thellë ai do ta dokumentonte që në krijimet e para poetike kur me 1961, botoi vëllimin e parë “Në krahët e shkrepave”, do ta përforconte më tej tek vëllimi “Rini Diellore” dhe t’a konsolidonte më tej tek “Dridhjet e dritës”. Nga kjo periudhë ai do të ishte një nga kolosët e poezisë kosovare dhe krijimtaria e tij do të merrte hov të paparë.

Poeti i njohur Din Mehmeti është quajtur ndryshe, poeti i shpërthimeve poetike e këto lloji shpërthimesh të ngarkuara emocionalisht formojnë në poezi një lloji figuracioni që lulëzon plot potencë dhe trill artistik. Fuqia shprehëse e figurave është në nivelin më të lartë duke na kujtuar mjeshtra të mëdhenj të fjalës dhe të mendimit poetik si: “…Ishim krejt vetëm, /si nje yll i zjarrtë, / rrethuar nga re të enjtura …”ose “…Në rrfanën e besës sonë, / lidhe bishat e mendimeve të tua… “që mbartin një peshë të veçantë emocionale, ku spikat një talent i rrallë prej poeti. Vështirë mund të gjendet në poezinë tonë një poet i tillë që të ketë rritje të ndjeshme nga libri në libër, duke krijuar pothuajse të njëjtën linjë artistike. Po ai shqetësim, po ajo mënyrë krijimi, po ai varg, po ato figura të përpunuara artistikisht.

Por poeti lëviz dhe zhvillohet. Rritet dhe thellohet pasha e mendimit artistik të poetit, fuqia shprehëse e tij dhe bashkë me të edhe poezia. Tani ai ka fituar pjekuri artistike sepse është mjeshtër i përdorimit të metaforave, loja e të cilave të krijon shpesh ndjesinë e absurdit artistik, operon me simbole të realizuara nga fantasia e tij, por mbi të gjitha është mjeshtër i përdorimit të antitezave e këtë ia ka diktuar koha, jeta, lufta në vendin e dardanëve. Arti i madh i popullit ndjehet fuqishëm në poezinë e Din Mehmetit.

Në vargjet e tij vdekja përzihet me jetën. Ajo është e pranishme në vargjet e poetit sidomos tek vëllimet e bukura “Ikja nga vdekja” dhe “Fatin tim nuk e nënshkruaj”, ku vdekja hyn e del lirisht, loz me fatin e kosovarit, ajo ngatërrohet me lindjen dhe në këtë kontekst jeta bëhet më e bukur, sepse në historinë tonë vdekja ka qënë elementi i pavdeksisë. Ja si shprehet poeti: “…O, mos me shtinë n’udhë, /n’kryq të rrugës së mëshirës, /ku ndahet jeta me vdekjen, /n’ballë t’ahut ballsamosmeni…”
 
FSHATI SI MOTIV FRYMËZIMI,
Është thënë se shpesh poezia mund të zbërthehet dhe të perceptohet më mirë kur njihet burimi i frymëzimeve te saj. Kështu ndodh edhe në poezinë e Din Mehmetit. Vetë titulli simbolik i përmbledhjes së parë poetike “Në krahët e shkrepave”, “Heshtja e kulluar” ose “Fanar ne furtune”, si dhe disa poezi të veçanta në gjithë korpusin e krijimtarisë së tij, deri në përdorimin e disa fjalëve si shkëmbi, thepi, lugu, plangu, sofra, bjeshka, vorri, kripa, shpatina, tambli etj, qofshin me kuptim të drejtpërdrejtë apo të figurshëm e orientojnë vëmendjen e lexuesit drejt një ambienti karakteristik, fshatar ku është rritur edhe poeti ynë i madh.

I ndërgjegjshëm për misionin fisnik prej poeti Din Mehemti e ka studiuar me kujdes jetën e malësorit, ambjentin e tij malor, shqetësimet dhe brengat e kosovarëve dhe fatet e tyre nëpër rrjedhën e shekujve. Poetit nuk i intereson vetëm e kaluara e hidhur që ka ecur në “Stuhi me vdekjen në duar”, por edhe e tashmja heroike, e ardhmja që na orienton drejt lirisë. E për këtë e ka ndihmuar jo vetëm historia e shtruar, por edhe tregimet e të moshuarve të fshatit të tij që kur ai ishte fëmijë. Kështu, Din Mehmeti e ka njohur mirë mentalitetin e bashkëfshatarëve të vet, prandaj shprehet: “Kallna sonte në këngë, /e tymi le tu dalë merimangave të mendimit, /që të ngjitet fjala jonë në majë të nderit, /që të mbyllet goja e urtë e territ, / Epna forcë që ta nderojmë të ardhmen, /gaz të na duken vuajtjet, /e lehtë të na duket pesha e kohës…”.

Por siç e thotë edhe vetë poeti në kredot e tij, “Dashuri që s’ndalet”, është dashuria e fshatarëve të tij për tokën, për njeriun, për punën. Kështu, poezia e Din Mehmetit lindi dhe u rrit në mjedis malor, u tund në djepin e bjeshkëve, u rrit mbi “Krahët e shkrepave” dhe fluturoi e lirë për të hyrë në zemrat e lexuesve. Këtë sukses e ka përcaktuar në radhë të parë sharmi poetik me anën e të cilit poeti përshkruan atë mjedis jetësor që në kujtesën e lexuesit, do të skalitet thellë: “…Këtu do të rrimë, /si gjyshërit tanë më parë ku dielli na ka rreshkur fytyrat, /si drithnajat në ara, /ku na kanë bërë ninulla, /ku nënat na i kanë shkruar sytë tonë, /me puthjet e ngrohta si flaka”. Në disa prej krijimeve më të spikatura të tij,

Din Mehmeti pati premtuar se do të këndojë për njeriun, mbartësin e gëzimeve dhe të brengave, njeriun kosovar që nuk e pa veten kurrë të lirë, njeriun të cilit poeti i kishte falur zemrën. Këtë e shpreh qartë në poezinë “Në rrezet e katundit tim”, ku kuptojmë se në zemrën e poetit e kanë çerdhen me mijëra dhimbje dhe dëshira, “…se për ty do të këndoj, burrë shpati, / edhe kur t’më përcjellin vajtoret n’gjam…” sepse ai e kishte përcaktuar fatin e tij. Din Mehmetit i intereson fati njeriut në valët e vështira të jetës, fati njeriut të vendit të tij që lindi dhe u rrit në luftë për ekzistencë.

Dhe dielli për të do të binte një ditë, liria do të lindte por mjerisht poeti ynë i madh nuk do ta shijonte atë. Nuk është rastësi që moto e disa prej vëllimeve të tij ishte “Dielli jonë është vetëm drita që lind prej nesh dhe udhëton bashkë me ne”, poeti tregon se njerëzit ia çelin rrugën dritës, rrugën e fatit vetë- vetes. Ky ka qënë fati i vëllezërve kosovarë, fati i asaj gjenerate që lindi dhe rriti heronj, fati i rëndë që e kanë përballuar me guxim dhe trimëri…vetëm për hir të lirisë.
 
MALLKIMI I GJAKUT
Poezia e autorëve kosovarë, rrallë botohej nga shtëpitë tona botuese, madje edhe kur ndërmerrej një inisiativë e tille nga redaktorët e shtëpive tona botuese, në shumë raste ajo censurohej nga organet e shtetit komunist. Një nga vëllimet më të spikatura, poetike të Din Mehmetit, që nuk i shpëtoi dot kësaj praktike negative, qe u botua nga shtëpia botuese “Naim Frashëri në vitin 1974 ishte edhe vëllimi me poezi “Mallkim i gjakut”. Ky qe prezantimi më i plotë i këtij poeti me lexuesin shqiptar, i cili pati rastin të njohë më mirë talentin, poezinë dhe individualitetin e tij krijues. Përmes këtij vëllimi reflektohen ndjenjat e autorit dashuria e zjarrtë për atdheun, ku shkarkesat emocionale ndjehen në të gjitha poezitë.

Edhe kur mediton, poeti shfaq kredo poetike, në çdo varg lëshon ndjenja dashurie dhe zemërimi, shfaq edhe bujari kosovare.
Në pasqyrimin e jetës dramatike të kosovarit, poeti përpiqet tu japë rëndësi të veçantë shqetësimeve të kohës. Poezia e tij më e mirë është ngjizur me tragjizmin e popullit të vet nën pushtimin serb. Pikërisht, këto e bëjnë poezinë e tij konfliktuale, epike me luftë ndjenjash e motivesh, me një llojë dramaticiteti poetik që pak shihet tek poetë të tjerë në trevën e tij. Jo rastësisht, poezia e tij, përngjason me poezinë popullore, sepse ajo aspiron në të drejtat dhe idealet demokratike, por edhe në raportin që vendos mes vetes dhe lexuesit, e në shumë raste lexuesi duhet të vrasë mendjen, për të thithur sadopak nga nektari i poezisë së Din Mehmeti Mehmeti e konsideron masën një forcë të madhe demokratike, por dhe mbrojtëse dhe frymëzuese të krijimit të vërtetë poetik, sepse pa të çdo këngëtari do ti shuhej zëri, do ti shuhej fjala, sepse populli u del zot krijuesve të vet: “…Hajt zgjona në ushtime e le të dridhen trarët e kullës, /me fjalën që kall urrejtje e kobe, /me fjalën që na bashkon në jetë…”.

Ky korife i poezisë shqipe shpreh me zërin e vet dëshirën e një populli, dëshirën e një shtrese njerëzish që luftojnë për të drejtat e tyre. Kështu, poeti nuk është kurrë i vetmuar. Poezia e tij është një dramë në vargje, sepse ajo shpreh lidhjet me popullin, me traditat liridashëse e demokratike të tij. Poeti nuk e idealizon traditën por nuk harron të vërë në dukje edhe atë gjerdan virtytesh që populli i tij e ka ruajtur me kujdes. Këtë e thotë ai në poezinë “Rrashku i këngës” kushtuar heroit Emin Duraku, ku ai në vargje sikur jep amanetet e tij të fundit për bashkëkombësit e vet luftëtare: “…Mos i lini nipat me qajtë mbi kufomat tona të mërdhime, /sepse vdekja e jeta janë të çuditshme që s’don lotë, /Sofrat shtrojini përsëri në vatra, / e sytë le t’iu shkrepin prej diellit…”.

Tek brezat poetit i pëlqen qëndresa, vitaliteti, shpirti luftarak dhe sakrificat për truallin amtar cilësi këto që ai tash i kërkon tek bashkëkohësit e vet. Kjo është e domosdoshme sepse, jeta është luftë, e lufta është per trimat. Prandaj poeti lufton dëshpërimin, vetminë e pasivitetin. Ai i grish njerëzit për jetë, e luftë kundër padrejtësive. Prandaj thotë: “…Unë e vetmia jemi dy shkëmbinj, /që përgjakemi në stuhi, / Ajo jetën ma rrëmin, /e unë e shkërmoj, /me diellin që s’më fiket në gji, …. ”. Din Mehmeti është poet i frymëzuar që mbështet në realitet dhe komunikon me ndjenjë e ngrohtësi me lexuesin.
 
PAVDEKSIA E POETIT
 …ishte në moshën 81-vjeçare, flokëthinjur dhe me ballë të renduar nga mendimet. I ri në zemër, i freskët në mendime, por i lodhur nga ndrydhja nga robëria. Autori i dymbëdhjetë vëllimeve me poezi në të cilat derdhi bindshëm mendimin poetik, gëzimet, brengat, hidhërimet, fatin e zi të vëllezërve të tij qe patën luftuar shekuj me radhë për të shijuar diellin e lirisë për të cilin edhe Din Mehmeti pati ëndërruar aq shumë.

E ndjeu furtunën serbe, vdekja i erdhi aq pranë, pavdeksia po ashtu. I biri i diellit nuk u tremb, por luftoi me pushtuesit shumëshekullorë serbë, ashtu siç kishte luftuar gjithnjë, i mundi ato, ashtu siç i kishte mundur gjithnjë dhe fitoi. Fitoi zemra e tij e madhe, zemër poeti. Din Mehmeti do të qëndrojë në krye të focave krijuese shqiptare i pavdekshëm, krenar dhe gjithmonë i dashur për lexuesin e trojeve mbarëkombëtare. Poeti i madh, ndërroi jetë me datën 12 nëntor të vitit 2010, në moshën 81 vjeçare në qytetin e tij të lindjes në Gjakovën e tij të dashur. Dhimbja ishtë e madhe, krenaria gjithashtu., 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg