TIRANË- Studentët e Universitetit të Mjekësisë i paraprinë me protestë votimit në parlament të projektligjit për diplomat e tyre.

‘Anuloni projektligjin! 0 kompromis!’- thanë ata.

Në kushtet kur atyre iu mohua mbajtja e një fjale në parlament, ata u mblodhën përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkuan anulimin e projektligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri, në këmbim të diplomës. Në të kundërt studentët paralajmëruan bojkot të vitit të ri akademik, ndërsa kanë firmosur një peticion më 1500 firma nga të gjitha grupet e interesit.

‘Do ta çojmë në gjykatën Kushtetuese! Kur të dorëzohet do të kuptohet se studentët do të bojkotojnë nisjen e vitit akademik.’- u shprehën studentët.

Për Report Tv, zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se projektligji është i mirëmenduar dhe i konsultuar, ndaj nuk ka kthim prapa.

Sipas pr/ligjit studentëve aplikantë në Mjekësi, që futen këtë vit në sistem, janë të detyruar të firmosin një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 5 vjeçare pas diplomimit. Ndërsa për ata që vijojnë studimet nga viti i dytë deri në të gjashtin, kanë mundësi të firmosin marrëveshjen që i detyron të punojnë 2 ose 3 vite në Shqipëri. Në të kundërt do të paguajnë tarifë të plotë studimi.

Klikoni këtu për të mësuar: Çfarë parashikon pr/ligji dhe tre skenaret. Nga ai më pesimisti tek realisti dhe më optimisti nëse ky pr/ligj miratohet. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:48
Mjekët e rinj 5 vite punë në Shqipëri, Rakacolli në Report Tv: S’ka kthim pas për projektligjin e studentëve, i menduar mirë!

 

Edhe pas kundërshtive të studentëve, ekspertëve dhe opozitës, qeveria nuk tërhiqet nga drafti që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri që të marrin diplomë. Në një intervistë për gazetaren e Report Tv, Besmira Pelushi, Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një intervistë për Report Tv, tha se ky është një projektligj i konsultuar dhe i hartuar mirë. Edhe pse studentët paralajmërojnë bojkot të vitit akademik, Rakacolli tha se nuk beson se do të arrihet në këtë situatë.

“Se kuptoj si janë të pakënaqur në këtë vend. Ata kanë zgjedhur një profesion që s’është profesion, është mision. (...)  

Ne mendojmë që kemi bërë një projektligj të mirëmenduar duke peshuar të gjitha anët duke vënë në vëmendje të mirën e madhe i bërë me përgjegjësi edhe studentët janë të konsultuar."- tha Rakacolli në Report Tv.