SHKODËR - Dinamo është finalistja e dytë e Kupës së Shqipërisë për edicionin futbollistik 2025-2026, duke kompletuar kështu çiftin final të këtij kompeticioni.

Skuadra dinamovite siguroi kualifikimin pas fitores minimale 0-1 në transfertë ndaj Vllaznisë, në sfidën e kthimit gjysmëfinale të zhvilluar mbrëmjen e kësaj të enjteje në stadiumin “Loro Boriçi”. Golin vendimtar e realizoi Dejvi Bregu në minutën e 77-të, duke i dhënë avantazhin dhe biletën për në finale ekipit të tij.

Takimi i parë mes dy skuadrave ishte mbyllur në barazim 1-1, ndërsa suksesi në ndeshjen e kthimit i mundëson ekipit të drejtuar nga Ilir Daja të avancojë në aktin final të kompeticionit.

Finalja e Kupës së Shqipërisë ndërmjet Egnatias dhe Dinamos do të luhet më 13 maj në stadiumin “Air Albania” duke nisur nga ora 19:00.