TIRANË- Mes debatesh e një seance e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi 3 projektligjet që kanë qenë kryefjalë e ditëve të fundit. Në seancën e cila nisi që prej orës 10:00 të mëngjesit të 20 korrikut e përfundoi rreth orës 04:30 të mëngjesit të 21 korrikut, ku ishin prezentë 95 deputetë u miratua me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë.

Studentët e Mjekësisë do firmosin një marrëveshje që do të punojnë në Shqipëri për 5 vite pas diplomimit. Kjo nismë e qeverisë për frenimin e ikjes së studentëve nga vendi i tyre, solli pakënaqësi tek mjekët e rinj, të cilët akuzuan qeverinë se po i kthen pas në kohën e komunizmit. Në të njëjtën linjë qe edhe opozita, të cilët përsëritën se nisma është antikushtetuese.

Nga ana tjetër, ministret e Arsimit dhe Shëndetësisë, Kushi dhe Manastirliu theksuan disa herë se në të tilla raste, kur ka mungesë të burimeve njerëzore, shteti merr masa, andaj ligji jo vetëm që nuk është antikushtetues por është i nevojshëm. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi nënvizoi se nëse pr/ligji nuk miratohej në seancën e fundit plenare, do ishte shumë vonë. Gjithashtu, Kushi përmendi edhe koston e ulët krahasuar me shpenzimet që qytetarët shqiptarë paguajnë përmes taksave për studentët e Mjekësisë, gjë që sipas saj nuk do ishte e drejtë të shpërbleheshin me mungesë të ‘bluzave të bardha’.

Nga ana tjetër, edhe opozita bëri një tentativë për të futur studentët e Mjekësisë brenda Parlamentit, ashtu siç ata kërkonin. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi iu drejtua kryeparlamentares Nikolla duke i thënë se ka bazë në rregullore që studentët e Mjekësisë të futen në sallë, gjë që nuk u pranua nga drejtuesja e seancës me argumentin se studentët kanë qenë pjesë e Komisioneve Parlamentare.

Duhet theksuar se Studentët e Mjekësisë kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor nëse ligji miratohet në Kuvend, ata janë shprehur se do të vijojnë protestat deri në fund madje kanë parlajmëruar se ligjin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Një tjetër projektligj që së fundmi kishte ngjallur shumë debate ishte legalizimi i kanabisit mjekësor. Edhe ky projektligj u miratua në seancë plenare me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Kjo nismë e qeverisë pati sërish përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, ku kjo e fundit akuzohej se po i jepte një mundësi të artë krimit që të kishin Shqipërinë territor të lirë për të kultivuar bimë narkotike.  Ndërkohë, Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së kanabisit të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.

Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Mëngjesin e djeshëm, Berisha u afrua pranë foltores së Kuvendit, i shoqëruar edhe nga deputet e grupit të tij, teksa mbanin në duar banderola të Ramës me foto kanabisi.

Kreut të Akademisë së Shkencave tashmë do t’i lejohet të ketë një mandat të dytë. Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 70 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenim pr/ligjin për Akademinë e Shkencave. Sipas kësaj nisme të propozuar nga dy deputetë të mazhorancës, kryetari i Akademisë së Shkencave i lejohet një mandat i dytë ndërsa i hiqet edhe kufizimi i moshës 75 vjeç. Edhe ky projektligj ka qenë qysh herët i kritikuar dhe i kundërshtuar nga opozita, sipas të cilëve po favorizohet Skëndër Gjinushi i cili përpos se ka qenë pjesë e politikës nga kampi rozë, nuk është as akademik.

Ndonëse në seancën maratonë u miratuan projektligje me shumë interes, duhet theksuar se në Kuvendin e Shqipërisë nuk u pranuan kërkesat e opozitës për interpelancë apo mocion me debat për kryeçështjen Ahmetaj dhe inceneratorët. Opozita e shihte të arsyeshme që kryeministri Rama të ishte pjesë e seancës si dhe të flitej për çështjen e inceneratorëve. Partia Socialiste rrëzoi kërkesat e opozitës me argumentin se nuk ishte urgjente.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:10
Rënia drastike e euros, Ibrahimaj: Po përjetojmë një forcim të lekut shumë më të shpejtë se në vitet e kaluara  

Rënia drastike e kursit të këmbimit të euros në tregun shqiptar u bë objekt diskutimi në seancën e mbrëmshme në Kuvend.

Sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, forcimi i lekut kundrejt monedhës së huaj, është një dukuri që reflekton përmirësimin e strukturës ekomomike të vendit, si pasojë e reformave të stabilizimit në ekonomi.

“Sipas të gjitha analizave që Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë ka kryer, forcimi i kursit të këmbimit pra forcimi i monedhës vendase kundrejt monedhës së huaj, është një dukuri që reflekton përmirësimin e strukturës ekomomike të vendit, është një dukuri që ka ardhur si pasojë e të gjitha reformave që ne kemi ndërmarrë por edhe si pasojë e modelit ekomomik që në kemi.Pasja  enjë kursi feksibël të këmbimit na ka ndihmuar gjatë gjithë viteve në të cilat jemi përballur me krizat e njëpasnjëshme për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe kriza e fundit që përjetuam na tregoi se inflacioni në vend ishte ndjeshëm më i ulët se sa inflacioni në vendet e rajonit dhe BE-së.Megjithatë gjatë vitit të fundit jemi duke përjetuar një forcim të kursit të këmbimit, shumë më të shpejtë se sa ai që ka ndodhur në vitet e kalua. ky forcim ka nisur që nga viti 2015 dhe ka ardhur gradualisht duke u forcuar, ndërsa gjatë dhe vitet e fundit shpejtësi ka qenë shumë më e lartë”, tha Delina Ibrahimaj.

Ndërsa Deputeti i PS-së Erion Braçe tha se në këtë situatë kemi të bëjmë me një fitim të drejtpërdrejtë të tregtarëve.

“Flukset hyrëse të ekonomisë reale në këtë vend kanë qenë në rritje dhe të një rendi shumë të madh aq sa patjetër që do të ndikonin në kursin e këmbimit të monedhës midis lekut dhe euros. Thënë këtë a ka para të zezë që hyn në Shqipëri, pa diskutim që ka dhe nuk di ndonjë vend në rajon apo në botë që nuk është nën kërcënimin e parasë së zezë. A mund të më thotë dikush këtu dhe jashtë kësaj salle që çmimet e produkteve kryesisht ushqimore kanë rënë kaq, pra efekti i rënies së inflacionit  dhe efekti i rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare shoqëruar me efektin e forcimit të lekut të jetë reflektuar 100% në rënien e çmimeve, jo. Atëherë është fitim i drejtpërdrejtë i tregtarëve”, tha Erion Braçe.

Rënia drastike e kursit të këmbimit të euros në tregun shqiptar përllogaritet të ketë dëmtuar ekonomikisht gjysmën e popullatës e cila në numërimin e fundit zyrtar në vitin 2021 rezultoi 2.8 milionë banorë.

Ora 10:49
Votimi në Kuvend, tre deputetë socialistë abstenuan legalizimin e kanabisit mjekësor (EMRAT)

1689929464_maj.jpg

Tre deputetë të maxhorancës kanë abstenuar gjatë votimit të pr/ligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor.

Ata janë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Majko dhe Braçe kanë abstenuar edhe në komisionin e Ligjeve kur kaloi pr/ligji me 13 vota pro.

Për tre orë pas mesnatës së të premtes (21 korrik) kuvendi shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”. 

Ligji u votua me 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenime.

Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.

Autoritetet besojnë se përmes një procesi të licensuar do të rritet ekonomia e vendit, si dhe kontrolli i subjekteve, që do të merren me kultivimin dhe përpunimin e bimës së cannabis-it, duke krijuar një institucion të veçantë.

Sipas projektligjit, licenca mund të jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, ndërsa zbatimi i kushteve të licensës verifikohet çdo 3 vjet.

Ora 07:36
Kuvendi miraton me 70 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenim pr/ligjin për Akademinë e Shkencave! Kryetarit i lejohet një mandat i dytë, hiqet kufizimi i moshës 75 vjeç

 

Kuvendi miratoi me 70 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenime pr. Ligjin për Akademinë e Shkencave. Kryetarit ti lejohet një mandat i dytë si dhe kufizimi i moshës 75 vjeç.

Ora 07:32
Kuvendi miraton me 69 vota pro, 23 kundër e 3 abstenime projektligjin për kanabisin mjekësor

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 69 vota pro, 23 kundër e 3 abstenime pr ligjin për kanabisin mjekësor.