Diku kah mesi i shekullit të XV, kur Skënderbeu në tokat arbërore organizon Kuvendin e Lezhës dhe fiset e krishtera ballkanike mblidhen të luftojnë Perandorinë Otomane, familja mbretërore angleze në qytetin-shtet të Firences e hap konsullatën e saj të parë diplomatike.
Plot 500 vjet rend, deri më 2011, konsullata angleze dhe britanike ka shërbyer në Firence, duke u bërë një nga objektet me traditën më të gjatë të vazhdueshme diplomatike në botë. Ndërtesa e stërbukur në qytetin e stërbukur ka qenë epiqendër e marrëdhënieve italiano-britanike për më shumë se pesë shekuj, ende pa u bashkuar Italia, ende pa u krijuar Europa vestfaliane. Nuk ka punuar vetëm gjatë 4 viteve të Luftës së Dytë Botërore. Libra janë shkruar të inspiruar nga ndërtesa e konsullatës, filma janë xhiruar në ndërtesën magjepsëse të saj, ndërsa drama të vërteta njerëzore janë shpalosur në jetën e dhjetëra konsujve që kanë shërbyer aty si diplomatë, në kohën kur diplomacia është bërë nëpërmjet personave të besueshëm të mbretërve dhe mbretëreshave që kanë përcjellur informata sekrete tek kryeqytetet përkatëse.
Paramendoni shokun italian, kur pas pesë shekujve të ekzistencës në Firence, Britania e Madhe më 2011 vendos ta mbyllë një herë e përgjithmonë konsullatën e saj aty. Një traditë mbi pesë-shekullore ndërpritet për shkak të arsyeve shumë prozaike - kursimeve buxhetore në Mbretërinë e Bashkuar. Kontesha Frescobaldi (e verërave të njohura Frescobaldi), ankohet te Mbretëresha Elisabeth, Kryetari i Firences apelon te Kryeministri Cameron, por badihava, Londra ka filluar ta matë secilën funt dhe secilin penny se ku e shpenzon. Konsulli i fundit britanik, Broomfield, për gazetën New York Times thotë: “për shkak të simbolizmit, jam shumë, shumë i mërzitur. Por nga pikëpamja praktike, e kuptoj se nuk kemi nevojë për konsullatë ekstra në Firence”.
Para dy javësh, Britania e Madhe në anën tjetër vendos të financojë për së treti vit rend, në kohën e kursimeve më të mëdha, projektin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për diplomaci publike. Natyrisht shumat në mes një konsullate të shtrenjtë dhe projekteve lobuese janë krejtësisht tjera, por në Londër çmohet shumë bashkëpunimi dhe efekti i projektit tonë të përbashkët që kemi me Këshillin Britanik. Për 2 vitet e fundit, dhe vitin e ardhshëm, FCO e Britanisë ka vlerësuar se projektet tona janë “shembullore” dhe “model për veprim në shtete tjera”. Baronesha Uarsi, në Parlamentin Britanik ka mbrojtur para lordëve shpenzimet duke thënë se projektet e Kosovës të diplomacisë publike janë investim i matshëm me rezultate të matshme. Mbi 250 vizita janë bërë me shtetet e BE-së që nuk kanë njohur Kosovën, nga niveli i ministrave të jashtëm, deri tek deputetë, gazetarë, redaktorë, aktivistë, artistë. Prej vizitës së Ministrit Hoxhaj në shtetet jo-njohëse, deri tek shkëmbimet parlamentare e deri tek, tash së fundi performanca fenomenale e bendit prishtinas Jericho ne Bratislavë, projekti ka arritur të zbutë qëndrimin dhe të rrit informatat për Kosovën në këto shtete.
Projekti është vlerësuar me notë të lartë edhe nga qeveritë tjera. Ministria austriake na u ka bashkangjitur me kërkesën e tyre në projekte të diplomacisë publike, ndërsa Qeveria Norvegjeze ka ndarë mbi 200,000 euro për konferencat si Gërmia Hill, diplomacinë digjitale të MPJ dhe projektet e dialogut ndërfetar. Tash së fundi, në Prishtinë ishte edhe Asistent Sekretar i State Departmentit Adam Ereli, i cili kontrollon buxhet prej 1 miliard dollarë ne vit, staf prej 400 diplomatësh në Washington dhe tërë diplomacinë publike amerikane, i cili po ashtu shprehu befasi me kreativitetin dhe diapazonin e projekteve që implementon Kosova në diplomaci publike. Një revistë turke e quajti Strategjinë kosovare të diplomacisë digjitale si ndër më të mirat në rajon, ndërsa nga zyra e Kryeministrit britanik David Cameron, tash së fundi është dërguar edhe një eksperte të ndihmojë edhe më shumë projektet në Prishtinë.
E mira e projekteve që kemi implementuar në këto 2 vite (e të tilla janë rrumbullak 70 sosh) është se kemi involvuar shtresë të madhe të shoqërisë civile në lobim dhe avokim. Prej KIPRED e deri tek KFOS, nga RIDEA e deri tek Instituti Aspen, prej Këshillit Europian për Politikë të Jashtme e deri tek Forumi Alpbach, nga teatri Oda e deri tek Galeria Kombëtare, prej Flaka Surroit e deri tek Berat Buzhala, prej Tony Blair deri tek Petrit Çeku, prej artistëve romë të Kosovës deri tek poetët klasikë kosovarë, nga Brazili e deri në Athinë, nga Afrika e Jugut e deri tek Bratislava, jemi munduar me mish e me shpirt të rrisim efektin e diplomacisë klasike duke u munduar të ndikojmë në publikun e shteteve jo-njohëse. Diku kemi bërë punë të madhe, diku kemi ende punë për të bërë. Disa projekte kanë involvuar mijëra kosovarë, si psh gara kombëtare e fotove më të mira në rrjete sociale Instagram, disa kanë qenë vizita konfidenciale të ekspertëve dhe miqve të Kosovës. Disa projekte janë përmendur në gazeta botërore si Guardian, për disa vizita kurrë nuk do të flitet apo shkruhet.
Ç'është me rëndësi, për çdo euro të shpenzuar të buxhetit të Kosovës, kemi siguruar 3 euro nga donatorët. 6 ministri simotra europiane kanë pëlqyer projektet tona. Kemi fuqizuar projektet e diplomacisë publike të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, që shpesh është edhe kritike e qeverisë, por kemi mundësuar edhe udhëtime (të suksesshme) të deputetëve të Vetëvendosjes. Pra në fushën e diplomacisë publikë nuk kemi qenë partizan të partive, për të çështjes sonë të përbashkët dhe jemi të lumtur që edhe palët antagoniste politike kanë kuptuar se në këtë fushë jemi një.
Pra, nuk kam nevojë ta shpjegoj se jemi shumë krenarë për punën e bërë në këtë fushë, e cila ka qenë deficitare tek ne. Ministri Hoxhaj, me një background nga shoqëria civile e pasluftës, unë dhe ekipi ynë, stafi dhe partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë kemi insistuar që shoqëria civile, artistët, studentët, të luajnë një rol aty ku munden.
Ish-Ministri Skënder Hyseni tërë këtë punë e hodhi poshtë përsëri para ca ditësh, duke thënë se “MPJ po bën projekte OJQ-sh dhe ka sjellë një gazetar rus që ka treguar se Rusia nuk do të na njeh”. Nuk besoj se është mirë që në diplomaci të ketë kritika në mes ish-ministrave. Nuk besoj se Sekretarja Rice e ka kritikuar ndonjëherë Sekretaren Clinton apo se ajo Clinton do ta kritikojë Sekretarin Kerry. Por ja që ish-Ministri Hyseni, krejtësisht modest për nga efektet e punës së tij, i shquar për qëndrime dy-muajshe në New York (po, me javë të tëra të kaluara “pa ja nda” në hotele të New Yorkut), tërë kohën vazhdon të kritikon punën në diplomaci publike, nga dita një e punës sonë. Ok, nuk presim lëvdata nga një deputet i opozitës (edhe pse disa kolegë të tij të LDK janë shumë më mendjehapur dhe vlerësojnë punën tonë në këtë aspekt), por fakti që ofendon dhe minimizon deri në përqeshje punën e dhjetëra njerëzve dhe miqve të Kosovës, dhe ndihmën enorme që kanë dhënë shtetet si Britania, SHBA, Norvegjia, Gjermania, etj në projektet tona të përbashkëta me shoqërinë civile lokale dhe globale, flet për shpirt-ngushtësinë e tij ekstreme dhe mungesën e tij të informatave se si funksionon sot interaksioni diplomatik.
Ish-Ministrin Hysenin e kam parë në moshën time 15 vjecare për herë të parë. Isha aktivist rinor, dhe sjellnim tek Ibrahim Rugova mysafirë norvegjezë në zyrat e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe z. Hyseni ishte një përkthyes jo edhe aq i mirë i anglishtes. Ende besoj se edhe atëherë, vizitat dhe puna e jonë më 1995 në sjellje të gazetarëve dhe mysafirëve në Kosovë ka qenë më efektive se përkthimet e z. Hysenit. Nuk është që ka ndonjë pedigre diplomatike si konsulli në Firencen e lashtë. Por me ofendime të vazhdueshme të punës së madhe të bërë në dy vitet e fundit, nuk na ofendon neve aq sa e ofendon shtetet si Britania që kanë vendosur ta investojnë për të mirën e Kosovës, për njohjen tonë më të madhe.
Kur dëgjoj tek shprehet, më dhimbset palazzio e bukur e mbyllur përfundimisht në Firence.
Nga Petrit Selimi
