Një përfaqësi e studentëve të Mjekësisë, iu drejtuan presidencës për t’i kërkuar mosdekretimin e ligjit të ri që i detyron ata të qëndrojnë 5 vjet në Shqipëri pas diplomimit.

Pas më shumë se 90 minutash takim, studentët thanë se e informuan kreun e shtetit mbi efektet negative që u sjell ligji i miratuar tashmë në parlament, dhe folën për përgjigjen që kishin marrë nga presidenti.

‘Paraqitëm problematikat tona dhe presidenti na dëgjoi me vëmendje. Kërkojmë të rishqyrtohet edhe një herë pr/ligji” tha një studente, pjesë e grupit përfaqësues që u pritën paraditen e sotme nga presidenti Begaj.

Nëse ligji nuk anulohet ata paralajmëruan se në ditën e parë të vitit të ri akademik do të ketë kaos. Krahas takimeve e protestave kundër ligjit, ata folën për dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ana tjetër, një një reagim zyrtar Begaj tha se siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese.

Kujtojmë se në seancën e fundit plenare, Kuvendi miratoi me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë. Sipas ligjit, studentët aplikantë në Mjekësi që futen këtë vit në sistem, janë të detyruar të firmosin një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 5 vjeçare pas diplomimit. Ndërsa ata që vijojnë studimet nga viti i dytë deri në të gjashtin, kanë mundësi të firmosin marrëveshjen që i detyron të punojnë 2 ose 3 vite në Shqipëri. Në të kundërt do të paguajnë tarifë të plotë studimi.

Studentët e Mjekësisë kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor nëse ligji miratohet në Kuvend, ata janë shprehur se do të vijojnë protestat deri në fund madje kanë parlajmëruar se ligjin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:58
Priti në një takim studentët e Mjekësisë, Begaj: Do të shqyrtojmë me seriozitet argumentet e paraqitura prej tyre

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas takimit me studentët e Mjekësisë. Kreu i shtetit thotë se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese.

'Presidenti i Bajram Begaj, priti sot në një seancë dëgjimore një përfaqësi të studentëve të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Ky ligj është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21/07/ 2023 dhe është aktualisht në fazën përmbyllëse pranë Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, konsideron se konsultat me palët e interesuara gjatë procesit legjislativ janë një instrument i çmuar për vendimmarrjen institucionale.

Në mbyllje të takimit, presidenti siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese.'- shkruan Begaj.

Ora 12:51
Studenti pas takimit me presidentin Begaj: Nëse ligji nuk anulohet, bojkotojmë vitin e ri akademik

 

Studentët e Mjekësisë i shkuan sot në zyrë presidentit Bajram Begaj për ti kërkuar të mos dekretojë ligjin që i detyron ata të kryejnë deri në 5 vite punë para se të marrin diplomën.

“Nga kërkesa që ne i kemi bërë Presidentit, përgjigja ka qenë pozitive dhe ne e vlerësojmë mikpritjen e tij, duke qenë se ka munguar në të gjitha institucionet tjera pararendëse të ligjit, si në komisione dhe parlament ku nuk na kanë lejuar të bëhemi pjesë. Qasja e tij ishte pozitive, presidenti na dëgjoi bashkë me këshilltarët e tij, të gjitha problematikat dhe argumentet që janë dhënë me përpikëri, ligj më ligj dhe nen me nen, të cilat janë lexuar këtu. Gjithashtu edhe disa rekomandime që ne kemi dhënë për zgjidhjen e mëtejshme të situatës, e cila deklarohet se është emergjente është marrë parasysh, por që nuk kemi asgjë konkrete. Ne presim një përgjigje nga presidenti për mos dekretim, duke qenë se ai tha që çdo gjë do të bëhet bazuar në kushtetutë dhe bazuar në sugjerimet e dhëna nga ne”, u shpreh një student.

Sa i takon rekomandimeve dhe kërkesave, studentët thonë se do të vazhdojnë t'jua komunikojnë instancave ligjzbatuese deri sa të rishikohet ligji për studentët.

“Ne bëmë të njëjtat rekomandime siç kemi bërë në takimet e tjera dhe do të vazhdojmë të bëjmë takime të tjera, jo vetëm me Presidentin e Republikës së Shqipërisë por edhe me instanca të tjera dhe me zyrtarë. Ajo që ne kërkojmë është që të rishqyrtohet ky ligj dhe të shikohet një ligj tjetër bazuar në rekomandimet dhe konsultat me grupeve e interesit dhe sidomos me studentët e mjekësisë të cikët do të dalin në profesion dhe do të shërbejnë në Shqipëri me vullnetin lirë dhe jo me detyrim, pra kërkojmë nga autoritetet politika ftuese jo detyruese”, tha një studente.